Muçiqi: Fushata zgjedhore ka nisur me tensione dhe përçarje
Më 13 shtator ka nisur zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 12 tetor në të gjitha 38 komunat e Kosovës.
Në garë marrin pjesë 93 subjekte zgjedhore – përfshirë parti politike, iniciativa qytetare, koalicione dhe kandidatë të pavarur.
Analisti politik Ismail Muçiqi, në një prononcim për “Bota Sot”, e ka vlerësuar këtë fillim të fushatës si vazhdim të krizës institucionale që ka pasuar zgjedhjet e 9 shkurtit.
Sipas Muçiqit, partitë politike po përkeqësojnë klimën me bllokada dhe retorikë agresive.
“Fushata zgjedhore ka filluar me tensione, polarizime, përçarje dhe të papritura të shumta. Kjo gjendje është pasojë e situatës së krijuar që nga zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit të këtij viti, ku ende nuk është konstituuar Parlamenti i Kosovës dhe institucionet e tjera. Bllokadat e partive politike vetëm sa e kanë thelluar përçarjen në opinion publik dhe kanë nxitur përdorimin e një gjuhe të ashpër dhe negative në komunikimin e liderëve dhe shtabeve partiake”, ka thënë ai.
Sipas tij, nuk është aspak garë për programe të reja, por një vazhdimësi e lodhshme e retorikës së vjetër dhe e përplasjes për pushtet.
“Kjo fushatë, më shumë se sa një garë për ide dhe programe, po duket si vazhdim i retorikës së partive të konsumuar ndër vite, të cilat nuk ofrojnë ndonjë program bindës apo vizion për ndryshimin e gjendjes politike. Lufta politike po zhvillohet kryesisht për pushtet, e jo për ndërtimin e shtetit apo përmirësimin e jetës së qytetarëve, ngritjen e standardeve dhe mirëqenies ekonomike”, ka deklaruar ai.
Në fund, ai ka paralajmëruar për rrezikun që sjell gjuha e urrejtjes.
“Që në fillim të fushatës vërehet rritja e tensioneve përmes akuzave dhe kundërakuzave, kërcënimeve e gjuhës së urrejtjes, të cilat paraqesin rrezik serioz për marrëdhëniet ndërnjerëzore në shoqërinë e Kosovës”, përfundoi Muçiqi.