Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, u takuan në një lokal në Prishtinë, vetëm një ditë pas dështimit për formimin e qeverisë së re.
Këto dy parti, ishin ato që refuzuan të bënin koalicion qeverisës me LVV-në.
E në lidhje me prapaskenat e këtij takimi për “Bota sot” foli Halil Geci.
Si fillim, ai konsideron se ky takim erdhi si mundësi e testimit të një koalicioni të mundshëm mes këtyre partive.
“Pas dështimit të Qeverisë Kurti 3, LDK dhe NISMA po testojnë terrenin për një koalicion që mund të rikthejë ndikimin e vjetër politik. Por a do t’u besojë populli sërish atyre që njëherë e zhytën vendin në kompromis me Beogradin?
Ky takim erdhi menjëherë pas dështimit të formimit të qeverisë Kurti 3, pasi këto dy parti – LDK dhe NISMA – refuzuan koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, Geci përmendi disa çështje që janë ngritur pas këtij takimi, derisa tha se një koalicion me Limajn, nuk do i bënte nder trashëgimisë rugoviane.
“Takimi ka hapur menjëherë debat në opinion:
A ishte ky një plan i përbashkët për ta rrëzuar Kurtin, me qëllim që këto dy parti të krijojnë një bosht të ri opozitar?
A mund të përgatitet një koalicion LDK–NISMA për zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme?
Në politikë gjithçka është e mundur.
Por një bashkëpunim i tillë nuk i bën nder as trashëgimisë rugoviste, as qytetarëve që presin ndershmëri. Për Lumir Abdixhikun, duket se rëndësi ka vetëm fitorja elektorale, ndërsa për Fatmir Limajn, që prej kohësh është jashtë çdo strukture pushteti, një koalicion me LDK-në do të ishte mënyra më e lehtë për t’u rikthyer në skenë”.
Tutje, ai kritikoi Limajn dhe karrierën e tij politike, derisa ia “rikujtoi’ LDK-së disa gjëra për të.
Madje, vlerëson se kreu i NISMËS ka vepruar kundër frymës rugoviste, ngjashëm si disa figura të PDK-së.
“Limaj, i cili dikur ishte në krah të Haradinajt, tashmë shihet si politikan që kërkon strehim politik për mbijetesë. Pas vitesh të gjata në opozitë, “bojleri” politik i tij është zbrazur dhe tani i duhet të lidhet me këdo që mund t’i sigurojë hyrje në qeveri. E duket se për këtë, “dada Lume” është zgjedhja më e përshtatshme.
Por LDK duhet ta dijë mirë: Fatmir Limaj akuzohet prej kohësh si bashkëpunëtor i krimit të organizuar dhe si njeri që ka vepruar kundër frymës rugoviste, njësoj si disa figura të dikurshme të PDK-së.
Ka zëra që thonë se Limaj mund të jetë deleguar nga qendra të caktuara politike për të ndihmuar në formimin e një qeverie të re me Listën Serbe – përmes blerjes së votave të deputetëve nga pakicat”.
Në fund, Geci shtoi se qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar se marrëveshjet e fshehta dhe pazaret me Beogradin nuk janë në të mirë të shtetit tonë.
“Nëse vërtet mendojnë se mund të kthehen në pushtet në këtë mënyrë, e kanë gabim rëndë.
Populli i Kosovës e ka kuptuar tashmë se marrëveshjet e fshehta dhe pazaret me Beogradin nuk mund të jenë më rruga e shtetit tonë. Çdo përpjekje për t’u kthyer në pushtet përmes rrugëve të vjetra do të përfundojë në dështim, sepse qytetarët nuk janë më të njëjtit — e as nuk harrojnë lehtë”, përmbylli Halil Geci për “Bota sot”.