Detyrimi për votim të deputetit të Listës Serbe, normë e re kushtetuese” - Kelmendi ka një paralajmërim të ashpër

Politika

Detyrimi për votim të deputetit të Listës Serbe, normë e re kushtetuese” - Kelmendi ka një paralajmërim të ashpër

Nga: A.SH Më: 2 tetor 2025 Në ora: 14:01
Gjykata Kushtetuese

Juristi Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot”, ka kritikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ai tejkalon kompetencat e saj.

Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës nuk e obligon deputetin të votojë për një propozim të caktuar dhe nuk parashikon afate të tilla, por vetëm mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve me shumicë votash.

Kelmendi shprehet se vendimi i gjykatës krijon norma të reja juridike jashtë kuadrit kushtetues dhe bie ndesh me parimet e demokracisë liberale, duke cenuar lirinë e vendimmarrjes së deputetëve dhe formën demokratike të ndërtimit të pushtetit.

Ai thekson se në shtetet demokratike, gjykata nuk duhet të imponojë vendime të tilla që tejkalojnë rolin e saj.

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk është organ legjislativ (Kuvend) që me ligj t’i detyrojë deputetët për të votuar ndonjë deputet të ndonjë partie politike.

Deputetët janë të lirë për të vendosur dhe për të votuar.

Neni 67 par.4 i Kushtetutës tregon vetëm mënyrën me shumicë votash që zgjidhen nënkryetarët.

Ai nen kushtetues nuk obligon votimin për a kundër, si dhe as votimin e domosdoshëm për një propozim.

Në Kushtetutë nuk ka afate.

Kushtetuta kërkon që deputetët të njohin shtetin. Mosnjohja e shtetit e largon çdo deputet nga Kuvendi i Kosovës.

Normat kushtetuese janë të qarta.

Afatet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese janë norma të reja juridike.

Detyrimi për votim të deputetit të Listës Serbe është normë e re kushtetuese.

Me këtë vendim të gjykatës është vepruar kundër Kushtetutës dhe formës demokratike të ndërtimit të pushtetit.

Demokracia liberale dhe Kushtetuta e Kosovës nuk lejojnë këso gjykate dhe kësi vendimeve në shtetet demokratike”, shpejgon ai.

Kujtomë, se të martën Kushtetuesja publikoi vendimin ku ka konstatuar se seanca konstitutive nuk ka përfunduar, për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e pakicave serbe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat