Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të dielën mandatari për kryeministër, Albin Kurti, nuk arriti të marrë besimin e deputetëve për formimin e qeverisë së re.
Nga 120 deputetë sa ka parlamenti, Kurti mori 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenime. Për t’u zgjedhur, atij i duheshin të paktën 61 vota, shumica e nevojshme për miratimin e kabinetit qeveritar.
Gjatë fjalimit të tij në Kuvend, Kurti pranoi se nuk ka arritur të sigurojë një koalicion që do t’i mundësonte krijimin e shumicës qeverisëse.
“Këto gjashtë muaj përpjekjet për ndërtimin e një shumice qeverisëse nuk dhanë rezultat. Asnjëra nga partitë parlamentare nuk ka pranuar të hyjë në marrëveshje për bashkëqeverisje. Nëse oferta jonë për bashkëpunim do të ishte pranuar, sot do të kishim mundësi të formonim një qeveri të koalicionit dhe të tejkalonim sfidën e zgjedhjes së presidentit që na pret pas katër muajve,” tha Kurti.
Pas përfundimit të votimit, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, njoftoi se pas këtij rezultati, përgjegjësia për hapat e mëtejshëm kalon te presidentja Vjosa Osmani.
Ajo pritet të zhvillojë konsultime me partitë politike për të parë nëse ndonjëra prej tyre mund të sigurojë shumicën parlamentare dhe të propozojë mandatarin e ri për krijimin e ekzekutivit.
Nëse asnjë forcë politike nuk arrin të sigurojë shumicën e nevojshme, vendi pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme në muajt e ardhshëm.
Ndërsa, të nesërmen, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë ende ftesë nga presidentja Vjosa Osmani lidhur me mandatarin për formimin e qeverisë së re.
Në një konferencë për media, Kurti u shpreh se, sipas Kushtetutës, çështja e mandatarit për herën e dytë është në diskrecionin e presidentes, por shtoi se nga zhvillimet e fundit duket se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja.
“Nuk kemi marrë ftesë nga presidentja Vjosa Osmani. E dimë se për herën e dytë është në diskrecionin e saj çështja e mandatarit për formimin e qeverisë. Nga ajo që dëgjuam dje, duket se të gjithë po përgatiten për zgjedhje të reja dhe për balotazhin në zgjedhjet lokale”, ka deklaruar Kurti.
Ai shtoi se është për të ardhur keq që vendi mund të përballet me disa palë zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër kohore.
“Mbase është për të ardhur keq — përveç balotazhit, edhe dy herë të tjera zgjedhje. Edhe zgjedhje në dimër edhe zgjedhje në pranverë, sepse kur nuk arritëm t’i bëjmë 61 deputetë për një qeveri të re, atëherë është e pamundur t’i bëjmë 80 deputetë për zgjedhjen e presidentes. Kemi mundur së paku këto zgjedhjet e dhjetorit t’i evitojmë,” ka shtuar ai.
A po përsëritet atmosfera e vitit 2020, kur në Kuvend të Kosovës u votua për shkarkimin e Qeverisë Kurti 1 dhe a janë mundësitë që të përsëriten zgjedhjet e vitit 2021, për këtë ka folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, politologu Adnan Qaka.
Sipas tij, atmosfera politike aktuale është pothuajse e ngjashme me atë të vitit 2020, por këtë herë opozita nuk pritet të arrijë të formojë qeverinë.
Qaka deklaron se opozita në prapaskenë do të punojë bashkarisht për ta dobësuar Lëvizjen Vetëvendosje.
“Shteti ynë po shkon drejt zgjedhjeve të reja pas dështimit të formimit të qeverisë Kurti 3, çka tregon se Kosova po përballet sërish me një krizë të re politike. Atmosfera politike aktuale është pothuajse e ngjashme me atë të vitit 2020. Megjithatë, këtë herë opozita nuk pritet të arrijë të formojë qeverinë; rrjedhimisht, vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare. Ndërsa nëse mund të përsëriten rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2021, mendoj se është ende herët për të nxjerrë përfundime. Deri në muajt e fundit para zgjedhjeve, partitë politike mund të kenë ndryshime dhe rezultate befasuese. Aktualisht, megjithatë, një gjë e tillë nuk duket e mundshme. Opozita, në prapaskenë, do të punojë bashkërisht për ta dobësuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe shpesh do të shfaqet me qëndrime të unifikuara kundër saj. Por, si koalicion i bashkuar kundër VV-së, opozita nuk do të hyjë në zgjedhje, pasi një veprim i tillë mund të ketë efekt të kundërt, duke bërë që elektorati ta ndëshkojë opozitën dhe t’i japë më shumë vota Vetëvendosjes. Për këtë arsye, partitë opozitare pritet të garojnë veç e veç”, shprehet Qaka.
Ai zgjidhje sheh qeverinë e përkohshme teknike.
“Sipas mendimit tim, dalja nga kriza politike nuk qëndron te zgjedhjet e menjëhershme, por te formimi i një qeverie të përkohshme teknike, e cila do të mund të formohej nga Presidentja Vjosa Osmani. Kjo qeveri duhet të përbëhet nga profesionistë të fushave të ndryshme – akademikë, ekspertë dhe figura jopartiake – me qëllim që brenda një periudhe prej gjashtë muajsh të zhvillojë një reformë të thellë zgjedhore, përmes një diskutimi të gjerë publik. Gjatë kësaj kohe, edhe partitë politike duhet të ndërmarrin reforma të brendshme, përfshirë ndryshimin e lidershipit partiak. Pas përfundimit të mandatit gjashtëmujor, duhet të mbahen zgjedhje të reja, nga të cilat do të dalë një Kuvend më dinjitoz, që do të ketë detyrë kryesore ndryshimin e Kushtetutës së Ahtisaarit. Është e domosdoshme që Kushtetuta e Kosovës të ndryshohet, duke u hequr vendet e rezervuara për pakicat dhe shumica bllokuese 2/3, të cilat shpesh kanë penguar funksionimin normal të institucioneve. Prandaj, sipas meje, zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje, sepse me të njëjtin ligj zgjedhor, me të njëjtën Kushtetutë dhe me të njëjtët politikanë që shkaktojnë kriza, nuk mund të dilet nga kriza. Pa e ndryshuar burimin e krizave – ligjet dhe mentalitetin politik – nuk mund të mposhtet egoja e politikanëve të etur për pushtet”, përfundon politologu.