Kriza kushtetuese/ Presidentja ‘vëzhgon’ - A është kjo një strategji politike e Osmanit?

Politika

Kriza kushtetuese/ Presidentja ‘vëzhgon’ - A është kjo një strategji politike e Osmanit?

Arife Morina - Mulaku Nga Arife Morina - Mulaku Më 8 shtator 2025 Në ora: 14:00
Vjosa Osmani

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, vendi po përballet me një krizë të thellë institucionale që ka vënë në pikëpyetje funksionimin normal të institucioneve demokratike.

Në vend që procesi i formimit të institucioneve të reja të rrjedhë në përputhje me kushtetutën dhe vullnetin qytetar, zhvillimet politike kanë hyrë në një spirale bllokimi dhe tensioni institucional.

Edhe pse u zgjodh kryetari i ri i Kuvendit, një hap i rëndësishëm në drejtim të krijimit të qeverisë, Gjykata Kushtetuese ndërhyri duke marrë një vendim për pezullimin e formimit të qeverisë së re – një akt që ka thelluar paqartësinë dhe krizën aktuale.

Ndonëse ka pasur reagime të shumta nga subjektet politike, shoqëria civile dhe përfaqësues ndërkombëtarë, një mungesë e ndjeshme ka qenë prezente në gjithë këtë situatë: zëri i presidentes Vjosa Osmani.

Si figura më e lartë shtetërore dhe garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve, pritjet për një prononcim të qartë nga ana e saj kanë qenë të mëdha, por ajo ka qëndruar në heshtje përballë këtyre zhvillimeve kritike.

Mirëpo, pas kësaj heshtjeje erdhi një reagim nga Presidenca, lidhur me këtë situatë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i dërgojë të martën gjykatës më të lartë të vendit komentet e saj për çështjen e konstituimit të Kuvendit, këtë e konfirmoi sot këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.

Kupina nuk dha hollësi lidhur me përmbajtjen e komenteve që presidentja do t'ia dërgojë nesër Gjykatës Kushtetuese.

Por, ai shtoi se “qëndrimi i presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet të ketë të drejtën të bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet nenin në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për të respektuar ligjet të Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve”.

E këtë qëndrim të presidentes Osmani e komentuan njohësit e çështjeve politike.

Mehmeti: Mungesa e zërit të presidentes e bën edhe më të thellë perceptimin e bllokadës

Së pari, për këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli analisti politik, Faton Mehmeti, i cili tha se ‘heshtja’ e Osmanit ngre shumë pikëpyetje.

Ai thotë kështu duke pasur parasysh faktin se, ajo përfaqëson unitet politik, kurse në anën tjetër nuk ndërmerr asnjë vendim.

“Situata e krijuar në Kosovë me pezullimin e formimit të qeverisë tregon një krizë të thellë institucionale, ku Gjykata Kushtetuese është bërë faktor përcaktues në procesin politik. Në këtë kontekst, bie në sy mungesa e një qëndrimi të qartë nga Presidentja Vjosa Osmani. Heshtja e saj ngre shumë pikëpyetje, sepse presidentja është institucioni që përfaqëson unitetin politik e qytetar të vendit dhe pritej të kishte rol më aktiv në adresimin e krizës”.

Image
Faton Mehmeti

Krahas kësaj, Mehmeti nga këndvështrimi i tij zbërtheu arsyet se pse Osmani po “hesht” përballë situatës së krijuar politike.

Ai nuk përjashtoi edhe mundësit e kalkulimeve politike nga ana e presidentes.

“Arsyet e kësaj qasjeje mund të jenë disa. Nga njëra anë, Osmani mund të po mundohet të ruajë një neutralitet formal për të mos u akuzuar për ndërhyrje në vendimet e gjykatës apo proceset e brendshme të partive. Nga ana tjetër, nuk mund të përjashtohet as kalkulimi politik: duke qenë se mandati i saj përfundon në prill, ajo mund të ketë zgjedhur të mos ekspozohet në këtë moment delikat, për të mos rrezikuar kapitalin e vet politik para vendimeve që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në imazhin e saj. Megjithatë, heshtja nuk është gjithmonë zgjidhje”, theksoi ai.

Ndër të tjera, analisti vlerëson se mosreagimi i saj e thellon më shumë bllokadën dhe krizën institucionale.

“Në kohë krizash, qytetarët presin nga presidentja një fjalë, një orientim, qoftë edhe një apel për stabilitet institucional e politik. Mungesa e zërit të saj e bën edhe më të thellë perceptimin e bllokadës, duke krijuar idenë se kriza po menaxhohet pa një autoritet unifikues në skenë”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Haziri: Presidentja Osmani thuajse ka qene pasive në gjithë këtë periudhë

Kurse, analisti tjetër, Nexhat Haziri foli mbi pezullimin e formimit të qeverisë dhe qasjen e presidentes Osmani.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” vlerësoi se Osmani ka qenë pasive në skenën politike në Kosovë, pa dhënë ndonjë qëndrim për krizën e krijuar.

Sipas tij, këtë e ka bërë për interesa të saj dhe që lidhen me ambiciet për të marrë edhe një mandat tjetër si president e vendit.

“Tani kemi një vendim të ri të Gjykatës Kushtetuese e cila e ka pezulluar çdo veprim të Kuvendit të Kosovës, pas ankesës së Listës Serbe mbi çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të pestë që duhet të jetë nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar së ka shkelje të kushtetushmërisë në këtë proces.

Duke parë këtë realitet dhe procesin jokushtetues që e ka përciellur konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, presidentja Osmani thuajse ka qene pasive në gjithë këtë periudhë, e sidomos tani kur shihet qartë se po kalkulon për interest e vet që lidhën me ambicien e saj për të marrë edhe një mandat si e para e shtetit. Andaj ka zgjedhur të hesht, pasi në njërën anë nuk dëshiron që tani kur po shkon drejtë fundit të mandatit të “armiqësohet” me z. Kurti, por edhe të dal me një deklaratë që do të ishte në vijë me Kurtin, do t’mund të i lëkundte raportet e saja me partnerët ndërkombëtar, ku këta të fundit po e shohin qartë se z. Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje si subjekti më i madh parlamentar, janë ata që kanë përgjegjësinë më të madhe në këtë situatë të ngërçit politik e institucional në vendin tonë”, shpjegoi ai.

Image
Nexhat Haziri

Gjithashtu, analisti potencoi se presidentja Osmani, krahas kësaj, po e pret edhe vendimin e Kushtetueses, e që shpreson të jetë i njëjtë me të kaluarit, pa dhënë ndonjë verdikt final.

“Andaj presidentes Osmani po i lëvërdisë heshtja dhe mos marrja e pozicionit në raport me krizën politike, dhe sigurisht po e pret vendimin Gjykatës Kushtetuese që të jetë në linjë me qëndrimet edhe të partnerëve ndërkombëtar, duke e përsëritur refrenin e njëjtë se institucionet të konstitohen në bazë të kushtetutshmërisë, por pa adresuar asnjëherë problemin se kush e ka shkaktuar këtë krizë dhe patentuar që t’i ofroj palët drejtë një konsensuesi politik për t’i dhënë fund kësaj krize politike e institucionale”, përmbylli Nexhat Haziri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat