Protesta në Tiranë, “shpërthen” bashkëluftëtari i Sali Çekajt: “Kthim aty ku u vra Ahmet Krasniqi, Ali Uka, Iliri…”

Politika

Protesta në Tiranë, “shpërthen” bashkëluftëtari i Sali Çekajt: “Kthim aty ku u vra Ahmet Krasniqi, Ali Uka, Iliri…”

Nga: P.R. Më: 18 tetor 2025 Në ora: 10:25
Foto nga protesta

Derisa procesi në Hagë po shkon drejt përfundimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit — të cilët, ndër të tjera, akuzohen edhe për vrasjen e anëtarëve të LDK-së — në sheshin “Skënderbej” në Tiranë u zhvillua një protestë në mbështetje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Por mbajtjen e kësaj proteste e ka kritikuar ashpër Saim Tahiraj, ish-bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.

“Kthim në vendin e krimit — aty ku filloi vrasja e lirisë shqiptare, në kryeqytetin tonë të dashur, Tiranë. Aty u vra Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi — dhe kush e di se ku përfundon ky varg tragjedish?”, thotë Tahiraj.

Image
Saim Tahiraj, ish-bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.

Sipas tij, protesta në Tiranë ishte kundër drejtësisë dhe jo thirrje për drejtësi.

“Dje u protestua me moton ‘Drejtësi dhe Liri’, por në fakt u protestua kundër drejtësisë. Si nuk i erdhi ndërmend askujt që, duke kërkuar drejtësi, të kërkohet edhe për Ahmet Krasniqin, për Ali Ukën, për Sadri Ramçajn, për Ilir Konushevcin dhe për shumë të tjerë që u vranë duke shërbyer kauzën e lirisë? Ata u vranë mu aty ku shumica protestuan dhe për të vijuar më tej…”, shton Tahiraj.

“Drejtësia nuk mund të bëhet selektive — ajo duhet të jetë e njëjtë për të gjithë. Por te ne, vala e drejtësisë shpesh duket se është në duart e të fortit, jo të gjykatave. Bota po na shikon e befasuar dhe pyet: cila është diagnoza e popullit tonë?”, thekson Saim Tahiraj.

Siç thotë ai, dikujt në Kosovë po i pengon puna e Gjykatës Speciale.

“Çfarë çmendurie është kjo fushatë kundër Gjykatës Speciale në Hagë? Kujt i pengon vendosja e drejtësisë aq shumë e pritur nga familjarët e viktimave? Mos vallë ka frikë se arrestimet e radhës do të prekin më shumë se emra të vetëm — për interesa dhe hallin e tyre?”, nënvizon Tahiraj.

“Kjo temë kërkon dritë të plotë — jo propagandë, jo retorikë që i shërben vetëm atyre që frikohen nga e vërteta. Na duhet drejtësi e barabartë, të sqarohet historia dhe të përballen të gjithë ata që kanë përgjegjësi, pa përjashtime. Hajr Zoti e bëftë dhe le të fitojë e vërteta!”, përfundon Saim Tahiraj për "Bota sot".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat