Kushtetuesja ndaloi formimin e qeverisë deri më 30 shtator: Masa ligjore apo bllokadë politike?

Politika

Kushtetuesja ndaloi formimin e qeverisë deri më 30 shtator: Masa ligjore apo bllokadë politike?

Arife Morina- Mulaku Nga Arife Morina- Mulaku Më 7 shtator 2025 Në ora: 10:09
Ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës njëzëri ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Kjo masë - që do të jetë në fuqi nga 5 deri më 30 shtator - u kritikua nga fituesja e zgjedhjeve, Lëvija Vetëvendosje, e cila ka bërë thirrje të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re.

Gjykata e vendosi këtë masë në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.

Kushtetuesja tha se e pranoi kërkesën për masë të përkohshme, sepse ajo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.

Mirëpo, kjo si duket e ka zgjatur edhe më tej krizën në Kuvend, derisa pezullimi deri më 30 shtator duket të jetë një periudhë jo shumë e shkurtë.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e kritikoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të “njëanshëm”.

“Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë duke marrë këtë vendim sot. Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit siç është Kuvendi”, shkroi LVV në një reagim në Facebook.

Ajo tha se në tekstin prej 15 faqesh të Kushtetueses për arsyetimin e masës “është paraqitur disa herë vlerësimi i ankuesve se atyre u takon ekskluziviteti i propozimit dhe zgjedhjes së nënkryetarit”.

“Kjo nuk është thënë as në Kushtetutë, kjo nuk është as fryma e organizimit të shtetit të Kosovës. Çdo interpretim e aktgjykim që do të shkonte në këtë drejtim do të ngurtësonte të drejtën e vetos në konstituimin e Kuvendit nga Lista Serbe”, tha ajo.

LVV shtoi se Lista Serbe dhe asnjë parti që ka vende të rezervuara në Kuvend “nuk duhet dhe nuk e ka të drejtën e vetos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës”.

Mirëpo, a është kjo krizë e re dhe si do ndikojë vendimi i Kushtetueses në formim të qeverisë së re, folën njohësit e drejtësisë.

Hamza: Masat e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese dhe ndikimi i tyre në proceset demokratike

Së pari, në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli avokati Zahir Hamza.

Sipas tij, tha se vendimi për ndalimin e procedurës së formimit të qeverisë është një instrument juridik i paraparë me Kushtetutë dhe ligj.

Image
Zahir Hamza

“Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, për vendosjen e masës së përkohshme që ndalon ndërmarrjen e veprimeve nga deputetët dhe ndalon procedurat për formimin e Qeverisë së re, ka ngjallur interes të madh publik dhe juridik. Ky vendim, i marrë njëzëri nga trupi gjykues, paraqet një moment delikat në funksionimin e institucioneve demokratike dhe balancimin e pushteteve.

Masa e përkohshme është një instrument juridik i paraparë me Kushtetutë dhe ligj, që synon parandalimin e dëmeve të pariparueshme deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Në këtë rast, qëllimi është të sigurohet që proceset politike të mos krijojnë pasoja të pakthyeshme para se Gjykata të shqyrtojë lëndën në themel. Kjo masë nuk paraqet akt përfundimtar, por një ndërhyrje të përkohshme që ruan status quo-në institucionale”, nënvizoi ai.

Hamza ritheksoi faktin se ky nuk është vendim përfundimtar, por vetëm masë e përkohshmë.

Për këtë, ai tha se duhet të respektohen vendimet e Kushtetetueses.

“Nga aspekti juridik, vendimi pasqyron rolin e Gjykatës Kushtetuese si garantues i zbatimit të Kushtetutës dhe mbrojtës i rendit kushtetues. Nga aspekti politik, ai mund të krijojë vonesa në funksionimin e institucioneve, por njëkohësisht shmang veprime të cilat, në rast se më vonë shpallen të kundërligjshme, do të kishin pasoja të mëdha për rendin kushtetues.

Është e rëndësishme që qytetarët dhe subjektet politike ta kuptojnë se masa e përkohshme nuk është vendim përfundimtar mbi legjitimitetin e procesit, por një hap procedural për të garantuar se vendimi final do të merret pa presionin e fakteve të kryera.

Si përfundim, respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është obligim për të gjitha institucionet dhe aktorët politikë, pavarësisht vlerësimeve të ndryshme politike. Sundimi i matet pikërisht në këto momente, kur proceset politike vihen përkohësisht në pritje për hir të garantimit të rendit kushtetues”, shpjegoi avokati.

Në vazhdim, ai foli për këto masa të përkohshme të Gjykatës Kushtetuese dhe ndikimin e tyre në formimin e Qeverisë.

Sipas tij, vendimi i fundit ehdhe mund të shihet si pengesë për ecurinë normale institucionale, por është mekanizëm për të garantuar sundimin e ligjit.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur, me një vendim unanim, masën e përkohshme përmes së cilës ndalon deputetët të ndërmarrin veprime që lidhen me formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Kjo masë do të mbetet në fuqi nga data 5 shtator deri më 30 shtator dhe është vendosur ex officio, pas kërkesës së paraqitur nga deputetët e Listës Serbe.

Vendosja e masës së përkohshme është një instrument i njohur juridik, i paraparë në Kushtetutë dhe në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, që ka për qëllim ruajtjen e rendit kushtetues dhe parandalimin e dëmeve të pariparueshme deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Ky akt nuk paraqet qëndrim përfundimtar mbi çështjen, por synon të ruajë status quo-në institucionale dhe të sigurojë se procesi i formimit të institucioneve nuk zhvillohet në kundërshtim me parimet kushtetuese.

Ky vendim tregon rolin kyç të Gjykatës Kushtetuese si arbitër suprem i kushtetutshmërisë, duke ndërhyrë në kohë kur veprimet politike mund të kenë pasoja të pakthyeshme për funksionimin e shtetit. Nga njëra anë, ai mund të shihet si pengesë për ecurinë normale institucionale, por nga ana tjetër, është mekanizëm i domosdoshëm për të garantuar sundimin e ligjit dhe respektimin e procedurave demokratike”.

Krahas kësaj, avokati tha se duhet të merren parasysh disa gjëra, të respektohet vendimi, ndonëse masa është një periudhë e gjatë dhe se pezullimi i procesve politike mund të krijojë përshtypjen për ngërç të ri.

“Qytetarët dhe aktorët politikë duhet të kenë parasysh se masa e përkohshme nuk është vendim përfundimtar mbi legjitimitetin e procesit, por një hap i përkohshëm procedural, i cili do të pasojë nga një vendim themelor që pritet pas shqyrtimit të plotë të rastit.

Në këtë kontekst, respektimi i vendimit të Gjykatës nga të gjitha palët nuk është çështje zgjedhjeje, por obligim kushtetues dhe ligjor, i cili siguron stabilitet dhe parandalon kriza të thella politike dhe institucionale.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme nga data 5 shtator deri më 30 shtator, me të cilën ndalohet ndërmarrja e veprimeve për formimin e Qeverisë së re, ka hapur diskutime të shumta në opinion. Kjo masë, e vendosur pas kërkesës së deputetëve të Listës Serbe dhe në mënyrë ex officio, ka pezulluar proceset politike për afro një muaj, duke krijuar perceptimin e një ngërçi të ri institucional.

Nga aspekti kushtetues, masa e përkohshme nuk është vendim përfundimtar, por një mekanizëm juridik i cili përdoret për të parandaluar pasoja të pariparueshme deri në shqyrtimin e plotë të çështjes. Gjykata ka mandatin të sigurojë se asnjë veprim politik i pakthyeshëm nuk ndërmerret në kohën kur legjitimiteti i atij veprimi është vënë në pikëpyetje. Ky veprim është brenda kompetencave të saj dhe nuk nënkupton automatikisht që procesi është i bllokuar pa afat”, nënvizoi ai.

Tutje, avokati vlerëson se afati nuk është rastësor dhe se ai e ngadalëson formimin e institucioneve.

Megjithatë, masa është e përkohshme dhe nuk mund të kthehet kjo në një krizë të thellë.

“Afati deri më 30 shtator nuk është rastësor, por zakonisht lidhet me kohën që i duhet Gjykatës për të shqyrtuar rastin, për të mbledhur argumentet, për të kërkuar dokumentacion shtesë dhe për të siguruar një vendim të arsyetuar. Megjithatë, ky afat objektivisht ngadalëson formimin e institucioneve, sidomos në një kontekst politik ku stabiliteti është i brishtë.

Në kuptimin juridik, nuk mund të flasim ende për krizë të plotë institucionale, sepse masa është e përkohshme dhe ka një afat të caktuar. Por, nëse vendimi përfundimtar vonohet ose zgjat më tej status quo-në, atëherë pasojat politike dhe institucionale mund të kthehen në një krizë të thellë, me ndikim në funksionimin normal të shtetit”.

Ndër të tjera, avokati kërkoi që, vendimi i G Kushtetuese nuk duhet shihet vetëm si pengesë, por edhe si test i pjekurisë politike.

“Fakti që kërkesa ka ardhur nga deputetët e Listës Serbe është një element politik i pamohueshëm. Kjo tregon se një subjekt politik po shfrytëzon mekanizmat kushtetues për të ndikuar në proceset e brendshme politike të vendit. Por, përgjegjësia për respektimin e procedurës dhe vendimit nuk bie vetëm mbi atë subjekt, por mbi të gjitha institucionet dhe aktorët politikë që kanë detyrimin të respektojnë sundimin e ligjit dhe hierarkinë kushtetuese.

Përfundimisht, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk duhet parë vetëm si pengesë, por si test i pjekurisë politike dhe institucionale të Kosovës. Qytetarët duhet të kuptojnë se ky është një proces ligjor, jo arbitrar politik, ndërsa klasa politike duhet të punojë për të shmangur çdo interpretim të kësaj mase si instrument për bllokim afatgjatë”, përfundoi Zahir Hamza për “Bota sot”.

Curri: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është pasojë e mungesës së vullnetit politik

Kurse, avokati tjetër, Agron Curri vlerëson se ky vendim i Kushtetueses erdhi si pasojë e mungesës së vullnetit politik për të formuar institucionet.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është pasojë e mungesës së vullnetit politik për të formuar institucionet. Kur ky vullnet mungon, krijohen insinuata dhe probleme të natyrës kushtetuese, që detyrojnë Gjykatën të ndërhyjë”, tha ai për “Bota sot”.

Image
Agron Curri

Krahas kësaj, avokati paralajmëroi se vendim mund të hyjë në një krizë të re politike, e që përgjegjës janë të gjitha subjeketet politike.

“Nuk është problem vetëm Lista Serbe, por të gjithë ata që janë të zgjedhur e që nuk po e marrin përgjegjësinë për të garantuar funksionimin e shtetit. Në këtë mënyrë, vendi rrezikon të mbetet për një periudhë më të gjatë pa qeveri të re, duke hyrë në një krizë të re politike, që nuk është produkt i kërkesave të një partie, por i mungesës së përgjegjësisë politike në tërësi”, përmbylli Agron Curri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat