Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë kësaj vizite, ai është duke zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë amerikanë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe personalitete me ndikim në politikën dhe diplomacinë ndërkombëtare.
Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Kurti, ndodhet prej disa ditësh në SHBA, kryesisht në Neë York, përkundër spekulimeve se nuk do t’i jepej vizë.
“Prej gati një jave, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryesisht në Neë York. Shkuarja e tij në Amerikë ndodhi në kohën kur mediet shqipfolëse e serbishtmenduese artikulonin idenë se “Kurtit nuk i jepet vizë për të vizituar SHBA-të”! Ndodhi e kundërta. Kurti udhëtoi për në SHBA, edhe pse ambasada e këtij vendi njoftoi pezullimin e projektit për një dialog strategjik midis të dy vendeve. Me gjasë, kjo masë u mor sepse përfaqësuesit e Vetëvendosjes në KQZ votuan kundër regjistrimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, si dhe për shkak se partia e Kurtit votoi kundër kandidatit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. Për këtë shkak, u bë presion ndaj zotit Kurti, njëkohësisht edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilën e përdorën kundër kryeministrit, duke dëmtuar rëndë procesin e krijimit të institucioneve dhe të qeverisë së vendit.
Të gjitha këto, plus aksionet e Policisë së Kosovës për të ndërprerë veprimtarinë e institucioneve paralele të Serbisë në veri të vendit, e bënë Kurtin target të shuplakave amerikane. Megjithatë, ai shkoi në SHBA. U takua edhe me senatorë amerikanë. U takua gjithashtu me kryeministrin e Belgjikës dhe autoritete të tjera ndërkombëtare. Por nuk u takua me Donald Trump dhe Marco Rubio, sepse në ato takime ishte presidentja e Kosovës, dhe në fund të fundit, të dy, Albini dhe Vjosa, kanë të njëjtat qëndrime sa i përket sovranitetit të Kosovës”, ka thënë ai.
Po ashtu, Bytyçi ka theksuar se gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri Kurti mori pjesë në një ceremoni për nder të ish-kongresmenit shqiptaro-amerikan Joseph DioGuardi, duke i shprehur mirënjohje për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës.
Ai ka shtuar se Kurti respekton ata që mbështesin shtetin e Kosovës dhe nuk angazhohet në lobime për ndarje apo për rikthimin e ndikimit serb në Kosovë.
“Në SHBA, zoti Kurti mori pjesë në një ceremoni festive për përvjetorin e lindjes së ish-kongresmenit republikan me origjinë shqiptare, Joseph DioGuardi. I shprehu atij mirënjohje në emër të Kosovës për kontributin e tij të paçmuar për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Më ka bërë përshtypje ky akt moral dhe politik i zotit Kurti, sepse paraardhësit e tij gati sa nuk e sulmuan zotin DioGuardi, për shkak se ai nuk u pajtua me veprimet e tyre. I pari ishte zoti Thaçi, ai që e denigroi ish-kongresmenin amerikan me origjinë arbëreshe, edhe pse DioGuardi qe për së paku tri dekada koordinatori i lobimeve pro-Kosovë në Kongres, në Senat dhe te presidentët amerikanë. Ai pati mobilizuar më shumë se një dyzinë kongresmenësh dhe senatorësh në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Kurti, duke e nderuar atë, në një farë mënyre shleu edhe borxhet e Hashimit dhe të tjerëve para tij për këtë burrë të shquar shqiptaro-amerikan.
Në SHBA, por edhe shqiptarët e dinë se kryeministri Kurti respekton ata që kontribuojnë për shtetin e Kosovës dhe nuk financon lobime për ndarjen e saj, ose për ta sjellë Serbinë në Prishtinë. Ky qëndrim po konsiderohet nga shumë opozitarë të Kosovës, por edhe nga Edi Rama, si ekstremizëm. Por askund në botë nuk është fenomen ekstremizmi mbrojtja e lirisë, pavarësisë, integritetit të vendit tënd dhe e shtetësisë dhe kushtetutshmërisë. Në këtë aspekt, Kurti u tregua i sinqertë, kur nga SHBA tha se “nuk mund të bëj kompromis me zbatimin e kushtetutës dhe të ligjit”! Nëse zbatimi i ligjit është ekstremizëm, kjo duhet të shërbejë atëherë për të ndryshuar manualet që përcaktojnë tiparet e ekstremizmit”.
Por Amerika ndjek politika interesante. Shpeshherë mendoj dhe besoj që diplomacia amerikane i bie pragut që të dëgjojë dera. Në rastin e Albin Kurtit, duket sikur po goditet kryeministri i Kosovës, por në fakt daullet janë për Aleksandër Vuçiq. Për t’i thënë atij se „Ne ju konsiderojmë njësoj! Ne nuk bëjmë dallime në trajtimin e liderëve politikë! Dhe se, kur ne godasim Albin Kurtin edhe pse ai zbaton ligjin dhe kushtetutën e vendit të tij, atëherë duhet të kujtohesh se çfarë ndodh me ty, Aleksandër, nëse ti shkel ligjin dhe të drejtën ndërkombëtare në marrëdhëniet me Kosovën”, ka shpjeguar Bytyçi.
Më tej, profesori Bytyçi e ka përmendur një deklaratë të ish-presidentit amerikan Bill Clinton në takimin me presidenten Vjosa Osmani.
Kjo, sipas tij, dëshmon për synimin e SHBA-ve për të mbyllur përfundimisht konfliktet në Ballkan.
“Një shprehje e Bill Clinton në takimin me Vjosa Osmanin ma përforcon mendimin se SHBA-të duan t’i shuajnë përgjithmonë konfliktet në Ballkan. Clinton tha se, kur dhashë urdhrin për të bombarduar Serbinë, isha i bindur për këtë edhe për shkak se Serbia nuk do të mund ta mbante Kosovën, sepse shqiptarët nuk do ta pranonin sundimin e saj dhe ata ishin gati të luftonin për këtë.
Pikërisht këtë aspekt të rëndësishëm të një realiteti të padiskutueshëm po përpiqet Albin Kurti ta rrënjosë te administrata amerikane. Kompromiset e paraardhësve të Kurtit, deri te lobimi për ndarjen e Kosovës, sikur e patën shlyer nga kujtesa faktin se shqiptarët nuk luftojnë për vendin e tyre, për territorin e tyre, për të drejtën që u takon. Përkundrazi, u duk se janë serbët ata që luftojnë edhe për tokën e të tjerëve, në rastin konkret të shqiptarëve. Kurti po jep mesazhet, për të cilat foli Clinton: se shqiptarët nuk pranojnë kompromise për integritetin territorial, për zbatimin e kushtetutës e të ligjit në territorin e Kosovës”, ka theksuar ai.
Në fund, Bytyçi ka kritikuar ashpër opozitën dhe disa media në Kosovë, të cilat e quajnë qëndrimin e Kurtit “tradhti” dhe bashkëpunim me Vuçiqin.
“Opozita këtë akt e quan „tradhti“! E quan „bashkëpunim të Albin Kurtit me Aleksandër Vuçiq“! Hapni videot dhe dëgjoni çfarë narrative pro-serbe na japin analistët shqiptarë. E turpshme, e turpshme dhe njëmijë herë e turpshme! Opozita, gjithashtu, dhe media e saj e trajton këtë qëndrim si shërbim ndaj Serbisë. Ndërkohë që gjuha e saj është njëqind për qind gjuhë e Serbisë dhe e Listës Serbe. Në vend që të bashkohen për të respektuar ligjin dhe kushtetutën, organizojnë festa me shampanjë, kur Gjykata Kushtetuese e shkel vetë ajo kushtetutën në favor të opozitarëve dhe Listës Serbe!”, ka përfunduar Bytyçi