“Përjashtojeni Vuçiqin!” – Eksperti austriak ‘shpërthen’ pas përplasjes së presidentit serb me Osmanin – ja mesazhi i tij

Politika

“Përjashtojeni Vuçiqin!” – Eksperti austriak ‘shpërthen’ pas përplasjes së presidentit serb me Osmanin – ja mesazhi i tij

Nga: A.M Më: 7 tetor 2025 Në ora: 08:01
Liderët e Ballkanit Perëdimor mblidhen në Durrës të Shqipërisë për Samitin Bërdo-Brioni, 6 tetor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se tentoi “të prishte takimin” e Bërdo-Brionit që u mbajt në Durrës, por shtoi se në fund udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor me unanimitet miratuan një deklaratë të përbashkët të samitit.

Pas samitit, Osmani tha se Vuçiq, iu drejtua samitit me “ofendime dhe arrogancë”.

E në lidhje me këtë qasje të presidentit të Serbisë dhe qasjen që duhet ta ketë BE ndaj tij, foli ekpserti austriak, Gunther Fehlinger.

Së pari, tha se gjuha e përdorur nga Vuçiq është e papranueshme dhe e dëmton frymën evopriane.

Madje, vlerëson se duhet të merren masa ndëshkuese ndaj një personi të tillë që, vazhdon të sulmojë fqinjët dhe të lavdërojë agresionin.

Image
Gunther Fehlinger.

“Përdorimi i përsëritur i fyerjeve dhe gjuhës konfrontuese nga Presidenti Vuçiq ndaj Kosovës dhe udhëheqjes së saj jo vetëm që është mungesë respekti, por edhe minon frymën evropiane të bashkëpunimit që procesi Brdo-Brioni synon të promovojë.

Një sjellje e tillë duhet të ketë pasoja në kontekstin e integrimit evropian. Një udhëheqës që vazhdon të sulmojë fqinjët dhe të lavdërojë agresionin, nuk mund të aspirojë në mënyrë të besueshme ta udhëheqë vendin e tij drejt Bashkimit Evropian.

Statusi i kandidatit të Serbisë për anëtarësim në BE duhet të pezullohet menjëherë.

Presidenti Vuçiq duhet të izolohet dhe të gjitha ftesat ndaj tij të anulohen.

Vuçiq është i përjashtuari i Ballkanit”, deklaroi ai.

Kurse, Fehlinger mbështeti presidenten Osmani dhe sjelljen e saj diplomatike, e që konsideron se po e përfaqëson mjaft me dinjitet Kosovën në takimet dhe samitet ndërkombëtare.

“Presidentja Vjosa Osmani, në të kundërt, ka treguar pjekuri dhe qëndrueshmëri diplomatike. Pavarësisht provokimeve, ajo e përfaqëson Kosovën me dinjitet, përkushtim ndaj vlerave euroatlantike dhe një orientim të qartë drejt paqes dhe anëtarësimit në NATO e BE.

Pjesëmarrja dhe suksesi i saj në sigurimin e një deklarate të përbashkët unanime në Durrës dëshmojnë se Kosova po sillet si një aktore evropiane e përgjegjshme, së shpejti anëtare e Këshillit të Evropës – dhe se metodat e vjetra përçarëse të Serbisë po humbasin efektivitetin”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, eksperti austriak shtoi se, nën udhëheqjen e Osmanit, diplomacia e Kosovës po bën një punë të shkëlqyer.

Kurse, sa i përket Vuçiqit, ai kërkoi që partia e tij të përjashtohet nga familja evropiane, ndërsa Serbia të mbetet jashtë organizatave më të fuqishme ndërkombëtare.

“Shpresojmë që ky skandal i fundit do të çojë në kërkesën e LDK-së ndaj PPE-së për përjashtimin e partisë së Vuçiqit nga familja evropiane e partive politike.

Diplomacia e Kosovës, nën udhëheqjen e Presidentes Osmani, po bën një punë të shkëlqyer – e vendosur në parime, konstruktive në ton dhe në përputhje me të ardhmen evropiane dhe demokratike të të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Serbia, përjashtimisht, duhet të mbetet jashtë NATO-s, BE-së, OBT-së, OSBE-së, OECD-së, Këshillit të Evropës dhe Zonës Shengen deri më 2029”, përfundoi Gunther Fehlinger për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat