Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me përgatitjet që po bëhen në Serbi për rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Në një postim në Facebook, Kamberi ka theksuar se kjo iniciativë ka ngjallur frikë dhe pasiguri tek shqiptarët që jetojnë në Kosovën Lindore, për shkak të përvojave të hidhura historike me këtë shërbim gjatë kohës së ish-Jugosllavisë.
“Aktualisht, në Serbi, janë duke u bërë përgatitjet e fundit për futjen në funksion të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Kjo nismë ngjallë shqetësim te shqiptarët në Luginë të Preshevës për shkak të përvojave të dhimbshme historike në trajtimin diskriminues dhe tragjeditë e pësuara në të kaluarën nga të rinjtë shqiptarë që ishin në shërbim në APJ. Kujtesa kolektive e shqiptarëve është akoma e rëndë për ato pasoja tragjike”, ka thënë Kamberi.
Lidhur me këtë çështje, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci në një prononcim për “Bota sot”, ka kërkuar që Serbia të japë llogari për vdekjen e 135 ushtarëve shqiptarë të APJ-së, duke shtuar se kjo mbetet në kujtesën kolektive dhe nuk harrohet kurrë.
“Serbia së pari duhet të japë llogari për zbardhjen e rasteve të vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e APJ-së gjatë viteve 1980 deri në 1992, të cilët na vinin në arkivole hermetike. Kjo nuk harrohet kurrë dhe mbetet në kujtesën tonë.
Këto tentime dashakeqe janë rreziqe të radhës për shqiptarët me rikthimin e këtij shërbimi gjithmonë armiqësor, sipas mendimit tim, mu ndaj shqiptarëve”, ka është shprehur ai.
Më tej, Dashevci ka theksuar se identiteti kombëtar i shqiptarëve në Kosovën Lindore është i rrezikuar prej kohësh nga politikat diskriminuese të Serbisë dhe i ka cilësuar këto veprime si pjesë të lojërave të rrezikshme dhe armiqësore ndaj shqiptarëve.
“Identiteti kombëtar i shqiptarëve në Luginë, përballë politikave të Serbisë, është i rrezikuar qysh moti, me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, pasivizimin e adresave dhe tash së fundmi me detyrime pa dëshirë, duke pasur parasysh lojërat e tyre të rrezikshme dhe tejet armiqësore ndaj shqiptarëve në përgjithësi”, ka theksuar ai.
Në fund, Dashevci ka deklaurar se përpjekjet e Serbisë për asimilimin e shqiptarëve vazhdojnë dhe mund të ndalen vetëm me presion ndërkombëtar.
“Këto janë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për asimilimin e shqiptarëve, që vetëm presioni ndërkombëtar – pra SHBA, Mbretëria e Bashkuar, BE dhe partnerët strategjikë mund t’i ndalojë.
Serbia njeh vetëm presionin serioz ndërkombëtar, sepse në vazhdimësi, që nga vitet ’80, ka establishmente të kontaminuara politike atje dhe gjithmonë ka qenë kundër shqiptarëve ndër shekuj”, ka përfunduar Dashevci.