Putin teston durimin e NATO-s, profesori ‘zbardh prapaskenat’ dhe jep alarm për Kosovën: Ja çka tenton të bëjë Putin

Politika

Putin teston durimin e NATO-s, profesori ‘zbardh prapaskenat’ dhe jep alarm për Kosovën: Ja çka tenton të bëjë Putin

Nga: N.E Më: 20 shtator 2025 Në ora: 12:41
Vladimir Putin

Rusia nuk është duke u ndalë me “incidente” në hapësira ajrore të vendeve përreth.

Të premten, hapësira ajore e Estonisë është shkelur nga avionë ushtarakë rusë.

Sipas qeverisë estoneze, se tre avionë luftarakë rusë të tipit Mig-31 kanë hyrë në hapësirën ajrore të Estonisë pa leje dhe kanë qëndruar aty për gjithsej 12 minuta.

Ministri i jashtëm i vendit e cilësoi incidentin si “jashtëzakonisht brutal”, ndërsa qeveria i dorëzoi një notë proteste diplomatit më të lartë rus në Estoni, raportoi transmetuesi publik ERR.

Gazeta Postimees shkroi se avionët nuk kishin paraqitur plane fluturimi dhe e kishin fikur radion gjatë kohës së incidentit. Ohtuleht raportoi se shkelja ndodhi pranë ishullit Vaindloo dhe se ishte hera e katërt që hapësira ajrore estoneze shkelet gjatë këtij viti.

Ky është rasti i tretë brenda një kohe të shkurtër që Rusia shkel hapësirën ajrore të NATO-s, pas incidenteve me dronë rusë në Poloni dhe Rumani.

Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, e konsideron si provokim të kreut rus, shkeljen e hapësirës ajrore.

Sipas tij, Putin teston durimin e Aleancës Atlantike si të presidentit Trump dhe SHBA-ve si lidershqip i kësaj aleance.

“Prej disa ditësh, sidomos pas samitit në Alaska dhe atij në Kinë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po provokon herë pas here kontinentin evropian. Fillimisht për herë të parë që nga fillimi i luftës goditi disa përfaqësi diplomatike evropiane në Kiev. Më pas lëshoi dronë në hapësirën ajrore të Polonisë, Moldavisë dhe Rumanisë. Ndërsa para dy ditësh fluturuan në hapësirën ajrore të Estonisë dy aeroplanë luftarakë të Rusisë për 15 minuta, siç u njoftua në lajme.

Për momentin shkeljen e hapësirës ajrore të vendeve anëtare të NATO-s e shoh si provokim të kreut rus të shtetit. Ai teston jo vetëm aftësinë reaguese të NATO-s dhe vendeve të cilat i sulmon. Ai teston edhe durimin e Aleancës Atlantike si dhe të presidentit Trump dhe SHBA-ve si lidership i kësaj aleance. Kërcënimet e Moskës janë bërë tashmë të zakonshme. Kremlini ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur edhe me përdorimin e armëve bërthamore. Ndërkohë që shpesh herë vendosmërinë e vendeve evropiane dhe të NATO-s për të ndihmuar Ukrainën ose për ta furnizuar atë me armë e ka vlerësuar si arsye për reagim ndaj vendeve të angazhuara në krah të Ukrainës”, deklaron Bytyçi.

Image
Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi

Sipas tij, për momentin objektivi i Putinit është Ukraina Lindore dhe legjitimimi i Krimes, por nuk do të thotë kjo se pas disa vitesh ai nuk do të sulmojë sërish pjesën tjetër të Ukrainës.

“Por Vladimir Putin është në një fazë vendimtare të agresionit të tij kundër Ukrainës dhe vetë Europës. Ka mobilizuar rreth 150 mijë trupa ushtarake të reja për një ofensivë të re në Donbask. Kjo do të thotë se ai dëshiron ta pushtojë përfundimisht atë rajon dhe më pas të ulet për bisedime. Objektivi i tij për momentin janë Ukraina Lindore dhe legjitimimi i Krimesë. Por kjo nuk do të thotë se pas disa vitesh ai nuk do të sulmojë sërishmi pjesën tjetër të Ukrainës, me qëllim vendosjen e kufijve të rinj sa më në thellësi të Europës Lindore. Këtë taktikë presidenti rus e ka ndjekur që nga viti 2008, kur aneksoi Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut, duke i shkëputur ato prej Gjeorgjisë. Më pas, në vitin 2014 aneksoi Krimenë, e cila ishte pjesë e sovranitetit të Ukrainës. Tani dëshiron rajonet lindore të Ukrainës, me qëllim që më pas të sulmojë ndonjë vend tjetër, sërishmi Ukrainën, Moldavinë apo vendet e Baltikut”, shprehet profesori.

Ndoshta Vladimir Putin beson se një përballje me NATO-n do ta kishte mbështetjen e Kinës, thotë Bytyçi, gjersa shton se në këto kushte nuk besoj se do të ketë ndonjë aventurë ushtarake të Rusisë kundër vendeve që ajo po i provokon.

“Diversioni rus në Poloni dhe në vendet e Baltikut është presion ndaj Europës dhe NATO-s. Putin dëshiron të shfaqë forcë, për të dhënë mesazhin se “nëse ai dëshiron, mund të pushtojë edhe territore të këtyre vendeve”! Megjithatë Rusia e di se një luftë me Aleancën Atlantike për të është e humbur. Thjesht do të shkaktonte tragjedi njerëzore të pallogaritshme, por Rusia do t’i nënshtrohej një operacioni të ri për t’u ulur nga statusi i një Fuqie të Madhe dhe për t’u ndëshkuar si palë agresore dhe humbëse. Ndoshta Vladimir Putin beson se në një përballje me NATO-n do ta kishte mbështetjen ushtarake të Kinës, por së paku për momentin, nuk shoh asnjë indicie për këtë. Nëse Kina vazhdon marrëdhëniet strategjike me Moskën, kjo deri më sot nuk ka çuar në një aleancë të përbashkët mbrojtjeje. Ndërkaq Pekini ka tërhequr vëmendjen dhe ka kërkuar me ngulm që autoritetet ruse të heqin dorë nga retorika e kërcënimeve me përdorimin e armëve bërthamore. Në këto kushte nuk besoj se së paku në muajt që vijnë do të ketë ndonjë aventurë ushtarake të Rusisë kundër vendeve që ajo po i provokon, si Polonia, Rumania, Moldavia apo Estonisë, Lituanisë, Letonisë etj”, thekson Bytyçi.

Armatosja e NATO-s dhe vendeve të Bashkimit Evropian është mënyra më e mirë për ta parandaluar një konflikt me Rusinë dhe për ta detyruar ariun rus të struket në shpellën e tij, thotë profesori.

Ai përmend rrugë që do ta ndëshkonin Rusinë.

“Megjithatë në Evropë tashmë popujt, kombet dhe shtetet janë zgjuar. Buxhetet ushtarake po dyfishohen. Polonia është vendi më avangardë në këtë aspekt. Është e paimagjinueshme që Varshava të shpenzojë 15 miliard euro në vit si buxhet ushtarak. Po ashtu Gjermania. Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, po shfaq shenja solidariteti më të madh me Europën. Armatosja e NATO-s dhe vendeve të Bashkimit Europian është mënyra më e mirë për ta parandaluar një konflikt me Rusinë dhe për ta detyruar aruin rus të struket në shpellën e tij. Ky president që ka sot Rusia mund të çojë botën në katastrofë, nëse nuk kupton se humbjen në një përplasje lufte do ta kishte të sigurt.

Rruga e dytë për ta ndëshkuar dhe detyruar Rusinë të respektojë paqen është bashkëpunimi pa kushte i të gjitha vendeve pa përjashtim të Europës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse Europa vazhdon t’i përmbahet “këshillave” të Edi Ramës që “të mos i mbajë shpresat jashtë saj”, atëherë ajo do të jetë pre e lehtë për Kremlinin agresor. Një aleancë e konsoliduar në interesat e përbashkëta midis Europës dhe SHBA-ve e mund pa kushte Moskën. Këto dy alternativa shoh si mundësi të vetme për t’iu kundërpërgjigjur agresionit të Rusisë. Ndërkohë zhvillimi i tregtisë së vendeve europiane me Rusinë është benzinë në zjarrin që Putin ka ndezur pikërisht në Europë. Esht absurde dhe e turpshme që të dyfishohen shpenzimet për mbrojtje për shkak të frikës ruse dhe nga ana tjetër t’i japësh oksigjen ekonomisë së luftës të Rusisë”, deklaron profesori.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konsideruar të “shumë shqetësues” lajmin për shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia.

Kurti theksoi se Kosova qëndron në solidaritet me Estoninë gjatë kësaj situate.

“Lajmi i sotëm për shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia është shumë shqetësues. Kosova solidarizohet me Estoninë gjatë kësaj kohe”, shkroi Kurti në X.

Kurse, profesori Bytyçi thotë se Kosova ka arsye të përgatitet seriozisht për çdo provokim.

Sipas tij, kur përgatitet për më të keqen dhe më të vështirën, atëherë përballohet më lehtë.

“Ndërkohë Kosova ka arsye të përgatitet seriozisht për të përballuar çdo provokim dhe agresion kundër saj. Rusia nuk mund të vijë në Kosovë për ta pushtuar atë. Por aleati i Rusisë, Serbia, mund të shkaktojë trazira, të bëjë provokime e ndoshta të bëjë agresion të hapur, çka më duket e pamundur. Por gjithsesi nëse përgatitesh për me të keqen dhe më të vështirën, atëherë e përballon më lehtë një diverison më të lehtë”, përfundon profesori.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat