Ura e Ibrit, e cila që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore të banuar me shumicë shqiptare dhe në pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, tashmë nuk është e vetmja në Mitrovicë.
Në korrik të këtij viti, mbi lumin Ibër ka filluar të ndërtohet ura e cila edhe u lëshua për qarkullim të automjeteve në fund të gushtit, gjersa pritet të përfundojnë ndërtimet edhe për urën për këmbësor.
Ura e cila u ndërtua pavarësisht të gjitha kundërshtimeve nga serbët lokalë dhe reagimet e bashkësisë ndërkombëtare, tashmë po shfrytëzohet për qarkullim në të dyja anët e qytetit.
Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se ndërtimi i këtyre urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete – ka për qëllim t'i lidhë Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, qytet i ndarë etnikisht që nga paslufta.
Në anën tjetër, qytetarët e Mitrovicës do të kenë mundësi që nga janari i vitit 2026 të kenë në dispozicion urën e dedikuar për këmbësorë, projekt ky që pritet të bëhet simbol i ri i qytetit dhe e cila do të lidh edhe më shumë veriun dhe jugun në këtë pjesë të Kosovës.
Punimet për ndërtimin e kësaj ure janë duke avancuar me ritme të qëndrueshme dhe standarde të larta inxhinierike, duke premtuar jo vetëm një rrugë të sigurt për lëvizjen e qytetarëve, por edhe një hapësirë rekreative me elemente unike si ujvarë dekorative dhe pushimore.
Udhëheqësi i kompanisë punëkryeese, Jahir Nimani, duke dhënë detaje për agjencinë e lajmeve, Kp, ka thënë se punët janë duke shkuar mirë, edhe pse fillimisht kanë pasur probleme me ujin e lumit Ibër dhe pikat gjeodezike.
“Janari ka me qenë kur do të kalojnë njerëzit…Punët kanë ecur mirë, fillimisht kemi pas problem për shkak se ne jemi duke punuar në mes të lumit Ibër dhe ka probleme me ujin derisa të ngritemi në pjesën më lartë. Kemi pas problem edhe me pikat gjeodezike, kemi pas problem edhe me ato veç i kemi zgjedhur. Ka marrë formën e punës se si duhet të ecë me hapa të shpejt dhe të sigurt në punë. Projektin jemi pikë për pike në atë që shkruan në projekt. Është një urë më e madhe se ajo. Ura tjetër ka qenë me afat të shkurt dhe me dinamik të shpejt, edhe me këtë jemi duke ecur me dinamik shumë mirë“, theksoi ai.
Nimani ka premtuar se ura e re për këmbësor që do të lidh edhe më shumë veriun me jugun e Mitrovicës, do të jetë më e bukura në Ballkanin Perëndimor.
Ai shtoi se kjo urë po ndërtohet me standardet më të larta të punës.
“Kemi bërë bazamentin, shtyllat e pllakës që ka me u vendos pllatoja sipër, jemi duke bërë formën e rrethit atje ku ka me pas digën e ujit për mes pas si ujëvarë dhe me ra uji përfund pllakës. Kjo pjesa ka me qenë disa pushimore me pushuar njerëzit. Atje pjesa në rreth ka me qenë si shëtitore rreth dy metra e gjysmë pllakë në dyja anët anësore. Puna është duke ecur mirë…Kjo urë është e dedikuar vetëm për këmbësor, nuk ka për automjete, është një urë që ka me qenë ura më e bukur në Ballkan…Është duke u ndërtuar me standardet më të larta të punës, jo që jam duke ndërtuar unë, por projektimi por edhe cilësia, hekuri, cilësia e betonit, të gjitha që kanë efektin e vetë, janë me cilësinë më të lartë”, theksoi ai.
Rëndësia e urave
Analisti Nexhmedin Spahiu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se urat kanë rëndësi për qytetin e Mitrovicës dhe afrimin e komuniteteve.
Ai kërkon që puna në ndërtim të bëhet mirë dhe jo siç thotë ai “shkel e shko”.
“Po, ka shumë rëndësi për qytetin e Mitrovicës dhe afrimin e komuniteteve. Shpresoj që arkitekti të ketë bërë një zgjidhje të mirë e si ura që sapo u përfundua e cila ishte më së e nevojshme por që kishte mundësi të ishte 4 metra më e gjerë dhe 1 metër më e lartë. Arkitektin e kësaj ure duhet dënuar. Ura njëherë bëhet, prandaj duhet të bëhet mirë e jo shkel e shko”, deklaron Spahiu.
Ura e Ibrit
Nëse ndalemi te historiku i urës kryesore mbi lumin Ibër, ajo që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe. Vendimi për hapjen e urës është marrë në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut në prill të vitit 2023, por nuk është zbatuar ende.
Kosova dhe Serbia ishin pajtuar që ura të hapej për qarkullim në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.
Ishte paraparë revitalizimi i urës dhe largimi i të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.
Në vitin 2016 u arrit marrëveshje për një plan të ri zbatimi, për të tejkaluar mosmarrëveshjet rreth interpretimeve të marrëveshjeve të mëparshme. Sipas këtij plani, ura duhej të hapej për komunikacion në janar të vitit 2017.
Punimet për revitalizim përfunduan në qershor të vitit 2018, ndërsa ura – në të cilën janë investuar 1.5 milionë euro – nuk është hapur kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë.
Përkundër deklarimeve nga kryeministri Kurti vitin e kaluar se kjo urë do të hapet, një gjë e tillë nuk ka ndodhur kjo me insistimin e ndërkombëtarëve që ajo të diskutohet në dialog.
Tani, për projektin e ndërtimit të urave, Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth tre milionë euro.
Ndërtimi i tyre u kundërshtuar nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit, e cili ngriti dhe një peticionin kundër saj, i cili i mori mbi 3.500 nënshkrime.
Bashkimi Evropian ka thënë se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë “ka rëndësi praktike dhe politike”, dhe se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog mes të gjitha komuniteteve të përfshira.
“Është e domosdoshme që këto projekte të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale”, është thënë në përgjigje.
Urat të mos politizohen, ato janë normale dhe lidhin njerëz
Ndërsa, analisti Blerim Burjani, thotë se projekti duhet të kuptohet si diçka normale.
Në anën tjetër ai kërkon që të hapet ura e financuar nga ndërkombëtarët.
“Ky projekt duhet të kuptohet si diçka normale – një rrugë apo një urë më shumë për të lehtësuar lëvizjen dhe komunikimin ndërmjet veriut dhe jugut. Ndërkombëtarët duhet ta hapin urën që e kanë financuar vetë. Nuk mendoj se është më e nevojshme të bëhet politikë me ura. Kjo qasje ka humbur kuptimin prej kohësh dhe përkundrazi, ka kontribuar në izolimin e veriut nga pjesa tjetër e Kosovës”, deklaron Burjani.
Duke parë kundërshtitë paraprake, i pyetur sesi do të reagojnë ndërkombëtarët ndaj kësaj ure, Burjani thotë se kjo nuk është asgjë më shumë sesa një urë për njerëzit e të gjitha etnive.
“Nevojitet që të gjitha pjesët e shtetit tonë të jenë të lidhura lirshëm mes vete. Ata mund ta presin dhe ta komentojnë këtë zhvillim si të duan, por kjo urë e re nuk është asgjë më shumë sesa një urë për njerëzit e të gjitha etnive – për të ecur, për të shëtitur dhe për të komunikuar lirshëm”, shton analisti.