Ditë më parë EULEX-it njoftoi se ka rritur trupat policore, tash përkohësisht për zgjedhjet lokale.
Me këtë rast, ambasada franceze në Kosovë, ka njoftuar se xhamdarmëria kombëtare e këtij vendi ka ‘zbarkuar’ në vendin tonë.
Njohësi i sigurisë, Xhevat Meha, në një prononcim ka thënë se rritja e përkohshme e forcave të EULEX-it për zgjedhjet lokale nuk është rastësi.
Sipas tij, kjo ka të bëjë me dy rrethana kryesore: së pari, takimi i shtatorit në Kinë mes Xi, Putinit, Kim Jong Unit dhe Vuçiçit mund të ketë sjellë koordinim për aksione kundër Perëndimit, duke nxitur provokime edhe në Kosovë. Së dyti, tensionet në veri të Kosovës dhe mundësia e provokimeve serbe gjatë votimeve e bëjnë EULEX-in më të pranueshëm për ndërhyrje sesa Policinë e Kosovës. Për këtë arsye është shtuar prania e tyre.
“Njoftimi për rritjen e forcave policore të EULEX-it përkohësisht për zgjedhje lokale nuk vjen si diçka rastësí, ka diçka që ngritë shqetësimet. Kjo rritje e forcave policore besoj se vjen si pasojë e dy rrethanave të krijuara.
Njëra rrethanë e krijuar tash së voni vjen nga takimi i fillim shtatorit në Kinë të autokratëve Xi, Putin, Young Un dhe Vuçiç. Si duket këtu ka pasur një marrëveshje për bashkërendim të aksioneve kundër Perëndimit. Kemi provokimet nga Putini në hapësirat ajrore të disa vendeve të NATO-s, kemi rritje të provokimeve nga Vuçiç në Kosovën Veriore dhe si vazhdimësi e kësaj mund të kemi veprime nga Kina rreth Tajvanit dhe Koreja e Veriut ndaj Koresë së Jugut. Kjo ndikon që EULEX, si rreshti i dytë i sigurisë në Kosovë, të rrisë praninë.
Rrethanë tjetër janë veprimet e qeverisë së Kosovës në acarimin e gjendjes në Kosovën Veriore. Nëse ka ndonjë provokim nga grupet ilegale serbe para dhe gjatë votimeve, Policia e EULEX-it është më e pranueshme për ndërhyrje se sa Policia e Kosovës. Kjo sigurisht që kërkon rritje të pranisë së pjesëtarëve të EULEX-it.” deklaron ai për “Bota sot”.