Situata politike në Kosovë po hyn në një fazë të re të pasigurisë dhe diskutimeve intensive, teksa kërkesat për zgjedhje të parakohshme parlamentare po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje.
Në këtë kontekst, një propozim i ri politik ka ardhur nga kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, e cila sugjeron formimin e një qeverie të përkohshme me mandat të kufizuar legjislativ para mbajtjes së zgjedhjeve.
Ky propozim vjen në një moment kritik, kur polarizimi politik, sfidat në dialogun me Serbinë dhe pritshmëritë e qytetarëve për stabilitet institucional kërkojnë zgjidhje pragmatike dhe konsensuale.
Kusari-Lila theksoi domosdoshmërinë e një marrëveshjeje politike në Kuvend për të garantuar funksionimin institucional, miratimin e buxhetit për vitin 2026 dhe përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare, veçanërisht në raport me Bashkimin Evropian.
“Unë mendoj që zgjedhjet janë të domosdoshme për shkak se ka kaluar një kohë e gjatë, kanë kaluar gjashtë muaj prej fillimit të seancës konstituive, ndërsa janë tetë muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe ne ende sot nuk kemi Kuvend të konstituuar. Në situatën e tillë, vendimi më demokratik dhe në përputhje edhe me obligimin që e kemi si përfaqësues të popullit ndaj qytetarëve që na kanë votuar, është që të kthejmë mandatin te ta. Nëse për tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe gjashtë muaj pas thirrjes së seancës së parë konstituive ne jemi në këtë situatë çfarë jemi sot, ne duhet t’iu drejtohemi kutive të votimit. Secili nga pozicioni që ka, të tregojë e të kërkojë nga qytetarët qartësi për rrugëtimin tutje...19:17 Në situatën aktuale nuk po shoh zgjidhje tjetër më të favorshme sesa mbajtja e një palë zgjedhjesh të jashtëzakonshme të nivelit nacional, e cila pastaj do të ofronte qartësi edhe në mundësinë e koalicioneve”, nënvizon Kusari-Lila.
Në këtë sfond, propozimi i saj rihap debatet për mënyrën më të mirë për të menaxhuar tranzicionin politik në vend, pa rrezikuar interesat shtetërore.
E për këtë temë, folën njohësit e çështjeve politike.
Gacaferi: E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet për të dal nga kjo bllokadë
Anëtari i Listës ‘Guxo’, Luan Gacaferi, në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se jo vetëm Kusari-Lila, por të gjithë e dijnë se zgjedhjet janë e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo blllokadë.
Madje, ai shpreson që partitë të gjëjnë mirëkuptim për zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Jo vetëm Zonja Mimoza Kusari, por secili njeri me logjikë të shëndosh dhe racionale e di që e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet për të dal nga kjo bllokadë e cila është produkt i opozitës të cilët edhe sot e kësaj dite nuk po arrijnë të pajtohen që zt. Kurti i ka fituar zgjedhjet e jo ata!
Unë dua të shpresoj që minimalisht për zgjedhje të jashtëzakonshme do gjejnë gjuhë të përbashkët partitë politike parlamentare!”.
Krahas kësaj, Gacaferi potencoi se është praktikë që në një situatë të tillë të bëhet një qeveri e pakicës deri të mbahen zgjedhjet e reja.
“Praktika na mëson se në raste si këto kur bllokada bëhet e pakalueshme arrihet një marrëveshje për një qeveri të pakicës e cila pastaj e qeverisë vendin deri në pranverë, kur edhe duhet të shkojmë në zgjedhje edhe shkaku i postit të presidentit, të vendit i cili skadon në mars apo prill të 2026!”, nënvizoi ai.
Në këtë pikë, anëtari i “Guxo”, tha se në këtë mënyrë do votohej buxheti për vitin 2026 dhë më pas do caktohej data për zgjedhje.
“Le ta votojnë buxhetin për 2026, ta caktojnë datën e zgjedhjeve dhe kështu dalim nga kjo bllokadë e pakuptimtë, ku më se shumti e vuajnë qytetarët e qe më se paku janë fajtor për inatet e opozitës”, përmbylli Luan Gacaferi për “Bota sot”.
Kelmendi: Kosovës i duhen Kuvendi dhe Qeveria
Kurse, profesori Muhamet Kelmendi tha se zgjidhjet për dalje nga ky ngërç janë të pakta.
Ai në prononcimin për “Bota sot” mbështeti propozimin për qeveri të përkohshme, gjë e cila sipas tij do e zgjidhte bllokadën për një kohë të caktuar.
Mirëpo, ka dyshime nëse partitë politike do jenë të gatshme për këtë vendim.
“Republika është në udhëkryq, zgjidhjet janë të pakta.
Në këtë situatë, natyrisht që kërkohet konstituimi i Kuvendit dhe krijimi i një Qeverie të përkohshme. Kjo është një zgjidhje e arritshme për vendin.
Por, për krijimin e saj kërkohet një marrëveshje politike ndërmjet subjekteve politike.
Sa janë të gatshme subjektet për një marrëveshje të tillë, nuk kemi të dhëna konkrete. Deri më tani, ato janë deklaruar kundër çdo marrëveshjeje”.
Krahas kësaj, Kelmendi potencoi se nuk dihet nëse partitë kanë interes për të formuar qeverinë e re, ndonëse theksoi tri pika për të cilat formimi i institucioneve është i domosdoshëm.
“A ka Lëvizja Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK dhe NISMA ndonjë interes për të formuar Kuvendin dhe, rrjedhimisht, edhe Qeverinë? Për momentin nuk dihet, sepse nuk ka deklarime të qarta.
A ka nevojë Kosova për Kuvend dhe Qeveri?
Së pari, për të ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare, sidomos atë me Bashkimin Evropian.
Së dyti, për të miratuar Ligjin për Buxhetin e vitit 2026 për Republikën.
Së treti, për të përgatitur vendin për zgjedhje të reja dhe për zgjedhjen e Presidentit në vitin e ardhshëm”.
Në fund, kërkoi reflektim nga partitë për formim të Kuvendit dhe Qeverisë, pasi në pyetje janë interest shtetërore.
“Është e qartë se interesat janë jetike.
Prandaj, është e udhës që subjektet politike të reflektojnë dhe të ndërtojnë Kuvendin dhe Qeverinë.
Kjo do ta ndihmonte shumë Republikën”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.