Abdixhiku paralajmëron protesta, Tali: Respektimi i Kushtetutës po shndërrohet në lojë politike

Politika

Abdixhiku paralajmëron protesta, Tali: Respektimi i Kushtetutës po shndërrohet në lojë politike

Nga: A.SH Më: 11 shtator 2025 Në ora: 16:00
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij do të dalë në protesta dhe do të largohet nga rruga institucionale nëse nuk respektohet Kushtetuta e vendit.

Ai theksoi se vendimi për të braktisur institucionet do të merret në momentin kur LDK të vlerësojë se është i domosdoshëm, duke paralajmëruar daljen në rrugë si formë presioni politik.

Analisti politik, Driton Tali në nën prononcim për “Bota sot”, thotë se "respektimi" i Kushtetutës po ndryshon sipas situatës – nga interpretimet e vitit 2015 deri te idetë për ta kthyer Kosovën nga demokraci parlamentare në konsociacionale.

Derisa, sa i përket LDK-së, ai thotë se dalja në protesta është e drejtë demokratike përderisa motivi është legjitim.

"Respektimi" i Kushtetutës ka evoluar sidomos këtë vitin e fundit. Kushtetuta nga "fituesi i merr të gjitha, përndryshe shkohet ne zgjedhje të reja" siç e interpretonin Enver Hasani me kolegët e tij nga PDK  me 2015, qoftë edhe me "definicionin e Grupit Parlamentar" në diçka që tashti gati çdo muaj sjellin nga një "interpretim të ri" varësisht se si zhvillohet situata. Bile edhe duan ta shndrrojnë Kosovën nga një "demokraci parlamentare" në "demokraci konsociacionale" (apo konsocionale) për t'i ngop inatet dhe apetitet e tyre për pushtet.

Image
Analisti politik, Driton Tali

Sidoqoftë, sa i përket ndryshimit të strategjjsë së LDK-së, siç ka deklaruar lideri i saj, z Abdixhiku, dalja në protesta për mua ajo është plotësisht në të drejtën e LDK-së. Protestat janë demokratike dhe nuk kam asgjë kundër derisa motivi i tyre të jetë legjitim”, thotë Tali.

Tali thotë se nuk pajtohet me idenë e Abdixhikut për “qeveri gjithëpërfshirëse”, sepse bie ndesh me parimin e zgjedhjeve të lira – themelin e demokracisë.

Sipas Talit, një qeveri e unitetit do të kishte kuptim vetëm në kohë lufte, por Kosova sot përballet me krizë politike, jo me luftë.

“Megjithatë, në çka unë nuk pajtohem me z Abdixhiku është lidhur me idenë e tij për "qeverinë gjithëpërfshirëse" apo disa që po i referohen me "qeverinë e unitetit" sepse kjo është në kundërshtim  me konceptin e zgjedhjeve të lira që janë "zemra e demokracisë". Sepse vetvetiu shtrohet pyetja: pse atëherë po i mbajmë zgjedhjet?! Le të merren vesh mes veti shefat e partive të mëdha dhe të na kursejnë nga mundi dhe shpenzimet (besa edhe rrenat) që i bëjnë partitë gjatë procesit zgjedhor.

Mbase një qeveri e tillë (e unitetit) do të jepte kuptim në rast lufte por Kosova akoma nuk është atë gjendje. Dakord, është në një krizë politike, sfidë e cila besoj se e ka pasuruar eksperiencën tonë si shoqëri, por nuk jemi në luftë, dhe dhashtë Zoti mos të jemi asnjëherë më”, potencon ai.

Në fund, thekson se partitë e kanë vështirësuar bashkëpunimin me akuzat e ndërsjella, prandaj zgjidhja është një ristartim përmes zgjedhjeve të parakohshme, duke shtuar se çdo shtyrje vetëm dëmton shoqërinë dhe e kthen skenën politike nga monotone në irrituese e të padurueshme.

“Sidoqoftë, e kam parasysh se partitë e kanë sjell veten në këtë derexhe ku shumëçka pa nevojë kanë deklaruar për njëra-tjetrën për çka e kanë vështirë të bëjnë koalicion dhe bashkëpunojnë, andaj (po e përsëriti veten për të satën herë) duhet një ristartim - freskim - e që zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja.

Sepse asnjëra palë, as LVV si fituese e zgjedhjeve, e as ish opozita, shihet qartë se nuk i kanë votat për ta krijuar Qeverinë. Për mendimin tim, asnjëra palë nuk duhet ta krijojë Qeverinë me votat e Listës Serbe sepse pastaj do të jenë peng i saj, dhe një Zot e di se çfarë kompromise do të bëjnë si rezultat i shantazheve. Listën Serbe mund ta kenë pjesë të Qeverisë (edhe pse unë preferoj që z Rashiç ta përfaqësojë komunitetin serb) por jo të varur nga numrat e Listës Serbe.

Çdo prolongim i zgjedhjeve të parakohshme vetëm se çka e dëmtojnë tërë shoqërinë, jo vetëm partitë kuvendore dhe skenën politike në përgjithësi sepse me këto veprime jo që janë bërë monoton por tashmë kanë kaluar edhe në irritim. Janë bërë të padurueshëm me këto sihariqe dhe këtë oratori”, përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat