Të martën u mbajt seanca e radhës e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Bartos, theksoi se ka ardhur koha për tërheqjen e UNMIK-ut nga territori i Kosovës. Ai u shpreh se nuk ekziston ndonjë krizë sigurie në Kosovë dhe se misioni i UNMIK-ut nuk ka më një rol të rëndësishëm në qeverisjen e vendit.
“Nuk ka krizë sigurie në Kosovë dhe UNMIK-u nuk ka rol në qeverisjen e Kosovës. Koha ka ardhur të tërhiqet misioni. Ne çmojmë përpjekjet e UNMIK-ut për dialog. Realiteti është se UNMIK-u është një mision paqeruajtës, pa paqeruajtës që punojnë në funksione që duhet të kryhen nga organizata të tjera”, deklaroi Bartos gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit.
Ndryshe, UNMIK-u u themelua në vitin 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Qëllimi kryesor i këtij misioni ishte administrimi i territorit të Kosovës dhe mbështetja në ndërtimin e institucioneve demokratike, për të siguruar stabilitet dhe rindërtim pas konflikti.
Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe forcimin gradual të institucioneve vendore, roli i UNMIK-ut është zvogëluar ndjeshëm.
Sot, misioni përqendrohet kryesisht në lehtësimin e dialogut ndërmjet palëve dhe monitorimin e situatës në terren, duke lënë përgjegjësitë e administrimit dhe qeverisjes tek institucionet e Kosovës.
Kjo kërkesë për tërheqjen e UNMIK-ut nuk është e re, pasi prej kohësh diskutimet mbi rolin dhe praninë e këtij misioni në Kosovë janë pjesë e debatit ndërkombëtar e kombëtarë..
Po ashtu, edhe njohësit e çështjeve politike e kanë mirëpritur këtë kërkesë të përfaqësuesit amerikan Jeff Bartos për tërheqjen e UNMIK-ut nga Kosova.
UNMIK-u – një relikt i pasluftës që s’reflekton realitetin e sotëm
Analisti politik, Eduard Gashi, në një prononcim për “Bota sot”, e ka komentuar deklaratën e përfaqësuesit amerikan Jeff Bartos për tërheqjen e UNMIK-ut nga Kosova.
“Deklarata e përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Bartos, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se ka ardhur koha që UNMIK-u të tërhiqet nga Kosova, ka shkaktuar reagime të shumta në Prishtinë dhe në opinionin ndërkombëtar.
Në pamje të parë, ajo mund të duket si një mbështetje e qartë për sovranitetin e plotë të Kosovës. Por në thelb, kjo çështje kërkon një analizë të thellë politike dhe diplomatike, sepse bart me vete edhe rreziqe të mëdha në arenën ndërkombëtare”, është shprehur ai.
Sipas tij, prania e UNMIK-ut ka humbur funksionin e saj fillestar dhe është shndërruar më shumë në një strukturë simbolike sesa praktike
“Është e vërtetë se UNMIK-u, i themeluar në vitin 1999 përmes Rezolutës 1244, u krijua në rrethana krejtësisht të tjera historike – në një vend të shkatërruar nga lufta, pa institucione dhe nën administrim të përkohshëm ndërkombëtar.
Sot, Kosova është një shtet me institucione të konsoliduara, me zgjedhje të rregullta demokratike, me forca të sigurisë që funksionojnë sipas standardeve euroatlantike dhe me një shoqëri që po përpiqet të ndërtojë stabilitet të brendshëm politik dhe ekonomik.
Në këtë kuptim, prania e UNMIK-ut ka humbur funksionin e vet fillestar dhe është shndërruar në një strukturë më tepër simbolike sesa praktike”, ka vlerësuar ai.
Rreziku i hapjes së Rezolutës 1244
Gjithashtu, Gashi ka thënë se mbyllja e UNMIK-ut nuk është çështje thjesht administrative, pasi lidhet drejtpërdrejt me Rezolutën 1244 – të cilën Serbia dhe Rusia e përdorin për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.
“Megjithatë, kërkesa për mbylljen përfundimtare të UNMIK-ut nuk është një çështje thjesht administrative. Ajo lidhet drejtpërdrejt me fatin e Rezolutës 1244, e cila në mënyrë paradoksale, edhe pse është dokument i epokës së pasluftës, vazhdon të shërbejë si bazë ligjore në argumentet e Serbisë dhe Rusisë për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës.
Çdo përpjekje për të shfuqizuar zyrtarisht UNMIK-un kërkon miratimin e një rezolute të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Dhe këtu lind problemi kryesor: Rusia dhe Kina kanë të drejtë vetoje, çka e bën pothuajse të pamundur miratimin e një dokumenti të ri që do të ishte në favor të Kosovës.
Në vend të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, hapja e kësaj teme në OKB mund të përfundojë duke krijuar një terren të ri politik ku statusi i Kosovës rihapet për diskutim – një skenar që do të ishte i rrezikshëm në kushtet e sotme gjeopolitike”, ka shpjeguar ai.
Një zgjidhje e mençur: Mbyllje de facto, jo de jure
Tutje, Gashi ka thënë se rruga më e mençur për Kosovën është mbyllja de facto e UNMIK-ut – përmes një procesi gradual të zvogëlimit të pranisë dhe transferimit të kompetencave.
“Në këtë situatë, rruga më e mençur për Kosovën është ajo e mbylljes de facto të UNMIK-ut – pra, një proces gradual i transferimit të kompetencave dhe zvogëlimit të pranisë së misionit, pa e hapur çështjen formalisht në Këshillin e Sigurimit.
Kjo do të mundësonte që Kosova të afirmohej si shtet funksional dhe i pavarur, pa i dhënë Serbisë dhe Rusisë mundësinë për ta përdorur Këshillin e Sigurimit si arenë për sabotim diplomatik”, ka theksuar ai.
Çështja e KFOR-it dhe pasojat ligjore
Po ashtu, Gashi ka paralajmëruar se edhe prania e KFOR-it lidhet me Rezolutën 1244.
“Një aspekt shpesh i anashkaluar në këtë debat është se edhe KFOR-i, misioni ushtarak i NATO-s që garanton sigurinë në Kosovë, bazohet në mandatin e OKB-së që buron nga e njëjta Rezolutë 1244.
Nëse kjo rezolutë shfuqizohet pa u gjetur një bazë e re ligjore ndërkombëtare, krijohet një boshllëk juridik që mund të komplikojë praninë e forcave të NATO-s në territorin e Kosovës.
Prandaj, çdo hap duhet të ndërmerret me kujdes ekstrem dhe me konsultime të ngushta me aleatët perëndimorë”, ka potencuar ai.
Përse koha është e papërshtatshme
Sipas Gashit, në kushtet e sotme globale, me kriza të mëdha si lufta në Ukrainë dhe tensionet në Lindjen e Mesme, Ballkani nuk është prioritet ndërkombëtar
“Në rrethanat aktuale ndërkombëtare – me luftën në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe përplasjet e mëdha gjeopolitike midis Perëndimit dhe Lindjes – vëmendja e botës ndaj Ballkanit është e kufizuar.
Kosova sot nuk është në qendër të interesit strategjik global dhe kjo e bën situatën të pafavorshme për veprime të mëdha diplomatike.
Në një moment të tillë, çdo lëvizje e nxituar mund të sjellë pasoja të padëshiruara për statusin dhe perceptimin ndërkombëtar të Kosovës”, ka nënvizuar ai.
Roli i SHBA-së dhe kujdesi diplomatik
Gashi ka theksuar se mbështetja e SHBA-së për Kosovën është jetike dhe se vendi ynë duhet të mbetet aleate besnike e saj.
“Mbështetja e SHBA-së për Kosovën ka qenë dhe mbetet jetike. Megjithatë, marrëdhëniet ndërkombëtare janë dinamike dhe përcaktohen nga interesa të ndryshme strategjike.
Kosova duhet të mbetet aleate e palëkundur e SHBA-së, por njëkohësisht të ruajë pavarësinë e vet politike dhe institucionale në vendimmarrje.
Sjellja e SHBA-së ndaj Ukrainës, një shtet i njohur ndërkombëtarisht, tregon se edhe miqësitë historike nuk përjashtojnë momentet e vështira kur interesat kombëtare përplasen me interesat globale”, ka thënë ai.
Në fund, Gashi ka shtuar se çështja e UNMIK-ut, është një provë e pjekurisë diplomatike të Kosovës.
“Në fund të fundit, çështja e UNMIK-ut nuk është më vetëm një debat për një mision ndërkombëtar, por një provë e pjekurisë diplomatike të Kosovës.
Të dish kur dhe si ta mbyllësh një kapitull, pa rrezikuar librin e shtetësisë, është arti i vërtetë i politikës së jashtme”, ka thënë ai.
Duhanaj: Të ndërtojmë strategji afatgjatë për zhvillimin e kombit në tërësi
Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj e ka mirëpritur deklaratën e përfaqësuesit amerikan Jeff Bartos për tërheqjen e UNMIK-ut nga Kosova.
Gjithashtu, ai ka theksuar se UNMIK-u nuk ka asnjë rol produktiv në Kosovë.
“Për mendimit tim deklarata e Jeff Bartos, është shumë e mirëpritur dhe e qëlluar.
UNMIK, tashmë nuk ka asnjë rol produktiv në Kosovë, përveç nëse nën strehën e tij e tyre të qarkullojnë shërbime inteligjente, e sidomos të shteteve jo mike të Kosovës.
Ajo çfarë është shqetësuese, vazhdon të jetë Qeveria dhe institucionet tjera të shtetit, nuk shqetësohet për ketë fakt, madje bëjnë të kundërtën.
Përderisa Serbia e ka ulur nivelin e përfaqësimit në këtë këshillë, është Qeveria e Kosovës e cila e përdor si arenë përplasjesh sa për t'i ngopur epshet e militanteve në atdhe e jashtë tij.
Pastaj nuk duhet lënë mundësi dhe hapësirë për të kërkuar largimin sa me të shpejt të UNMIK-ut dhe njohjen nga pesëshja europiane.
Të ndalojmë së marruri me vetveten dhe të fillojmë të ndërtojmë strategji afatgjatë për zhvillimin e kombit në tërësi.
Të ndalojmë format e politikëbërjes, bazament i projektit politik është përçarja mes partive dhe grupeve, duke ndërtuar e garuar me projekte vizionare zhvillimore për vendin dhe kombin”, ka deklaruar Duhanaj.