Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke theksuar se përpjekjet për të shfajësuar Hashim Thaçin dhe të akuzuarit e tjerë për vrasjet politike kanë dështuar sërish.
Sipas tij, përmes fushatave të orkestruara, zhdukjes së gjurmëve dhe frikësimit të dëshmitarëve, është tentuar pengimi i zbardhjes së vrasjeve politike.
“Është shumë interesant të ceket, se sa herë janë bërë përpjekje që përmes zhdukjes së gjurmëve, mbulimit të krimeve dhe frikësimit të dëshmitarëve, për pengimin e zbulimit të vrasjeve politike, fushata e orkestruar lidhur me tjetërsimin e fakteve për shfajësimin e Thaçit ka përfunduar edhe me më shumë të burgosur dhe të arrestuar, ndërsa më 16 korrik të këtij viti nga Dhomat e Specializuara të Hagës, u hodh poshtë edhe mocioni i mbrojtjes së përbashkët, në tërësi – si i pabazuar!!!”, thotë analisti Gani Qarri.
Sipas tij, fushata në Kosovë për shfajësimin e Thaçit dhe të tjerëve, sidomos për vrasjet politike, ka nisur qysh herët.
“Në fakt, fushata për shfajësimin e Thaçit & C0, ka nisur shumë më herët me veprime të ndyra të kamufluara e nën rrogoz, por edhe akte të drejtpërdrejta e anësore, për çfarë edhe janë arrestuar disa persona, ndërsa me mocionin e mbrojtjes së përbashkët të 12 qershorit, që të rrëzohen të gjitha akuzat për krimet apo incidentet e kryera para muajit maj të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit të vitit 1999, vazhdoi edhe zyrtarisht fushata deri atëherë jo publike, me një metodë tjetër më të rafinuar, të ambalazhuar edhe me mbështjellës juridik, e cila megjithatë dështoi dhe nuk dha asnjë rezultat faktik!”, shton Qarri.
“Megjithatë, në ndonjërin nga portalet më të zhurmshme, vetëm pak kohë më parë shkruhej me pompozitet se: ‘16 korriku do të jetë, ditë e madhe për Thaçin’, vetëm pse Trupi Gjykues në çështjen ‘Thaçi dhe të tjerët’ kishte caktuar 16 korrikun 2025, si datë të shpalljes së vendimit lidhur me kërkesën e 12 qershorit nga mbrojtja e përbashkët e të akuzuarve, për rrëzimin e disa pjesëve të aktakuzës mbi krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, nga Thaçi & C0”, shpjegon analisti Qarri.
Më tej, ai thotë se të gjitha parashikimet e përkrahësve të Thaçit dolën të gabuara.
“Por dolën të gabuar, pasi që Prokuroria këmbënguli se mbajtja e Thaçit në paraburgim ishte e domosdoshme, shkaku i rrezikut për pengimin e procesit dhe kryerjes së krimeve të tjera, akte që sipas Prokurorisë së Gjykatës Speciale mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm me mbajtjen e tij në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Kështu që, me gjithë kërkesat e shumta dhe të përsëritura shpesh të mbrojtjes së Thaçit për lirimin e përkohshëm dhe mbrojtjen në liri, Prokuroria në Gjykatën e Hagës gjithmonë ka qenë kundër lirimit të tij, duke argumentuar se ai mund ta pengojë procesin e gjykimit dhe të kryejë vepra të tjera penale”, deklaron Qarri.
Pavarësisht fushatës pro Thaçit dhe të tjerëve që po bëhet në Kosovë, Qarri bën thirrje për drejtësi lidhur me vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë, për të cilat Specialja i akuzon Thaçin, Veselin, Selimin e Krasniqin.
“Kjo flet qartë se çfarëdo fillimi i cilësdo fushatë për ta shfajësuar Thaçin dhe të tjerët, edhe para opinionit në Kosovë, sa u përket vrasjeve politike, besoj se do të jetë akt i dështuar. Sado që zbulimin e vrasjeve politike duhet ta ndihmojnë edhe vetë pasardhësit dhe familjarët e të vrarëve, e të mos heshtin si deri më tani, apo edhe të heqin dorë fare, por të tregohen më aktivë, të jenë më të zëshëm dhe të kërkojnë me më shumë këmbëngulje zbardhjen përfundimtare të nxitësve dhe autorëve të vrasjes së më të afërmeve të tyre, që deri më tani, realisht nuk ka ndodhur as nuk është vërejtur në praktikë.”
“Misteri i vrasjeve ka bërë që të flitet me kaq pezëm, se pikërisht mangësitë e denoncimit dhe mungesa e një veprimi të organizuar kanë ndihmuar të heshtet edhe e vërteta e vrasjeve politike të pasluftës, nga e cila heshtje mbi gjakun e pafajshëm të të gjithë të vrarëve, në radhë të parë kanë përfituar autorët e vrasjeve, si dhe nxitësit e tyre. Vrasje që edhe mbi 26 vite pas lufte, për qytetarët dhe opinionin e Kosovës, vazhdojnë të mbeten mister, që herët a vonë medoemos duhet zbuluar, siç duhet bërë publik për të gjithë qytetarët edhe emrat e atyre që, si dëmshpërblim të heshtjes së vrasjeve, kanë marrë funksione dhe vrasjet politike i kanë kthyer në shkallë për ngjitje në poste të larta e avancim në pozita politike, të cilat qytetarët e Kosovës me arsye i shohin të ngjyrosura tërësisht kuq, me gjakun e të vrarëve, mjerisht ende të pazbardhura dhe akoma pa doras të zbuluar e të dënuar sipas ligjit për këto vepra kaq të rënda e makabre, ndaj intelektualëve më të shquar, funksionarëve më të njohur politik dhe njerëzve më të pafajshëm, çuditërisht të harruar edhe nga drejtësia”, përfundon analisti Gani Qarri.