Në Shqipëri, më 11 maj 2025, u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, nga të cilat fituese doli Partia Socialiste, me Edi Ramën si kandidat për kryeministër.
Ndërkohë, më 11 shtator, kryeministri i rizgjedhur për një mandat të katërt, Edi Rama, prezantoi kabinetin e tij të ri qeveritar. Nga ky prezantim u bë e ditur se shtatë ministra nga kabineti i mëparshëm janë larguar, ndërsa janë emëruar shtatë figura të reja.
Megjithatë, një ministre e re tërhoqi vëmendjen e të gjithë kabinetit dhe publikut.
Bëhet fjalë për Diellën, një ministre që përfaqëson për herë të parë Inteligjencën Artificiale në një post qeveritar dhe do të ketë në fokus prokurimet publike.
Por, jo të gjithë e kanë mirëpirtur këtë vendim të Ramës.
Të martën, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar dekretimin e ministres AI, Diella.
“Duhet ta çojmë urgjentisht këtë dekret në Gjykatën Kushtetuese. Kemi të bëjmë me njerëz të papërgjegjshëm për detyrën, të gatshëm të firmosin gjithçka. Nuk ndodh. Nuk besoj se ndonjë diktator tjetër të ketë pasur këtë fuqi asgjësuese për kreun e shtetit”, ka deklaruar Berisha.
“Qeveri e re” me Ramën "e vjetër" kryeministër?!
Opinionisti Xhevat Mustafa, në një prononcim për “Bota sot” ka ironizuar betimin e qeverisë së re të Ramës, duke e krahasuar me liderë autoritarë.
Ai e quajtur “mashtrim propagandistik” për militantët e majtë, që sipas tij, vazhdojnë të mbështesin verbërisht pushtetin, pavarësisht dështimeve.
“Më 19 shtator 2025, kryeministri 4 mandatesh Edi Rama, futur “me meritë e denjësisht” në listën e Putinit, Lukashenkos, Ali Khameneit, Xi Jinpingut, Kim Jon un- it, Madurros..., për shumë mandate në frone, pasi rraskapiti trutë e stërlodhur, bëri betimin para Presidentit Bajram Begaj të ekipit të ri qeverisës, dalë nga gjase apo palo zgjedhjet e 11 majit 2025! Natyrisht, kuptohet lehtësisht se cilësimin dhe emërtimin e saj “qeveri e re” apo “kabinet i ri” i ka për konsum vetëmashtrues apo propagandistik, për ata "të majtë", që prej mbi 80 vitesh janë lumturuar sa kanë kërcyer e kënduar si të çmendur, si të dehur apo droguar për Enverin, edhe pse partia dhe kryetari i zemrës, i ka mashtruar, tallur, vjedhur, nëpërkëmbur, fyer... sy më sy, deri duke i llogaritur si tufa e kope vetëm për vota e për të mbush sheshet e sallat për mitingje fitoresh të kota, sa qeshte bota!?”, është shprehur ai.
Më tej, Mustafa ka thënë se për shumicën e shqiptarëve që mendojnë lirshëm, është qesharake të quhet "kabinet i ri" qeveria e formuar, kur në krye të saj qëndron për të katërtën herë radhazi Rama.
Ai ka përmendur si “kryevepra” të dështimeve të tij harresën e premtimeve, aferën e inceneratorëve, ministrat e arrestuar, si dhe lidhjet e dyshimta me figura ndërkombëtare, që sipas tij, kanë dëmtuar interesat shtetërore e kombëtare.
“Shumica e shqiptarëve që mendojnë e gjykojnë me mendt apo trutë e veta e për interesat e veta si individë e familje, mund të qeshin me vete ose me njeri- tjetrin. Edhe të thonë me zë të ulët, që të mos i dëgjojë ndonjë sigurimas i thinjur apo ndonjë patronazhist me flokë përmbyt me brilantinë: si mund të quhet "kabinet i ri" ai i pas 11 apo 19 shtatorit 2025, kur në krye të tij do të jetë për 16 vjet, dora vetë, Edi Rama?! Domethënë po Edi Rama, që me mendt dhe firmat e veta, e ka bërë vetveten si kryeministër si letër të zhubrosur për pikturë apo kartë "të djegur" ose "të vjetër"?!
Për më tepër e më keq, që e ka njollos keq veten me bojëra korrupsioni e autokratizmi me shumë veprime e vepra, që shikohen apo gjenden vetëm në dosje e letra! Lista e tyre është e gjatë, prandaj mund të përmenden vetëm pak prej tyre, që mund të vlerësohen edhe si "kryevepra"! Në krye të kësaj liste janë "harresa" e premtimeve 80 apo 34 vjeçare; inceneratorët, që më shumë djegin miliona se sa plehra; "ekipi qeveritar nëpër qeli burgjesh"...! Mund të vazhdohet me "flirtet biznesorë", me rrjedhoja të dëmshme afatgjata edhe për interesat shtetërore e kombëtare me Xhorxh dhe Alex Soros, me Aleksandar Vuçiç, me Kyriakos Mitsotakis, me Giorgia Melonin, me Mohamed Alabbar, me Jared Kushner...!? Edhe me "djallin e të birin", me qëllimin si e si ta mbajë sa më gjatë fronin kryemistror dhe këtë vend e këtë popull, të fundit për treguesit e zhvillimit, mirëqenies, demokratizimit, integrimit në BE e të parin apo kampion vetëm për të këqija!?”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Mustafa thotë se përveç përfshirjes në qeveri të roboteshës politike “Diella” dhe vetëm disa emrave të rinj, qeveria e katërt e Ramës dominohet nga fytyra të vjetra dhe karta të vetëdjegura, që kanë vetëm ndryshuar zyra dhe pozicione pa sjellë asnjë ndryshim real në mënyrën e qeverisjes.
“Përveç perfshirjes skandaloze në qeveri të roboteshës "Diella" dhe pak emrave të rinj, Qeveria Rama 4 mbizotërohet nga fytyra të vjetra e karta të vetëdjegur. Këta kanë ndërruar vetëm godina dikasteresh, kabinete, karrige, tavolina pune, ekipe vartës..., ëc...! Më e keqja, kjo qeveri, me miratim si ekip dhe program për vetëm 25 minuta, nuk mund të bëhet me të vërtetë e re e të quhet e re, edhe për arsyen se ka mendësi, praktika, përvojë qeverisëse arkaike, allasocialiste apo allaedramiste. Edhe më troç: ka si "filozofi" e metodologji korrupsionin shumë formësh, shumë ngjyrësh e shumë dimensional! Edhe "harresën" apo nëpërkëmbjen e vetëdijshme të ligjit, Kushtetutës, të interesave të shumicës së popullit e të Kombit...! Këmbanat e alarmit se si do të ishte kjo “qeveri e re” e çfarë gjëmash do të përjetojnë shumica e shqiptarëve gjatë mandatit të saj të katërt, gjëmuan fort e për shumë ditë në aksionin me goditje të përqendruar “të zgjerimit të hapësirave publike” në Tiranë, Vlorë, Theth e thuajse në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa kanë kaluar rreth 12 javë që Edi Rama nisi me bujë marramendëse e shurdhuese këtë aksion me shembje në pikun e sezonit turistik në të vërtetë, në teren, së pari në Tiranë e pastaj në qytete të tjerë, është vëne re, e pritshmja, tradita, farsa, maskarada, komedia...! Janë hequr çatira e çadra dhe lënë tavolina e karrige, në të cilat klientët nuk mund të ulen më ditëve në periudhë me vapë e diell të fortë se u bie damllaja në kokë! Ndërsa në dimër do të jenë të pambrojtur nga shiu e të ftohtët!? Gjatë këtij aksioni të rrufeshëm në ditë me diell nuk u mendua se zgjerimet dhe rregullimet e mëparshme nuk janë bërë pa njoftime e leje nga njësitë bashkiake apo nga bashkitë qendrore. Edhe se u kanë kushtuar pronarëve me qindra mijëra lekë të reja ose miliona të vjetra. I pari Edi Rama e pas tij, vartësit e tij “të pagojë” për ta kundërshtuar edhe kur kanë të drejtë, nuk u kujtuan fare edhe për rrjedhojat individuale apo sociale, sidomos duke u shkurtuar në këto lokale kamarierë e banakierë e duke u shtuar kështu ushtria e të papunëve. Po kështu, jo vetëm sytë e vëmendshëm, të dëmtuar nga teka apo vendimi i kryeministrit si dhe ata kritikë ndaj tij, ndizen nga keqardhja dhe revoltimi i brendshëm ose i shpërthyer lehtë nga ata që kanë votuar për Rama-parti-qeverisjen, kur shikojnë se janë hapur hapësira publike në trotuare, edhe aty ku kanë qenë të bollshme e jo problematike dhe janë zënë e po vazhdon të zihen hapësira jetike në mes të pallateve, shesheve, zonave të gjelbëruara...!”, ka vlerësuar ai.
Sipas tij, ndërtimet e pallateve të larta (8-24 kate) janë bërë shpejt dhe afër ndërtesave të vjetra, pa lënë hapësira minimale për emergjenca si ambulanca, zjarrfikësja apo shërbime të tjera, dhe pa hapësira publike si kënde lojërash apo zona pushimi për të moshuarit.
Ai ka kritikuar që aksionet për “zgjerimin e hapësirave publike” të kryeministrit Rama që shpesh bien në vende të gabuara dhe favorizojnë interesat e oligarkëve dhe biznesmenëve të fuqishëm në dëm të qytetarëve të thjeshtë.
“Ndërtohen pallatet e rinj 8- 14, 18, 24... katësh, shumica me leje ndërtimi të dhëna shpejt e shpejt sa ishte pa u arrestuar Erion Veliaj, ngjitur apo afër deri 1- 3 metra larg pallateve "të vjetër"! Bile, pa lënë për ata as një rrugicë e tunel sa për të hyrë e dalë një autoambulancë, veturë varrimi apo martese; mikrobuz për pajisje shtëpiake voluminoze e jo më një zjarrfikëse!? Edhe pa menduar për sheshe pushimi për të moshuar e kënde lojërash për fëmijë...!? Pra, ndryshe nga dëshira dhe shpresa e shumicës së qytetarëve, edhe e imja, që me zemër mbështesin kërkesat fjalareske e mediatike të kryeministrit, që të mos "hahen" më, por të rifitohen sa më shumë hapësira publike, të gjelbëruara dhe argëtimi, "rrufetë" e Edi Ramës, në plot raste, për të mos thënë në shumicën, kanë rënë në vende të gabuara e nuk i bëjnë bindëse urdhrat dhe premtimet e tij!? Përgjithësisht ato i kanë bërë e po u bëjnë keq apo gjëmën kryesisht atyre të "njerkës" dhe u kanë hapur rrugë e sheshe më të mëdha atyre të "nënës"!? Domethënë, oligarkëve, ortakëve, bosëve të ndërtimit e të bizneseve të tjera, si të bankave, të tregtisë, elektronikës, bar-restoranteve, të mjekësisë private, të farmaceutikës...!? "Shqetësimi" i Edi Ramës për zgjerimin e hapësirave publike në dëm apo në të keq të interesave jetike bëhet edhe më propagandistik, kotësor, fasador, reklamor, i pabesueshëm..., kur kujtohet se gjatë periudhave 3- 5 vjeçare të ndërtimit të pallateve dhe kullave të reja, banorëve në pallatet ekzistues u ndoten së tepërmi ajri e uji, ballkonet e dhomat! U prishen qetësia, gjumi, privatësia nga ndërtuesit që punojnë 16 orë e jo rrallë edhe 24 orë dhe për ditë fundjavësh e festash, edhe në ditët e verës me vapë sahariane, deri rreth 42 gradë!?
Nuk mund të merret krejt i rastësishëm e pa asnjë lidhje edhe përkimi kohor i aksionit për “zgjerimin e hapësirave publike” me aksionin “për ngushtimin e hapësirave mediatike e të lirisë së kritikës ndaj pushtetarëve apo qeveritarëve” të 9 gushtit 2025, nëpërmjet bllokimit me forca policore dhe ushtarake të Neës 24 e të mediave të tjera të Shoqërisë “Fokus Media Group”...!? Ky qëllim qeveritar, pra i ngushtimit sa më shumë të hapësirës demokratike për mendim të lirë qytetar e opozitar, për kritika të faktuara ndaj qeverisjes dhe figurave të saj kryesore, do të sanksionohet ligjërisht pas miratimit të draftit të Kodit Penal të ri, sajuar nga Arben Rakipi dhe Ulsi Manja, si një turli me doza enverizmi, putinizmi, erdoganizmi, xijinpingizmi...!?”, ka nënvizuar ai.
Mustafa ka vazhduar me kritika ndaj qeverisë Rama 4, duke thënë se ajo vazhdon të jetë e lidhur me regjimin diktatorial të mëparshëm, korrupsionin, krimin dhe mashtrimet ndaj popullit shqiptar.
Në fund, ai ka përmendur edhe ministren Diella, që sipas tij, është si një “robot” pa shpirt, duke u komanduar nga Rama dhe teknologjia AI.
“Pra, qysh në nisje të mandatit të katërt Rama qeveria ka favorin se këtij populli prej mbi 80 vjet përmbytur në pranga, breshëri, plumba, gjak, baltë, kocka, plehëra, helme, lotë...nga diktatatura enveriste; nga varfëria, provincialiteti, injoranca, korrupsioni, drogërat, emigracioni, kriminaliteti, banaliteti, imoraliteti, me doza të shtuara në këta afro 10 vjet, ia merr edhe më lehtë e më shumë mendt dhe votat me gënjeshtra, mashtrime, premtime me rrenëse...! Por, edhe me "fjalime" me logjikë, fjalor e humor pijetoresh, bordellosh, nevojtoresh, apo me pëllitje stalle...! Së fundi, edhe ministren roboteshë, Diella, pa shpirt e zemër, pa dinjitet njerëzor, pa dokumente identifikimi të një qytetareje të Shqipërisë...Për më tepër, që programohet dhe komandohet nga Edi Rama dhe mjeshtrit e tij të AI-së!? Në të Vërtetë, ndryshe nga sa premton, Qeveria Rama 4, nuk do të ndryshojë nga tri të mëparshmet. Për këtë bindesh nga përbërja e saj. Shumica e ministreshave dhe ministrave janë me një njeri të familjes me lidhje me Bllokun, Sigurimin, KQ të PPSH, Kryeministrinë e Adil Çarçanit e të Edi Ramës, me Ministrinë e Brendshme...; me Sorosët atë e bir; me oligarkë dhe me "investitorë strategjikë"...!? Por, edhe me merita se janë angazhuar gjatë fushatave elektorale, më freskët të asaj të 11 majit 2025, për të dhënë individualisht e nga familjet e prindërve të vet e të bashkëshortes ose bashkëjetueses si dhe për "blerjen" dhe "vjedhjen" e sa më shumë votave në favor të partisë e kryetarit të zemrës!”, ka përmbyllur Mustafa.
Ilir Vata: Rama i gjithëpushtetshëm, Diella, ministre e opozitës
Ndërkaq, analisti politik, Ilir Vata është shprehur se qeveria Rama 4 është një qeveri tipike e majtë.
“Qeveria Rama 4 është një qeveri tipike e majtë dhe me një administratë të madhe përtej nevojave të shërbimit publik.
Shërbimet online në Shqipëri dhe ministrja “Diella” duhej të kishin sjellë shkurtim të administratës, në fakt administrata nga 83 mijë në vitin 2013, sot është mbi 220 mijë”, ka thënë ai.
Po ashtu, Vata ka deklaruar se Qeveria Rama 4, me ministra të njëjtë dhe të akuzuar nga SPAK, është një qeveri e vazhdimësisë, zgjedhur nga shumica e shqiptarëve.
“Drejtuesit e administratës janë mercenarë politikë, shumë prej tyre janë nën akuzë për korrupsion dhe dhjetëra të tjerë janë burgosur, me kryebashkiakë, drejtorë dhe ministra. Po ashtu, nga qeveria e re ka ministra dhe zyrtarë të lartë të akuzuar nga SPAK, pra qeveria e re nuk është ndryshe nga ajo e para, shumë prej ministrave janë po ata që ishin.
Parë në këtë aspekt, qeveria Rama 4 është qeveri e vazhdimësisë, sepse shqiptarët zgjodhën me shumicë atë”, ka cilësuar ai.
Tutje, Vata ka kritikuar opoziten, duke shtuar se qeveria kontrollon gjithçka dhe përdor ministra si Diella për të shpërqendruar publikun.
“Edhe opozita, që ishte si garanci për kontrollin e qeverisë, ka rënë në kllapi. Për muaj me radhë demonstroi vjedhjen e votave dhe presionin në administratë duke mos njohur zgjedhjet, por me fillimin e Kuvendit, opozita legjitimoi qeverinë duke gëlltitur të gjitha akuzat e paszgjedhjeve.
Pra, në një farë mënyre, Berisha mbeti në marrëveshje me qeverinë, sepse ai mori vulën e PD-së në këmbim dhe kërkon të shpëtojë pasuritë e familjes së tij dhe të shpëtojë vetë burgut.
Kështu, qeveria është në të gjithë pushtetin e saj, emëron ministre si Diella për të tërhequr vëmendjen, tallur me publikun dhe kryesisht me opozitën, duke e konsideruar si të një ministre të paanshme, madje të vetë opozitës”, ka theksuar ai.
Në fund, Vata ka potencuar se aktualisht nuk ka opozitë, Rama ka të gjitha pushtetet, dhe pritet një ndryshim kushtetues i madh.
“Shqiptarët kanë nevojë për punësi, mirëqenie, siguri, dhe qeveria duhet të ketë fokus ku të garantojë demokracinë nëpërmjet ligjit, duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Aktualisht, Shqipëria nuk ka opozitë; lutemi që Ramës mos t’i ikë mendja, sepse ka të gjitha pushtetet.
Në një të ardhme të afërt mund të kemi ndryshim të Kushtetutës dhe sistemit qeverisës, pritet që në zgjedhjet e ardhshme të kemi një president nga populli, pra Shqipëria është në pragun e një ndryshimi të madh kushtetues. Fundja, kush do ta ndalojë mazhorancën?”, ka përfunduar Vata.