Radoiçiç në tubime politike/ Alarmon eksperti i sigurisë: Kjo është prova e një modeli të rrezikshëm...

Politika

Radoiçiç në tubime politike/ Alarmon eksperti i sigurisë: Kjo është prova e një modeli të rrezikshëm...

Më: 16 shtator 2025 Në ora: 22:31
Foto ilustrim

Avokati serb, Çedomir Stojkoviq ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq se për herë të dytë ka angazhuar Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij për të siguruar tubimet politike dhe rezidencën presidenciale.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një prononcim për “Bota sot”, ka paralajmëruar se angazhimi i Milan Radoiçiqit nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç për të siguruar tubime politike dhe rezidencën presidenciale tregon funksionimin e krimit të organizuar si një “shtet paralel” në shërbim të pushtetit në Beograd.

Shala thekson se këto banda hibride paraqesin rrezik për Kosovën, duke mundësuar provokime, sulme ndaj institucioneve dhe incidente të stilit të Banjskës, ndërsa heshtja e Perëndimit rrit kërcënimin.

“Deklarata e avokatit serb Çedomir Stojkoviq, se presidenti Aleksandër Vuçiç ka angazhuar sërish Milan Radoiçiqin dhe grupin e tij për të siguruar tubimet politike dhe madje edhe rezidencën presidenciale, nuk është thjesht një skandal politik.

Kjo është prova e një modeli të rrezikshëm: krimi i organizuar po funksionon si shtet paralel në shërbim të pushtetit në Beograd.

Pavarësisht rolit të Radoiçiqit në aktin terrorist të Banjskës, ku u vra një polic i Kosovës, Perëndimi vazhdon të "heshtë"në mese luftës diplomatike. Kjo heshtje është e rrezikshme, sepse krijon hapësirë që bandat kriminale të përdoren si instrumente politike dhe ushtarake të Serbisë kundër Kosovës.

Kosova nuk mund ta neglizhojë këtë realitet. Banda të tipit Radoiçiq janë armë hibride, të gatshme për të kryer:

a. Provokime të dhunshme,

b. Sulme të organizuara ndaj policisë dhe institucioneve,

c. Incidente të mundëshme të stilit të Banjskës për të testuar kufijtë e KFOR-it dhe BE-së

Pra është e qartë se Vuçiç nuk po distancohet nga Radoiçiq, por po e rikthen si mburojë të tij politike dhe instrument presioni ndaj Kosovës. Ky është një sinjal alarmi që kërkon përgjigje të koordinuar nga institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh Shala për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat