Analisti Adnan Qaka ka komentuar se amendamenti i kongresistit amerikan Brian Mast, i cili e përcakton anëtarësimin e Kosovës në NATO si prioritet të politikës amerikane në Ballkan, është një sinjal i qartë mbështetjeje për Kosovën.
Ai shton se edhe pse rruga drejt NATO-s është e gjatë, kjo nismë forcon perspektivën e Kosovës dhe mund të përshpejtohet nëse rrethanat rajonale e globale e kërkojnë.
“Kongresisti amerikan, Brian Mast, ka paraqitur një amendament në Kongres, i cili e përcakton anëtarësimin e Kosovës në NATO si një nga prioritetet kryesore të politikës amerikane në Ballkan.
Kjo kërkesë nga Kongresisti republikan nga Florida ka rëndësi të veçantë për shtetin e Kosovës, pasi dihet që Kosova, në vazhdimësi, ka shprehur aspiratën për t’u bërë shtet anëtar i NATO-s. Edhe pse kjo rrugë është e gjatë dhe nuk pritet që anëtarësimi të ndodhë në një periudhë afatshkurtër, iniciativa paraqet një sinjal të qartë të gatishmërisë për të shtyrë përpara këtë proces, sidomos në kontekstin e sigurisë së ndërlikuar në Ballkan dhe në botë.
Ekziston mundësia që, nëse zhvillimet rajonale dhe globale e kërkojnë, Kosova të përfshihet në një proces të përshpejtuar dhe politik drejt anëtarësimit në NATO.
Kosova deri më sot ka nënshkruar dhjetëra memorandume bashkëpunimi dhe marrëveshje me shtete anëtare të NATO-s. Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të rregullt.
Megjithatë, për t’u bërë anëtare e NATO-s, nevojitet një marrëveshje unanime – pra, të gjitha 32 shtetet anëtare ekzistuese duhet të japin pëlqimin e tyre”, thotë ai.
Në çfarë faze ndodhet Kosova drejt anëtarësimit në NATO?
Tutje, Qaka thotë se Kosova ndodhet aktualisht në një fazë joformale të përpjekjeve diplomatike për të siguruar mbështetjen e shteteve anëtare të NATO-s.
“Kosova aktualisht ndodhet në një fazë joformale të përpjekjeve diplomatike për të siguruar mbështetjen e shteteve anëtare të NATO-s që të fillojë procesi zyrtar i anëtarësimit. Deri tani:
Kosova nuk është pjesë e Dialogut Intensiv.
Nuk ka një Plan Veprimi për Anëtarësim (MAP).
Nuk ka marrë ftesë zyrtare për anëtarësim.
Në maj të vitit 2024, Asambleja Parlamentare e NATO-s miratoi një rekomandim për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar, çka është një hap domethënës, por ende jo pjesë e procesit zyrtar të anëtarësimit.
Kosova përballet me dy sfida kryesore në rrugën e saj drejt NATO-s:
Përmbushja e kritereve formale, dhe
Tejkalimi i pengesave politike që vijnë nga vendet mosnjohëse, përkatësisht: Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Fazat zyrtare të anëtarësimit në NATO janë:
Dialogu Intensiv
Plani i Veprimit për Anëtarësim (MAP)
Ftesa Zyrtare për Anëtarësim
Negociatat për Anëtarësim
Nënshkrimi i Protokolleve të Anëtarësimit
Ratifikimi nga të gjitha shtetet anëtare
Anëtarësimi i plotë
Kriteret kryesore për anëtarësim në NATO janë:
Shtet funksional dhe demokratik
Zgjidhja e konflikteve të brendshme dhe fqinjësore
Stabilitet politik dhe civil
Forca të armatosura të reformuara dhe nën kontroll civil
Kontribut në sigurinë ndërkombëtare
Mbështetje unanime nga të gjitha shtetet anëtare të NATO-s”, përmend analisti.
Kurse, në fund Qaka thekson se, pavarësisht rëndësisë së anëtarësimit në NATO, Kosova duhet të ndjekë një politikë të jashtme të balancuar e të pavarur, duke vepruar sipas interesave kombëtare dhe jo nën presione të jashtme.
Ai kërkon një shtet sovran që ndërton paqe, zhvillim dhe bashkëpunim, mbron dinjitetin dhe sigurinë e qytetarëve, dhe qëndron në këmbët e veta.
“Megjithë rëndësinë që ka anëtarësimi në NATO për sigurinë e Kosovës, unë besoj se ne si shtet duhet të ndjekim një politikë të jashtme të balancuar, të pavarur dhe të mençur, e cila bazohet mbi interesat kombëtare dhe jo mbi presionet e jashtme apo lojërat gjeopolitike të fuqive të mëdha.
Unë dua një shtet që nuk bëhet pjesë e luftërave të huaja, as pjesë e skenarëve që nuk kanë të bëjnë me të ardhmen tonë. Nuk dua që Kosova të sakrifikojë për interesat e askujt tjetër.
Dua një shtet sovran, me zë të vetin, që ndërton ura bashkëpunimi, paqeje dhe zhvillimi – jo ndarje dhe përplasje. Një shtet që di të thotë “po” kur është në të mirë të tij, dhe “jo” kur i kërkohet të paguajë çmimin për llogari të të tjerëve.
Politika e jashtme nuk është vetëm diplomaci – ajo është mbrojtje e dinjitetit, zhvillim ekonomik, dhe siguri për qytetarët tanë. Prandaj, i nevojitet një qasje e matur, e zgjuar dhe e barabartë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Sepse më shumë se gjithçka, dua një shtet që qëndron në këmbët e veta” – përfundon ai për “Bota sot”.