Lista Serbe rikthehet në zgjedhje: A po hapet dera për një tjetër skenar destabilizues të Vuçiqit në Kosovë?

Politika

Lista Serbe rikthehet në zgjedhje: A po hapet dera për një tjetër skenar destabilizues të Vuçiqit në Kosovë?

Nga: A.M. Më: 11 tetor 2025 Në ora: 22:09
Foto ilustrim

Në këto zgjedhje lokale, për dallim nga ato të kaluara, në skenën zgjedhore do të rikthehet edhe Lista Serbe – një subjekt politik që për një kohë të gjatë ka qëndruar jashtë institucioneve të Kosovës, duke kontribuar në dobësimin e funksionimit demokratik në komunat veriore të vendit.

Ky rikthim ngjall dilema të mëdha, jo vetëm në lidhje me arsyet që qëndrojnë pas vendimit për të marrë pjesë, por edhe për shkallën e ndikimit të mundshëm të Serbisë në procesin zgjedhor dhe në jetën institucionale të këtyre komunave.

E në lidhje me atë se çfarë skenarë mund të përgatis Lista Serbe, për “Bota sot” foli profesori Eshref Ymeri.

Së pari, ai u shpreh se nëse Lista Serbe planifikon ndonjë skenar ndaj kandidatëve shqiptarë, atëherë veçse konfirmohet se ajo është në shërbim të Beogradit.

Madje, ai tha se nëse serbët e Kosovës votojnë kandidatët e LS-së, kjo do të thotë se ata përfundimisht nuk dëshirojnë të jetojnë në harmoni dhe paqe me shqiptarët.

“Në qoftë se Lista Serbe do të sajojë ndonjë skenar kundër kandidatëve dardanë, atëherë do të rezultojë se kjo strukturë është fund e krye në shërbim të Serbisë fashiste dhe shërben si një trup i huaj në Republikën e Dardanisë. Por nëse minoriteti serb në Mitrovicën e Veriu do të rreshtohet në krah të Listës Serbe, atëherë duhet arritur në përfundimin se ai nuk dëshiron të bashkëjetojë në paqe dhe në harmoni me popullin dardan, sepse, paradoksalisht, trevën ku jeton e konsideruaka “pjesë të territorit serb”. Prej këtej vjen përfundimi tjetër se minoriteti në fjalë vazhduaka të qëndrojë në të njëjtën llogore me mbarë popullin shovinist serb, i cili, në qëndrimin ndaj Republikës së Dardanisë, është i rreshtuar plotësisht në përkrahje të kryekriminelit Aleksandër Vuçiç”.

Gjithashtu, Ymeri përmendi edhe sulmet ndaj politikanit opozitar serb, Sanduloviq, vetëm se përkrahu Kosovën dhe nderoi Memorialin e Adem Jasharit.

Image
Eshref Ymeri.

“Një përkrahje të tillë, populli shovinist serb e dëshmoi publikisht me qëndrimin e turpshëm që mbajti me heshtjen ndaj politikanit opozitar serb Nikola Sanduloviç. Ai popull shovinist nuk u ndie për i gjallë, kur policia fashiste serbe dhe shërbimi sekret kriminal serb e patën torturuar barbarisht opozitarin Nikola Sanduloviç, vetëm e vetëm se ai pati vendosur nj tufë me lule në Memorialin e Adem Jasharit. Pra, populli shovinist serb të kujton popullin shovinist rus, i cili, megjithëse që prej 22 shkurtit të vitit 2022, kur Rusia fashiste sulmoi Ukrainën, dhe deri tani janë vrarë më shumë se një milion ushtarë dhe oficerë rusë, vazhdon të përkrahë me pasion të madh kryebanditin e Kremlinit, Vladimir Putin”, shtjelloi ai.

Krahas kësaj, profesori kërkoi nga liderët e Kosovës të bashkëpunojnë me ndërkombëtarët, pasi Serbia pas zgjedhje lokale, mund të planifikojë ndonjë sulm ndaj shtetit tonë.

“Kryeudhëheqësit në Prishtinë duhet të kenë parasysh se pas zgjedhjeve të 12 tetorit ose më vonë, Serbia fashiste mund të ndërmarrë ndonjë sulm kundër Republikës së Dardanisë. Duke pasur parasysh se Brukseli ka vendosur sanksione paradoksale dhe Uashingtoni ka pezulluar Dialogun Strategjik me Republikën e Dardanisë, mund të rezultojë që, në rast të ndonjë agresioni serb, mund të vihet në dyshim përkrahja e NATO-s. Prandaj, në këto kushte, udhëheqësit dardanë duhet t’i kthejnë sytë gjetiu”, nënvizoi ai.

Në fund, Ymeri u kthye pas në histori dhe kujtoi disa ngjarje tragjike në vitet e 90-ta në Shqipëri dhe duke komentuar ato, kërkoi që Kosova të nënshkruaj në traktat me Tuqinë në nivelin ushtarak.

“Me këtë rast, duhen risjellë në kujtesë ngjarjet tragjike të vitit 1997 në Shqipëri. Asokohe, Athina karagjoze i pati mbushur mendjen vetes se “deti qe bërë kos” në Shqipëri dhe forcat e armatosura i afroi pranë kufirit shqiptar, për të ndërhyrë në Shqipërinë e Jugut, me pretendimin idiot për “mbrojtjen” e minoritetit grek, por, në të vërtetë, për të pushtuar të ashtuquajturin Epir i Veriut. Por atëherë, Kryeministrja emblematike turke, Zonja e nderuar Tansu Çiller (1946), në zbatim të një traktati të fshehtë ushtarak, që ishte nënshkruar në vitin 1992 midis Presidentit Sali Berisha dhe Presidentit Turgut Ozal, u deklarua garante e drejtpërdrejtë e ruajtjes së kufijve të Republikës së Shqipërisë. Zonja Tansu Çiller i dha ultimatum të prerë Athinës, se “nëse brenda 24 orëve nuk tërhiqen trupat greke, atëherë do t’ju pushtojmë brenda një ore, për një orë shkrumbohet Athina, kush prek Shqipërinë, ka prekur dhe Turqinë” (Citohet sipas ““Gruaja e hekurt” e Turqisë që garantoi kufijtë e Shqipërisë, kur hynë grekët në vitin 1997”. Faqja e internetit “Gazeta Shqip”. 25 maj 2020). Kështu i tha presidentit grek të asaj kohe. Pas asaj deklarate kërcënuese, Athina u tërhoq me bisht ndër shalë dhe në shtypin shqiptar Zonja Tansu Çiller u quajt “Zonja e çeliktë”.

Prandaj do të ishte me shumë lëverdi për Republikën e Dardanisë nënshkrimi i një Traktati Ushtarak me Republikën e Turqisë”, përmbylli Eshref Ymeri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat