Sot është publikuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës aktgjykimi i plotë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, ky publikim po shihet si i vonuar.
Analisti politik, Ismail Muçiqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka hedhur kritika ndaj Gjykata Kushtetuese.
“Më thotë mendja se i gjithë spektri politik në Kosovë dhe institucionet shtetërore tashmë janë politizuar skajshmërisht, duke tejkaluar çdo normë të një shoqërie normale që e kërkon koha dhe momenti. Gjykata Kushtetuese, si institucioni më i lartë politik e juridik i shtetit të Kosovës, për shkak të ndikimeve politike, që nga fillimi është dashur që në mënyrë vendimtare të sjellë një aktgjykim i cili do t’i hapte rrugë zgjidhjes së këtij problemi të stërzgjatur e të neveritshëm, i cili po e rrezikon funksionimin e shtetit. Edhe tani, duke e zvarritur aktgjykimin, Gjykata Kushtetuese po i kontribuon polarizimit, përçarjes dhe tensioneve në skenën politike të Kosovës”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka përmendur pasojat nga vonesa e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Nuk mund të vlerësohet ndryshe ajo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese. Zvarritja e këtij problemi shtetëror e kombëtar, dhe mosreagimi i Gjykatës Kushtetuese për ta zhbllokuar krizën, nuk le vend për koment tjetër.
Pasojat janë shumëdimensionale:
1. Shteti i Kosovës po funksionon pa institucione kushtetuese.
2. Imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare po zbehet, gjë të cilës po i kontribuojnë partitë politike që nuk tregojnë përgjegjësi ndaj vendit”, ka deklaruar ai.