Shaip Kamberi, përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, njoftoi të mërkurën se i ka dorëzuar një kërkesë kryetares së Kuvendit, Ana Bërnabiq, për themelimin e një komisioni të posaçëm parlamentar që do të hetojë vdekjet e ushtarëve shqiptarë në ushtrinë jugosllave (APJ) gjatë viteve 1980.
Kjo kërkesë vjen në një kohë kur Serbia po shqyrton rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, gjë që ka shkaktuar shqetësim në Luginën e Preshevës.
Kamberi thekson se, për shkak të së kaluarës, thirrja e të rinjve shqiptarë për të kryer shërbimin ushtarak ngjall frikë dhe pasiguri.
Në kërkesën e tij, Kamberi argumenton se e kaluara dhe pasojat e saj ende ndikojnë në vetëdijen kolektive të shqiptarëve, duke përmendur përvojat e dhimbshme dhe trajtimin diskriminues të të rinjve shqiptarë në radhët e APJ-së.
Në një njoftim në Facebook, Kamberi bëri të ditur se ka kërkuar zbardhjen e rrethanave të vdekjes së 135 ushtarëve shqiptarë, të cilët humbën jetën gjatë shërbimit ushtarak në APJ gjatë viteve ’80. Ai theksoi se shumë nga këto raste ishin regjistruar si “vetëvrasje”, “aksidente” apo “shkelje disiplinore”, por familjet e viktimave i kanë konsideruar të dyshimta, duke raportuar shpesh edhe shenja dhune mbi trupat e kthyer.
Sipas Kamberit, mungesa e hetimeve të pavarura dhe transparencës për këto raste ka rritur bindjen se bëhet fjalë për vrasje me motive etnike dhe politike, në një kohë kur shqiptarët në ushtri përballeshin me diskriminim, stigmatizim dhe armiqësi të hapur.
“Ky fenomen ka mbetur i heshtur dhe i padokumentuar në diskursin publik në Serbi,” shtoi ai, “duke reflektuar një mungesë serioze të përballjes me të kaluarën dhe një diskriminim institucional ndaj shqiptarëve.”
Në përfundim, Kamberi propozoi që, nëse komisioni miratohet, të përfshihen edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të komunitetit shqiptar, për të siguruar një proces sa më gjithëpërfshirës dhe të besueshëm.
Për pozitën e shqiptarëve në Luginë, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur edhe analisti shqiptar atje, Kujtim Sadriu, i cili konsideron se ata janë të anashkaluar.
Sipas Sadriut, në pikën kufitare që ndan Preshevën me Kumanovën nuk ka asnjë shqiptar dhe policia është në çdo cep të qytetit.
“Pozita e shqiptarëve është më e keqe se kurrë më parë. Lugina ka nivelin më të ulët të punësimit në Serbi dhe është totalisht e anashkaluar nga organet shtetërore republikane. Paramendojeni: në pikën kufitare që ndan Preshevën me Kumanovën, nuk ka asnjë shqiptar – të gjithë punonjësit janë nga Vranja. Policia është në çdo cep të qytetit. Në pikën e pagesës në autostradë janë vetëm 4 shqiptarë. Politikisht nuk njihen diplomat me qëllim që shqiptarët të mos kenë mundësi të punësohen. Ndërsa për interesa ekonomike, Serbia pranon letërnjoftimet biometrike të Kosovës, edhe pse mbi to shkruan “Republika e Kosovës”. Pra, me të gjitha mekanizmat jemi të shtypur në heshtje, para syve të Evropës”, shprehet Sadriu.
Në krahasim me vitet e kaluara, të drejtat e shqiptarëve nuk kanë pasur përparim, thotë Sadriu, gjersa shton se shteti nuk punëson shqiptarë në prokurori dhe doganë.
Ai thotë se edhe policia do të mbetet pa shqiptarë dhe se të rinj nuk shfaqin interes për të konkurruar.
“Përkundrazi, është edhe më keq. Në gjyqësi shteti nuk punëson shqiptarë, në prokurori dhe doganë po ashtu nuk ka shqiptarë. Në polici edhe këta që janë, pas 8 vitesh do të shkojnë në pension dhe nuk do të ketë më shqiptarë. Të rinjtë nuk po shfaqin interes për të konkurruar, pasi ekziston një luftë psikologjike dhe propagandistike që zhvillohet edhe nga disa “analistë” në mediumet e Kosovës e që ka dyshime që janë të financuar nga caqe të caktuara, të cilët mbjellin frikë pa mëshirë te të rinjtë shqiptarë, duke i shpallur “tradhtarë” nëse konkurrojnë në këto organe. Pra, gjendja është alarmante”, përfundon analisti.