Rikthimi i Listës Serbe në komunat veriore të Kosovës pas zgjedhjeve të 12 tetorit ka ndezur shqetësime serioze për sigurinë dhe stabilitetin institucional në rajon.
E në një bashkëbisedim me “Bota sot”, për këtë çështje ka folur, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Ai theksoi se ky zhvillim politik nuk duhet parë thjesht si një proces demokratik, por si një përpjekje të Beogradit për të ruajtur ndikimin e tij përmes strukturave të kontrolluara politikisht, duke përdorur Listën Serbe si një instrument të sofistikuar për të penguar integrimin dhe për të mbajtur nën presion institucionet qendrore të Kosovës.
“Rikthimi i Listës Serbe në pushtet në komunat veriore (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut) pas zgjedhjeve të 12 tetorit paraqet një moment delikat për sigurinë dhe stabilitetin institucional në veri të Kosovës. Ky rezultat zgjedhor, megjithëse pjesë e një procesi demokratik, duhet parë në kontekstin e strukturave të kontrolluara politikisht nga Beogradi, të cilat tradicionalisht e kanë përdorur Listën Serbe si instrument politik, inteligjent dhe hibrid për të ruajtur ndikimin mbi territorin dhe komunitetin serb në Kosovë”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, eksperti konsideron se, kjo fitore e LS-së në komunat veriore të shtetit tonë, mund të përkthehet në rikthim të tensioneve dhe rrezik që përmes pushtetit lokal kjo parti me direktivat e Beogradit, mund të synojë të bllokojë zbatimin e vendimeve të institucioneve të Kosovës.
“Në aspektin e sigurisë, rikthimi i Listës Serbe nënkupton një riformësim të kontrollit të drejtpërdrejtë të Serbisë mbi institucionet lokale, gjë që mund të përkthehet në kthim të tensioneve të menaxhuara, veçanërisht në rastet kur Prishtina ndërmerr masa për integrimin funksional të strukturave të rendit dhe ligjit. Rreziku kryesor është që Beogradi, përmes Listës Serbe, të shfrytëzojë pushtetin lokal për të bllokuar zbatimin e vendimeve të institucioneve qendrore dhe për të krijuar tensione të kontrolluara me qëllim të forcimit të narrativës për "autonominë veriore" ose “bashkësinë e komunave me shumicë serbe””, shtjelloi ai.
Ndër të tjera, Shala tregoi se çka mund të pritet në nivel operativ, derisa kërkoi nga organet e drejtësisë dhe sigurisë së Kosovës, që të rrisin monitorimin e strukturave komunale.
“Në nivel operativ, mund të priten:
Aktivizime të strukturave paralele të sigurisë dhe rrjetit informativ të BIA-s në veri;
Provokime simbolike përmes flamujve, protestave apo incidenteve me policinë e Kosovës;
Kampanja të reja dezinformuese që synojnë të portretizojnë Kosovën si faktor të tensionit, ndërkohë që synohet dobësimi i autoritetit të institucioneve legjitime në terren.
Në këtë fazë, FSK, Policia e Kosovës dhe agjencitë e inteligjencës duhet të rrisin monitorimin e strukturave komunale, kanaleve të komunikimit me Beogradin dhe rrjeteve të mbështetjes financiare e logjistike, pasi këto do të jenë indikatorët e parë të një eskalimi të planifikuar”, përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”.