Referendumi i Republikës Serbe në Bosnje-Hercegovinë/ Refik Hasani sfidon Serbinë

Politika

Referendumi i Republikës Serbe në Bosnje-Hercegovinë/ Refik Hasani sfidon Serbinë

Nga: A.M. Më: 3 shtator 2025 Në ora: 22:00
Refik Hasani

Entiteti i Republikës Serbe në Bosnje-Hercegovinë ka paralajmëruar mbajtjen e një referendumi më 25 tetor 2025, i cili synon të forcojë autonominë e saj brenda shtetit.

Ky veprim është cilësuar si një sfidë ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe integritetit territorial të Bosnje-Hercegovinës. Autoritetet në Sarajevë dhe bashkësia ndërkombëtare e kanë dënuar ashpër këtë nismë, duke paralajmëruar pasoja për organizatorët.

Kjo nismë shihet si e mbështetur nga ana e Serbisë.

Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot”, veprimtari nga Bujanoci, Refik Hasani, ka reaguar ashpër, duke parashtruar disa pyetje të rëndësishme.

Ai është shprehur se përse Serbia mbështet referendumin e serbëve në Bosnje-Hercegovinë, ndërsa mohon referendume të ngjashme, si ai i shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (1992), referendumin e krahinës së Sanxhakut, si dhe aspiratat për vetëvendosje të Vojvodinës.

Sipas tij, kjo tregon për një standard të dyfishtë në qasjen e Serbisë ndaj të drejtës për vetëvendosje.

“Entiteti i Republikës së Bosnjë-Hercegovinës, i ashtuquajtur Republika Serbe, ka paralajmëruar një referendum për 25 tetor 2025, në të cilin qytetarëve të Entitetit të Republikës Serbe, që është pjesë e pandashme e shtetit të njohur ndërkombëtarisht të Bosnjë-Hercegovinës, do t’u bëhen pyetje nëse e pranojnë aktgjykimin kundër Millorad Dodikut, ish-udhëheqës i Entitetit të Republikës Serbe, dhe nëse i pranojnë vendimet e imponuara nga përfaqësuesi i lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt.

Përveç kësaj, janë duke u paralajmëruar edhe hapa të tjerë, si referendumi për vetëvendosje, dhe kjo është pjesë e strategjisë së përgjithshme të pushtetit aktual të Entitetit të Republikës së Bosnjë-Hercegovinës, që njihet si Republika Serbe.

Qarqe të ndryshme kishtare dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë kanë paralajmëruar që, nëse Millorad Dodik, ish-udhëheqës i Entitetit të Republikës Serbe, nuk mund të ushtrojë detyrën që kishte në Entitet, atëherë Millorad Dodik të jetë edhe presidenti i ardhshëm i Serbisë!? Atëherë, pse Serbia:

1.            E mohon Referendumin e Krahinës Shqiptare në Serbi, mbajtur më 1 dhe 2 mars 1992 (në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc)?

2.            E mohon edhe Referendumin e Krahinës së Sanxhakut, mbajtur më 25, 26 dhe 27 tetor 1992?

3.            E mohon edhe vetëvendosjen e Krahinës së Vojvodinës, që ishte element konstituiv i federatës së RSFJ-së, kurse mbështet Referendumin e Serbëve të Bosnjë-Hercegovinës?”, është shprehur Hasani.

Gjithashtu, ai ka trajtuar në mënyrë të hollësishme situatën politike dhe juridike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke ndërlidhur këtë me zhvillimet aktuale në Bosnjë-Hercegovinë.

 “Referendumi i Krahinës Shqiptare në Serbi, mbajtur dhe organizuar më 1 dhe 2 mars 1992, ishte dhe mbeti një formësim i angazhimit si kolektivitet i organizuar i këtij rajoni që shpalli këtë krahinë si autonome, duke themeluar edhe Kuvendin për Autonomi Territoriale-Politike të Shqiptarëve. Ishte rezistencë politike për të drejtat individuale dhe kolektive, për të qenë të barabartë, jo më pak se të tjerët. Ishte një akt i lartë historik, ishte një unitet dhe veprim i përbashkët i gjithë subjekteve politike shqiptare. Ishte shprehja e vullnetit të pjekur politikisht, plebishitar dhe popullor që përfaqësonte përcaktimin politik të së ardhmes, duke marrë përgjegjësinë për ta shtruar dhe ngritur për zgjidhje çështjen e kësaj krahine, duke respektuar aspiratën e shprehur në formë plebishitare përmes referendumit. Është treguar pjekuria e faktorizimit politik, e manifestuar si rezistencë e shqiptarëve për të dëshmuar përmes organizimit dhe daljes për votim në referendumin plebishitar. Ishte udhërrëfyes për vizionin e së ardhmes politike të këtij rajoni.

Marrëveshja e Konçulit, e arritur më 20 maj 2001, për herë të parë e ka internacionalizuar çështjen e kësaj krahine. Ajo është ngritur dhe avancuar në nivelin dhe shkallën më të lartë të BE-së dhe OKB-së, duke e detyruar qeverinë e Serbisë të ulet në tryezën e bisedimeve nën organizimin, monitorimin dhe garantimin e faktorit politik të BE-së, NATO-s dhe OKB-së”, është shprehur ai.

Po ashtu, Hasani ka kritikuar qasjen e njëanshme të BE-së, duke thënë se po trajton në mënyrë të padrejtë të drejtat e pakicave në Ballkan, duke mos e njohur apo mbështetur referendumin shqiptar në Serbi, ndërkohë që i jep legjitimitet manovrave të serbëve në Bosnjë.

“Roli i Bashkimit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare lidhur me Referendumin e Krahinës Shqiptare në Serbi, mbajtur dhe organizuar më 1 dhe 2 mars 1992 — nëse Entiteti i Republikës së Bosnjë-Hercegovinës, i ashtuquajtur Republika Serbe, mbështet një referendum të paralajmëruar për 25 tetor 2025?

Kjo është një qasje e njëanshme dhe jo e drejtë e diplomacisë evropiane ndaj çështjeve të pakicave në Ballkan — nëse Entiteti i Republikës së Bosnjë-Hercegovinës, i ashtuquajtur Republika Serbe, mbështet një referendum të paralajmëruar për 25 tetor 2025, e në anën tjetër nuk pranohet Referendumi i Krahinës Shqiptare në Serbi, mbajtur dhe organizuar më 1 dhe 2 mars 1992.

Qëndrimi institucional i Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës — pasi jo vetëm Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, por as organizimin dhe kryengritjen e armatosur të UÇPMB-së dhe marrëveshjen e Konçulit nuk kanë një qëndrim të ndërtuar lidhur me këto tri veprime që kanë relevancë. Sa është e disfavorshme kjo në ndihmë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit?

Më 12 shtator 2015, Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ka miratuar dhe hartuar një platformë të përbashkët dhe ka nxjerrë një vendim mbi themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare, që përbëhet prej 6 shtyllave kryesore. A do të funksionalizohet ky asociacion dhe a do të gjejë përkrahjen e ndërkombëtarëve?”, ka përfunduar Hasani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat