Shqiptarët në alarm: Rikthimi i ushtrisë së detyrueshme në Serbi rikthen frikën e viteve ‘80

Politika

Shqiptarët në alarm: Rikthimi i ushtrisë së detyrueshme në Serbi rikthen frikën e viteve ‘80

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 21 shtator 2025 Në ora: 10:00
Shaip Kamberi

Rifillimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi, i cili pritet të zbatohet nga 1 janari 2026, po shkakton shqetësim të madh tek komuniteti shqiptar në Kosovën Lindore.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka shprehur shqetësim për rifillimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi, duke theksuar pasojat historike për shqiptarët në Luginë të Preshevës.

“Aktualisht, në Serbi, janë duke u bërë përgatitjet e fundit për futjen në funksion të shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Kjo nismë ngjallë shqetësim te shqiptarët në Luginë të Preshevës për shkak të përvojave të dhimbshme historike… Kujtesa kolektive e shqiptarëve është akoma e rëndë për ato pasoja tragjike”, ka shkruar ai në Facebook

Kamberi ka dorëzuar në parlament propozimin për themelimin e një Komisioni që do të hetojë vdekjet e 135 ushtarëve shqiptarë në Armatën Popullore të Jugosllavisë gjatë viteve ’80.

“Shumë nga këto raste, të regjistruara si ‘vetëvrasje’ apo ‘aksidente’, u konsideruan të dyshimta nga familjet, të cilat raportuan shenja dhune mbi trupat e kthyer,” thotë Kamberi, duke kërkuar hetime të pavarura dhe të ndershme.

Ai shton se ky fenomen ka mbetur i heshtur dhe i padokumentuar në Serbi.

“Drejtësia për viktimat është gurthemeli i pajtimit dhe i një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.”

Kjo nismë e Kamberit është pritur pozitivisht nga ekspertët, ndërkohë që ata shprehin shqetësim për shqiptarët që jetojnë në Kosovën Lindore, duke përmendur edhe rreziqet që u kanosen atyre.

Rexhepi: Këto janë rreziqet për shqiptarët nga rikthimi i shërbimit

Image
Agim Rexhepi

Në një prononcim për “Bota sot”, ish hetuesi Agim Rexhepi, e ka mbështetur hapin e Kamberit, duke e quajtur të drejtë dhe të nevojshëm. Ai thekson se rikthimi i shërbimit ushtarak nuk është vetëm çështje obligimi, por paraqet rrezik për shqiptarët, duke përmendur përvojat historike me APJ-në, ku shqiptarët kanë qenë të diskriminuar dhe kanë pësuar humbje tragjike.

“Ky hap i Kamberit është i drejtë dhe i nevojshëm, sepse rikthimi i këtij shërbimi nuk shihet thjesht si një obligim ushtarak, por si një rrezik i drejtpërdrejtë për shqiptarët. Historia e dhimbshme me APJ-në është dëshmi se shqiptarët nuk kanë qenë të barabartë në këtë proces, por viktima të diskriminimit dhe humbjeve tragjike”.

Rexhepi ka renditur rreziqet që paraqet rikthimi i shërbimit për shqiptarët:

“• Diskriminimi dhe keqtrajtimi i të rinjve shqiptarë brenda strukturave ushtarake.

• Përdorimi i tyre si “mish për top” në konflikte të mundshme.

• Presioni psikologjik dhe frika që shkakton tek familjet shqiptare.

• Shtytja e rinisë drejt shpërnguljes për t’iu shmangur këtij obligimi”.

Gjithashtu, ai ka shtuar se është i rrezikuar identiteti kombëtar i shqiptarëve në Kosovën Lindore nga shërbimi ushtarak.

“Shumë i rrezikuar. Ky shërbim shihet si përpjekje për t’i nënshtruar të rinjtë shqiptarë ndaj ideologjisë shtetërore serbe, duke i larguar nga gjuha, kultura dhe lidhja me kombin. Ky proces është një mjet i fshehtë për dobësimin e identitetit kombëtar dhe për shpërngulje të heshtur”, ka vlerësuar ai.

Rexhepi është pyetur se ka të bëjë kjo me përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për asimilim, ai është përgjigjur kështu:

“Po, pa dyshim. Rikthimi i shërbimit ushtarak është në linjë me politikat e kahershme të Serbisë për të asimiluar shqiptarët: mungesë e të drejtave kolektive, mosintegrim në institucione dhe presion i vazhdueshëm për shpërngulje. Kjo nuk është thjesht çështje ushtarake, por strategji politike kundër qëndrueshmërisë së shqiptarëve në Luginë”, ka deklaruar Rexhepi.

Hyseni: Kulmi i politikave antishqiptare për spastrimin etnik nga regjimi serb

Ndërkaq, analisti politik, Nehat Hyseni, ka deklaruar se Serbia po përdor metoda të ndryshme për spastrimin etnik të shqiptarëve, duke i fshirë nga evidencat shtetërore, sidomos pas miratimit të Ligjit mbi vendbanimin dhe vendqëndrimin (2011).

Sipas tij,Ligji për shërbimin ushtarak detyrues përbën kulmin e politikave antishqiptare për spastrimin etnik nga regjimi serb.

Image
Nehat Hyseni

“Serbia po zgjedh dhe po aplikon metoda të ndryshme për spastrimin etnik nga elementët joserbë, veçanërisht nga shqiptarët. Fshirja e shqiptarëve nga evidencat shtetërore u intensifikua sidomos pas miratimit të Ligjit mbi vendbanimin dhe vendqëndrimin e qytetarëve (“Gazeta Zyrtare e RS”, nr. 87/2011). Përmes zbatimit selektiv të këtij ligji, ekskluzivisht ndaj shqiptarëve, policia serbe ka realizuar fshirjen nga evidenca të mijëra shqiptarëve dhe të pronave të tyre.

Gjithashtu, Serbia, duke mos njohur diplomat e universiteteve të Republikës së Kosovës, ka pamundësuar punësimin e të diplomuarve të rinj në Luginën e Preshevës, duke i detyruar ata të shpërngulen drejt Kosovës apo vendeve të ndryshme të Europës. Për më tepër, miratimi i ligjit për shërbimin e detyrueshëm ushtarak paraqet kulmin e veprimeve antishqiptare të regjimit fashist të Serbisë për spastrimin etnik të pakicave joserbe, në veçanti të shqiptarëve”, ka potencuar Hyseni.

Gjithashtu, Hyseni ka theksuar se shqiptarët kanë pasur përvoja të dhimbshme me ushtrinë jugosllave në vitet ’80, kur shumë të rinj u vranë në shërbimin ushtarak, shpesh me justifikime të dyshimta si “vetëvrasje” ose aksidente “të rastësishme”.

"Shqiptarët kanë përvoja të hidhura me ushtrinë jugosllave, sidomos gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar, kur shumë të rinj shqiptarë ktheheshin në arkivole nga shërbimi ushtarak. Numri i tyre kishte arritur përmasa alarmante: dhjetëra e qindra të rinj vriteshin në mënyra perfide, me justifikime banale, kinse ishin “vetëvrarë” ose kishin pësuar aksidente “të rastësishme”.

Për këtë arsye, të rinjtë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës filluan të bojkotonin shërbimin e detyrueshëm ushtarak në ushtrinë jugosllave, duke u larguar nga vendlindjet e tyre për t’iu shmangur burgosjes nga policia serbe. Kosova dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi përjetuan një ekzod të madh, duke sjellë zbrazje të papara deri atëherë”, ka theksuar ai.

Në fund, Hyseni ka shtuar se regjimi i Aleksandër Vuçiqit po synon shqiptarët e Kosovës Lindore me ligjin për shërbimin ushtarak obligues.

Ai vlerëson si të domosdoshëm propozimin e deputetit Kamberi për themelimin e një Komisioni që të hetojë vdekjet e 135 ushtarëve shqiptarë gjatë viteve ’80 në ushtrinë jugosllave.

“Sot duket se regjimi fashist i Aleksandër Vuçiqit ka synuar shqiptarët e Luginës së Preshevës me një grusht të ri e të rëndë, përmes paralajmërimit të zbatimit të ligjit mbi shërbimin e obligueshëm ushtarak nga 1 janari 2026, pra pas vetëm tre muajsh.

Në këtë kontekst, reagimi i deputetit Shaip Kamberi, i cili dorëzoi në Parlamentin e Serbisë në Beograd një propozim për themelimin e një Komisioni të posaçëm me qëllim zbardhjen e rasteve të vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e APJ-së gjatë viteve ’80, është veprim i duhur dhe i domosdoshëm. Ky hap synon sensibilizimin dhe alarmimin e opinionit vendor e ndërkombëtar për rrezikun që kanoset të rinjtë shqiptarë nga ky ligj makabër, i cili pritet të hyjë në fuqi së shpejti në Serbi, si dhe për pasojat fatale që ai do të ketë për shqiptarët në Luginën e Preshevës”, ka përfunduar Hyseni.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat