Operacionet policore në Leposaviq dhe Zveçan – Armatimi ngre dyshime për planin e Serbisë, flet eksperti i sigurisë

Politika

Operacionet policore në Leposaviq dhe Zveçan – Armatimi ngre dyshime për planin e Serbisë, flet eksperti i sigurisë

Nga: A.M. Më: 2 shtator 2025 Në ora: 22:29
Foto nga aksioni i Policisë së Kosovës

Gjatë ditës së hënë, Policia e Kosovës ka zhvilluar dy aksione në Leposaviq dhe Zveçan.

Në të dyja vendet, Policia ka gjetur armë dhe municion.

Përveç tyre, në Leposaviq janë gjetur edhe bluza me slogane si “Kosova është Serbi” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”.

Ndërkohë, nuk është raportuar për persona të arrestuar.

Lidhur me këto zhvillime të fundit, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, në një prononcim për “Bota Sot”, ka deklaruar se armët janë gjetur në vende të fshehta dhe të vështira për t’u zbuluar, siç ishte rasti në Zveçan.

Image
Arben Dashevci

“Policia e Kosovës sot në Leposaviq, dhe pastaj edhe në Zveçan, ka konfiskuar armë, municion dhe bluza me slogane si “Kosova është Serbi” dhe “Kosova është zemra e Serbisë”. Këto armë po gjenden nëpër ato vende ku është vështirë të gjenden, sikurse rasti në Zveçan.

Kjo, sipas mendimit tim, tregon efikasitetin e Inteligjencës dhe të organeve tona kompakte, në bashkëpunim me njëra-tjetrën si një hallkë e vetme bashkëpunuese, bashkëvepruese dhe koordinuese mes vete.

Tregon edhe për bashkëpunimin qytetar me organet tona për gjetjen e këtyre mjeteve që kanë rrezikuar dhe ende rrezikojnë sigurinë në vendin tonë”, ka thënë ai.

Dashevci ka deklaruar se “arma rrezikon sigurinë”, duke e cilësuar konfiskimin e fundit në Leposaviq dhe Zveçan si një sukses tjetër të Policisë së Kosovës.

Sipas Dashevcit, Serbia dhe qarqet e saj destruktive po shfrytëzojnë boshllëkun institucional që po zgjat tash e tetë muaj, për të rritur tensionet dhe për të cenuar sigurinë e Kosovës.

“Arma rrezikon sigurinë.

Kjo gjetje është sukses i radhës nga Policia jonë, në një kohë kur Kosova nuk gjendet në një situatë aq stabile politike, por edhe sepse jemi në atë luftën konstante të egër hibride nga Serbia, ku po tentohet të shpiket ndonjë destabilitet kur ne kemi stabilitet – provohet me propaganda të ndryshme, provokime, duke përfshirë këtu edhe anën politike, sepse jemi në atë vakumin politik, pa institucione të formuara ende tash e 8 muaj.

Vakumin po e shfrytëzon Serbia dhe qarqet destruktive të saja”, ka theksuar ai.

Tutje, Dashevci ka deklaruar se ky është një rast i izoluar, por mbetet pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të nxitur destabilitet ose për të shpikur ndonjë tension të mundshëm.

Megjithatë, ai ka shtuar se Serbia, përmes krijimit të tensioneve, shpesh përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga problemet e saj të brendshme.

“Ky është një rast i izoluar, por gjithmonë mbetet pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për tentim destabilizimi ose shpikje të ndonjë tensioni eventual – sepse Serbia tash i ka mundësitë tepër të vogla, ose gati zero, për ndonjë destabilizim me përmasa të mëdha.

U janë mbyllur rrugët e tentim-destabilizimit tej mase, sepse kemi një proaktivitet dhe vigjilencë maksimale të institucioneve tona të sigurisë.

Por vigjilenca nuk ka alternativë – duhet të jetë 24/7 – duke pasur parasysh gjithmonë problemet e brendshme të Serbisë, që me ndonjë tentim tensioni përpiqet ta zhvendosë vëmendjen nga problemet e mëdha: protestat tash e 10 muaj që i ka me popullin e vet në të gjitha qytetet atje”, ka përfunduar Dashevci.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat