Rikthehet frika e viteve ’90 – Mustafi alarmon për presion dhe diskriminim të shqiptarëve në Preshevë!

Politika

Rikthehet frika e viteve ’90 – Mustafi alarmon për presion dhe diskriminim të shqiptarëve në Preshevë!

Nga: A.M Më: 4 tetor 2025 Në ora: 14:59
Flamuri i Shqipërisë.

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka komentuar zhvillimet e fundit në Luginën e Preshevës, duke i cilësuar si sulme të drejtpërdrejta ndaj ndjenjës së sigurisë dhe mirëqenies së komunitetit shqiptar.

Duke iu referuar grafiteve provokuese të shfaqura kohët e fundit, Mustafi tha se “këto shfaqje e rikthejnë traumën kolektive të shqiptarëve”, duke shkaktuar ankth, pasiguri dhe ndjenjën se ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë qytetarët.

Ai shtoi se këto veprime dëmtojnë rëndë marrëdhëniet ndëretnike dhe nxisin polarizim, duke kërkuar reagim të menjëhershëm institucional dhe bashkëpunim mes liderëve lokalë, si shqiptarë ashtu edhe serbë, për të dënuar aktet që glorifikojnë krimin.

Image
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi

“Këto shfaqje e rikthejnë traumën kolektive të shqiptarëve. Tek njerëzit krijojnë ankth, pasiguri dhe një ndjesi të fortë se ligji nuk vlen njësoj për të gjithë. Përveç kësaj, i dëmtojnë marrëdhëniet ndëretnike, sepse ushqejnë mosbesimin dhe polarizimin. Reagimi duhet të jetë i menjëhershëm dhe institucional: grafitet të hiqen, autorët të gjykohen dhe udhëheqësit lokalë, shqiptarë e serbë, të dalin me mesazhe të përbashkëta kundër glorifikimit të krimit. Por kjo është tashmë e pamundshme, përderisa SNS-i i Vuçiqit është në pushtet në komunën e Bujanocit”, deklaroi Mustafi.

Krahas kësaj, ish-kryetari i KKSH-së komentoi edhe paralajmërimin për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi, duke theksuar se kjo ide ngjall pasoja të rënda psikologjike dhe sociale te shqiptarët e Luginës.

“Çdo diskutim për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak e ringjall frikën e viteve ’90, kur shqiptarët përjetuan diskriminim dhe humbje tragjike në radhët e APJ-së.”

Sipas Mustafit, rikthimi i mundshëm i këtij shërbimi do të perceptohet si një formë e re presioni ndaj shqiptarëve dhe si i tillë është i papranueshëm.

“Shqiptarët e Luginës e shohin me shqetësim të madh këtë ide. Është e papranueshme, pavarësisht, kjo do të perceptohet si një mekanizëm i ri presioni ndaj shqiptarëve”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, Mustafi bëri thirrje që institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare të ndjekin me vëmendje situatën në Luginë dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar të drejtat dhe sigurinë e shqiptarëve në Serbi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat