Kërkohet vazhdimi i dialogut, analistët e shohin si të pamundur

Politika

Kërkohet vazhdimi i dialogut, analistët e shohin si të pamundur

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 6 shtator 2025 Në ora: 20:05
Arkiv

Kosova ndodhet në krizë të brendshme politike që nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti.

Që nga kjo datë, Kosova ende nuk ka arritur formimin e institucioneve të reja, duke u bllokuar kështu edhe në shumë procese tjera.

Një ndër to është edhe dialogu i nisur me Serbinë që nga viti 2011. Dialogu po ashtu ka stagnuar dhe kohët e fundit ka pasur tentative edhe nga ndërkombëtarët për të vazhduar me këtë process.

Kosova derisa është në pritje të një qeverie të re, konsistuimit të Kuvendit, a mund të vazhdojë me dialogun si e tillë?

Fejzulla Berisha: Dialogu Kosovë–Serbi është në “komë politike”

Image
Fejzulla Berisha

Profesori universitar, Fejzulla Berisha, e ka quajtur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë “një proces në komë politike”, duke theksuar se pas më shumë se një dekade ky dialog ka mbetur pa rezultate konkrete.

“Dialogu ka nisur në vitin 2011 dhe ka kaluar përmes shumë fazave, nga marrëveshjet teknike e politike, deri te ajo e Ohrit në mars 2023. Por sot, ky proces është i bllokuar, i reduktuar në menaxhim krizash, jo në normalizim përfundimtar,” tha Berisha.

Ai vlerëson se stagnimi është pasojë e disa faktorëve.

“Takimet janë të rralla, shpesh ndikuar nga tensionet në veri dhe incidentet me komunitetin serb. Marrëveshja e Ohrit mbeti e parealizuar, sidomos për shkak të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që shihet ndryshe nga Kosova dhe Serbia. Për më tepër, institucionet e Kosovës pas zgjedhjeve ende nuk janë të konsoliduara, gjë që e pengon vendimmarrjen,” u shpreh ai.

Berisha e sheh situatën e Kosovës si paradoksale.

“Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 100 shtete, por dialogu me Serbinë, që do të duhej ta konsolidonte këtë shtetësi, është i ngrirë.”

Sa i përket rolit të bashkësisë ndërkombëtare, ai tha se BE-ja dhe NATO-ja po përpiqen të ringjallin procesin.

“BE-ja ka filluar të zbusë masat kufizuese ndaj Kosovës, ndërsa NATO e bën të qartë se siguria është prioritet. Edhe SHBA-të mbeten faktor vendimtar, duke kërkuar pragmatizëm nga Prishtina për të mos u perceptuar si palë penguese.”

Sipas tij, shembujt ndërkombëtarë si Bosnja pas Dejtonit, Irlanda e Veriut pas Marrëveshjes së të Premtes së Mirë apo Sudani Jugor, dëshmojnë se pa angazhim global dhe vullnet politik të brendshëm, proceset mbesin të papërfunduara.

“Dialogu nuk mund të ecë përpara pa konstituimin e institucioneve të Kosovës. Bashkësia ndërkombëtare duhet të kalojë nga menaxhimi i krizave në qasje të normalizimit final. Njohja reciproke duhet të jetë synimi i vetëm, përndryshe do të mbetemi me një proces pa fund,” theksoi Berisha.

Gjithashtu, profesori sugjeroi që Kosova të aktivizojë diplomacinë akademike dhe publike.

“Duhet përdorur ekspertiza e juristëve, historianëve dhe instituteve për të forcuar pozitën ndërkombëtare. Përndryshe, ekziston rreziku që dialogu të ngjajë me rastin e Bosnjës – një paqe e ngrirë, pa perspektivë reale,” përfundoi ai.

Vesel Makolli: Kosova rrezikon shtetësinë nëse dialogu ngec pa institucione legjitime

Image
Veseli Makolli

Analisti politik, Vesel Makolli, ka theksuar se për ta finalizuar shtetësinë e saj dhe për t’u bërë anëtare e organizatave ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, Kosova duhet të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.

“Është e ditur botërisht se kushti kryesor për Kosovën është një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë. Takimet në Bruksel dhe Ohër ishin vetëm hyrje për këtë proces, ku të dyja palët morën obligime konkrete,” tha Makolli.

Sipas tij, Serbia nuk ka asnjë plan për njohjen e Kosovës.

“Beogradit i konvenon zvarritja e arritjes së marrëveshjes finale, sepse nuk e ka në horizont njohjen e shtetësisë së Kosovës,” u shpreh analisti.

Ai i kritikoi edhe aktorët politikë në Kosovë, duke thënë se si pushteti ashtu edhe opozita kanë frikë nga marrja e përgjegjësive.

 “Pozita dhe opozita kanë shmangur obligimet që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare. Ata e dinë se vendimet janë të vështira dhe bien ndesh me premtimet populiste që i kanë dhënë gjatë fushatës,” theksoi Makolli.

Sa i përket situatës aktuale, ai e konsideron atë alarmante.

“Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova është pa institucione legjitime. Jemi në një bllokadë të plotë institucionale, çka e bën të pamundur vazhdimin e dialogut pa u konstituar Kuvendi dhe Qeveria,” tha Makolli.

Analisti kujtoi se politika është “arti i së mundshmes” dhe se Kosova nuk duhet të shmangë obligimet ndërkombëtare.

“Ne kemi eskivuar realizimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit për konsum të brendshëm politik. Ky pozicion i tanishëm do t’i sjellë Kosovës dëme të pariparuara dhe rrezikim të shtetësisë sonë,” paralajmëroi ai.

Sipas Makollit, dalja nga ngërçi kërkon veprim të shpejtë.

“Institucionet legjitime duhet të reagojnë urgjentisht. Presidenca dhe Gjykata Kushtetuese duhet të sjellin një vendim në përputhje me Kushtetutën për dalje nga kriza. Edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme janë më të favorshme sesa situata aktuale, pa institucione legjitime,” përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat