Kuvendi i Kosovës vazhdon të jetë i pa konsitituar plotësisht, kjo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila të martën ka thënë seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar, dhe që ajo duhet të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj të 30 shtatorit.
Ky vendim i gjykatës, është për shkak të mos zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.
"Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës", thuhet në njoftimin e Kushtetueses.
Ajo i ka urdhëruar deputetët që "në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit".
Duke u bazuar në këtë aktgjykim dhe duke mos u thirrë seanca ende, nënkuptohet që procesi mund të marrë më shumë kohë se një javë dhe kështu kuvend nuk parashihet të ketë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Sipas raportimeve zgjedhjet janë të pashmangshme dhe ato mund të mbahen pas rezultateve të zgjedhjeve lokale.
Madje ka deklarime se opozita në Kosovë mund të shfrytëzojë rezultatet në komunat në veri të Kosovës.
Domethënë, nëse fiton Lista serbe, atëherë ato do ta shfrytëzojnë rastin ta sulmojnë kryeministrin Kurti se ka rikthyer atë në qeverisje lokale, ndërsa pozita do ta shfrytëzojë mos votimin e tyre për Nenad Rashiq dhe vendimin e fundit të Gjykatës kushtetuese për t’i nxjerr pro Listës serbe.
Jo interes partiak, por interes kombëtar
Avokati Gazmend Halilaj, thotë se partitë opozitare në vend se të shfaqin unitet përballë një çështje me rëndësi të madhe kombëtare, krijohet perceptimi se ata bëjnë vetëm kalkulime partiake.
Sipas tij, interesi kombëtar duhet të qëndrojë mbi interesin e ngushtë partiak.
“Deklarimet e fundit të opozitës, ku Kurti akuzohet si “pro-serb”, të kombinuara me mospjesëmarrjen e tyre në procesin e votimit, kanë efekt të drejtpërdrejtë: fuqizojnë Listën Serbe si faktor politik. Në vend që të shfaqet një unitet përballë një çështjeje me rëndësi të madhe kombëtare, po krijohet perceptimi se partitë opozitare po përdorin veriun si instrument për kalkulime të ngushta partiake. Ky qasje është e rrezikshme. Interesi kombëtar duhet të qëndrojë mbi interesin e ngushtë partiak”, deklaron Halilaj për “Bota sot”.
Sipas tij, nëse opozita vazhdon ta instrumentalizojë veriun për ta sulmuar Qeverinë, humbësi i vetëm është Kosova.
“Çështja e veriut të Kosovës është çështje e shtetit, jo e një partie të vetme, dhe si e tillë kërkon qasje të përbashkët, serioze e të përgjegjshme. Lëvizja Vetëvendosje, pavarësisht kritikave, ka mbajtur qëndrim të qartë se sovraniteti dhe barazia para ligjit nuk mund të negociohen. Prandaj, mbështetja për këtë kurs është mbështetje për shtetin e së drejtës dhe për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës. Nëse opozita vazhdon ta instrumentalizojë veriun për ta sulmuar Qeverinë, humbësi i vetëm është Kosova. Përgjegjësia e klasës politike është të tregojë unitet kur është në pyetje interesi kombëtar, sepse historia nuk do t’i gjykojë për fitoret e vogla partiake, por për aftësinë ose dështimin për ta mbrojtur shtetin”, deklaron Halilaj.
Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Lista Serbe e kishte mirëpritur, madje e konsideronin “fitore të vogël”, por të rëndësishme për popullin serb.
“Duke pasur parasysh se gjykata nuk na dha vendimin e plotë, do të përmbahemi nga komentimi i mëtejshëm i vendimit”, ka thënë kjo parti përmes një postimi në Instagram.
Ndërlidhja e afatit 12 ditësh me rezultatet e zgjedhjeve të 12 tetorit
Ndërsa, analisti Gani Qarri, thotë se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj praktikisht urdhëron deputetët që detyrimisht t’ia dhurojnë 61 vota dorës së zgjatur të Aleksandër Vuçiqit në Kosovë.
Sipas tij, Gjykata merr guximin edhe ta shkel kushtetutën.
“Përkundër faktit se e ashtuquajtura "listë serbe" prej se është themeluar nga tandemi Thaçi & Vuçiq, kurrë nuk ka treguar as respektin më të vogël për Republikën e Kosovës, është dëshmuar se edhe pjesëtarët e kryesisë së saj, ishin pjesëmarrës aktiv në veprimtaritë terroriste dhe kriminale të Millan Radojçiqit, madje Radojçiqin, ajo e kishte edhe "nënkryetar", e cila ende edhe sot mban tubime me himn e flamur të Serbisë në Kosovë, si dhe nuk e njeh shtetin e Kosovës, megjithatë Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj HABITOR, praktikisht urdhëron deputetët shqiptar, që detyrimisht t`ia dhurojnë 61 vota dorës së zgjatur të Aleksandër Vuçiqit në Kosovë. Precedent i padëgjuar askund, në asnjë parlament në botë, ndoshta edhe për faktin që parlamentet e vendeve tjera të botës, nuk kanë "një të ashtuquajtur "listë serbe" si ne, as një Gjykatë Kushtetuese" si kjo e jona, (qoftë e tillë), e cila nuk është hera e parë, që jo vetëm se lë shumë për të dëshiruar, ajo në vend të interpretimit të Kushtetutës, merr guximin edhe ta shkel Kushtetutën, duke shkuar deri atje, sa edhe të "interferojë", që nënkryetari i Kuvendit nga pakica serbe, të mos votohet me vullnetin e deputetëve, as të mos vije nga ndonjë segment tjetër serb, por detyrimisht të jetë një "nënkryetar" nga e ashtuquajtura "listë serbe"”, deklaron Qarri.
Sipas tij, Gjykata sikur pretendon të vendosë precedent të vendeve më diktatoriale, duke imponuar vendime politike mbi vullnetin e lirë të deputetëve, në një shtet demokratik si Republika e Kosovës.
“Dhe siç shprehet ish Nënkryetari i nderuar i Gjykatës Kushtetuese prof. dr. Kadri Kryeziu, Gjykata Kushtetuese në përbërjen aktuale, në vend se të dal me një vendim plotësisht kushtetues dhe të obligueshëm ligjor, me të cilin përfundimisht do ta urdhëronte të ashtuquajturën "listë serbe", që nëse dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje dhe jetën politike në Kosovë, ta njoh shtetin dhe respektojë Republikën e Kosovës, të distancohet urgjentisht nga kryeterroristi Millan Radoiçiqi e organizatat terroriste serbe, ajo ka nisur të fabrikojë vendime të porositura që pa vullnetin politik të shumicës, deshën apo jo deputetët shqiptar, nënkryetari nga pakica serbe, të jetë me patjetër nga e ashtuquajtura “listë serbe”! Madje megjithëse edhe vet gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, janë plotësisht të vetëdijshëm se asnjë Kuvendi në botë nuk mund ti imponohet, që me urdhër gjykate ti grumbullojë votat për nënkryetarin e një segmenti të caktuar, qoftë ai edhe nga e ashtuquajtura "listë serbe", kjo Gjykatë sikur pretendon të vendosë precedent të vendeve më diktatoriale, duke imponuar vendime politike mbi vullnetin e lirë të deputetëve, në një shtet demokratik si Republika e Kosovës, e cila është vlerësuar në vendin e parë në Evropë dhe të 3-tin në botë, për rend e ligj, akt madhor ky, që nuk i lë hapësirë as Gjykatës Kushtetuese, të nxjerrë vendime detyruese, kundërkushtetuese dhe diktatoriale, për favorizimin e dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturës "listë serbe" dhe nënshtrimin para saj, të 95% të shumicës shqiptare....”, shprehet Qarri.
Ai vendimin për konstituim për 12 ditë e konsideron të qëllimshëm, duke e lidhur me daljen e rezultateve nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit
“Në fakt, me gjithë druajtjen e shprehur nga shumë njerëz, anë e mbanë Kosovës, pretendime si IRONIA e fundit, me të cilën edhe pse nuk ka ndodhur asnjëherë në 26 vitet e pasçlirimit të Republikës, Gjykata Kushtetuese u kthye nga interpretuese e Kushtetutës në shkelëse të saj dhe diktuese të veprimeve politike, duke "deklaruar" se pa zgjedhjen e nënkryetarit nga pakica serbe, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk paska përfunduar. Dhe megjithëse ende nuk ka dalë me sqarim të plotë as arsyetim të bazuar ligjor mbi vendimin e fundit ironik të saj, ajo "urdhëron" deputetët, që brenda afatit prej 12 ditëve nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, ta konstituojnë Kuvendin, në mënyrën si dikton Gjykata Kushtetuese. Edhe dalja me afat prej 12 ditësh, praktikisht nënkupton shtyrjen e konstituimit të Kuvendit deri më 12 tetor, që lë të nënkuptohet se ky vendim, lidhet qëllimisht, me daljen e rezultateve nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit, dhe krejt këtë, me porosi dhe diktim për t`ia mundësuar opozitës që përmes rezultateve komunale, të të ashtuquajturës "listë serbe" në veri të Kosovës– fitoren e dorës së zgjatur të Vuçiqit në Kosovë, ta përdorë si argument, për ta dobësuar politikisht, kryeministrin Albin Kurti”, pohon analisti.
Ai thotë se opozita e ka kthyer në faktor vendimtar Listën Serbe, duke konsideruar se është fat i keq për qytetarët dhe precedent i rrezikshëm.
“Kështu që opozita me mospjesmarrjen në votim, ndërsa kushtetuesja me armatosjen e të ashtuquajturës "listë serbe" me veto-precedenciale, për herë të parë në Kosovën e çliruar nga Serbia okupatore, e kanë kthyer shërbëtoren e Aleksandër Vuçiqit ("listën serbe") në faktor vendimtar mbipolitik e determinues të të gjithë legjislativit të vendit, si dhe "pengesë" të përhershme të (mos)krijimit institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës. Akt me të cilin për fatin e keq të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, përfundimisht po krijohet precedent i ri, dhe më i rrezikshëm që ka mundur të ndodhte në Kosovën e pasluftës, ku në vend të unitetit dhe njëzëshmërisë së faktorit shqiptar, për ruajtjen e paprekshmërisë politike të shtetit, si dhe mbrojtjen konsekuente të interesit kombëtar si shumica dërmuese e këtij vendi, partitë opozitare dhe dora e saj juridike-Gjykata Kushtetuese po e keqpërdorin ndërveprueshmërinë e tyre konstante, si konsekuencë për shkeljen e Kushtetutës dhe rrezikimin e mbarëvajtjes së shtetit të Kosovës, për favorizimin politik të të ashtuquajturës "listë serbe" dhe përdorimin e saj si pykë, për pengimin e mbarëvajtjes së shtetit dhe thellimin sa më të madh të ndasive ndërmjet partive shqiptare”, përfundon Qarri.