“Protesta e PDK-së para Gjykatës Speciale është veprim politik dhe propagandues”

Politika

“Protesta e PDK-së para Gjykatës Speciale është veprim politik dhe propagandues”

Nga: A.SH Më: 15 shtator 2025 Në ora: 10:01
Protesta e organizuar nga veteranët e luftës së UÇK-së në Prishtinë më 7 gusht 2025, ku u kërkua drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

Në Hagë u mbajt protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po përballen me gjykimin në Dhomat e Specializuara.

Pjesëmarrësit shprehën pakënaqësi mbi zhvillimin e procesit, ndërsa paradoksi ishte pjesëmarrja e deputetëve të PDK-së, të cilët më parë votuan themelimin e Gjykatës.

Ky veprim kontradiktor dërgon mesazh se ata mbështesin institucionin, por njëkohësisht e sfidojnë atë, duke rrezikuar drejtësinë.

Anëtari i “Guxo”, Kujtim Hajdaj, ka thënë se protesta para Gjykatës Speciale në Hagë shihet si një veprim politik i PDK-së, i lidhur me interesat e brendshme dhe zgjedhjet lokale, duke krijuar terren propagandues për të prezantuar lirimin e të akuzuarve si mundësi për dobësimin e Kurtit.

Ai nënvizon se ky veprim bie ndesh me faktin se PDK dhe Thaçi vetë e inicuan themelimin e Gjykatës, duke llogaritur gabimisht se do ta mund të manipulonin si gjykatat vendore.

Image
Anëtari i “Guxo”, Kujtim Hajdaj

“Mendimi im në raport më këtë çështje që i përket Gjykatës Speciale në Hagë dhe gjykimit ndaj përfaqësuesve të UÇK, është moment i zgjedhur me kujdes nga PDK, që ka të bëjë më çështjet politike në Kosovë dhe zgjedhjet lokale. Pra, për ta ky moment është ideal që çështjen e të akuzuarve në Hagë ta ndërlidhin me ngritjen e PDK-së, dhe mos të harrojmë se PDK dhe mediume të varura nga kjo, janë duke e krijuar një terren prapagandues politik se lirimi i Thaqit dhe të akuzuarve tjerë është mundësia e vetme për PDK për të përmbysur Albin Kurtin nga pushteti. Kjo sa i përketë synimeve të mbrendshme politike të PDK-së. 

Çështja tjetër që ka të bëjë me organizimin e kësaj proteste përpara Gjykatës Speciale në Hagë, është në kundërshtim të plotë me atë se janë vet Thaqi dhe PDK që e kanë inicuar themelimin e kësaj Gjykate. Por,  tani po del se këta i kanë bërë gabimisht llogaritë e tyre politike duke menduar se Gjykata Speciale e Hagës do të kishte një karakter të thjeshtë sikur gjykatat tona në Kosovë me të cilat ata lehtë mund të manipulonin”, thotë ai.

Tutje, ai thotë se protesta para Gjykatës Speciale, pa lejen e policisë së Hagës, mund t’i dëmtojë më shumë të akuzuarit sesa t’i ndihmojë, pasi Gjykata nuk është e ndikuar lehtë nga grupe politike.

Sipas tij, ajo trajton edhe vrasjet politike pas luftës që gjykatat vendore nuk i kanë hetuar, ndërsa partitë politike, veçmas PDK dhe aleatët e saj, kanë penguar drejtësinë vendore, duke shtuar se Gjykata Speciale vlerëson kërkesën e madhe të popullit për drejtësi ndaj këtyre krimeve.

“Dhe mendoj se kjo protestë e organizuar (pa lejen e policisë së Hagës) do t'i dëmtojë më shumë se sa t'i ndihmojë të akuzuarit në fjalë. Sa unë i përcjell më për së afërmi -  nga Belgjika - këto çështje politike, nuk është se këto Gjykata të ngritura Speciale mund të ndikohen aq lehtë nga këso grupe politike, qoftë ato të Kosovës apo të vendeve tjera. Këtu bëhet fjalë për një drejtësi që është e nderlidhur edhe me vrasje tjera (të shumta) politike që kanë ndodhur pas lufte në Kosovë, dhe që asnjë e vetme nuk ka mund të ndriçohet nga drejtësia e jonë.

Kjo, ngase drejtësia dhe gjykatat tona janë të ndikuara nga partitë politike e veçmas nga politika e kaluar e PDK-së, ku gjithandej i kanë vendosur njerëzit e vet për të penguar çfarëdo procesi gjyqësor që do të shenjtonte komanduesit e vrasjeve të shumta që kanë ndodhur në Kosovë. Në fund, mendoj se PDK dhe aleatët e saj LDK, AAK dhe NISMA vet e kanë krijuar një 'sui generis' të këtillë që duke inicuar themelimin e kësaj Gjykate Speciale, e që sot vet po e kundërshtojnë si të tillë. Sigurisht, edhe Gjykata Speciale i mat parametrat e saj..,  që e kanë sjell atë në konkluzion se një pjesë e madhe e popullit në Kosovë po kërkojnë drejtësi në raport me vrasjet e shumta politike që kanë ndodhur pas lufte në Kosovë” – përfundon ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat