Në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi dhe kanalet digjitale po përdoren gjithnjë e më shumë për ndikim, Gjeneral Major Prof. Dr. Muhamet Racaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka paralajmëruar për rreziqet që sjellin disa kanale serbo-ruse në Telegram.
Sipas tij, ato që prezantohen si “zëri i Rusisë në Serbi” dhe fokusohen kryesisht te Kosova nuk janë thjesht media alternative, ato përfaqësojnë një strategji të mirëorganizuar të dezinformatave dhe ndikimit gjeopolitik, që mund të destabilizojë rajonin.
“Kanalet e shumta në Telegram që prezantohen si ‘zëri i Rusisë në Serbi’ ose që përdorin simbole ruse dhe fokusohen te Kosova pjesën më të madhe të kohës nuk janë thjesht media alternative — ato bëjnë pjesë në një mision më të gjerë të ndikimit dhe operacioneve të informacionit që synojnë të delegjitimojnë institucione, të polarizojnë opinionin publik dhe të minojnë besimin në rendin kushtetues”, ka thënë ai.
Sipas Racajt, ky fenomen nuk është rastësor.
“Ky lloj aktiviteti është dokumentuar si pjesë e një strategjie rusë për ndikim politik dhe dezinformim në Ballkan, përfshirë përdorimin intensiv të Telegram-it si platformë për shpërndarje, mobilizim dhe rekrutim”, ka shtuar ai
Gjithashtu, ai i ka përmendur tre komponentët kryesorë të rrezikut.
“Delegjitimimi i institucioneve – i cili dobëson pranimin e vendimmarrjes dhe mund të krijojë vakum legjitimiteti;
Nxitja e retorikës radikale dhe urrejtjes – e cila mund të përkthehet me kalimin e kohës në akte të dhunshme;
Përdorimi i platformave të mbyllura/kriptografike për koordinim dhe rekrutim – që rrit rrezikun e aktiviteteve të ndyta, përfshirë sabotazhe të vogla ose veprime jashtëligjore që testojnë kapacitetet e reagimit të shoqërisë dhe sigurisë”, ka paralajmëruar ai.
Ai nënvizuar se fushatat e dezinformatave mund të shërbejnë si “test mjedisi” për të identifikuar hallka të dobëta, komunitete të radikalizuara dhe individë të gatshëm për veprime, si dhe për të vëzhguar reagimin e shoqërisë dhe institucioneve.
“Kanalet që propagandojnë thirrje për ndërhyrje ushtarake ose që normalizojnë dhunën mund të ulin pragun për veprime destabilizuese dhe të hapin hapësirë për aktorë që kërkojnë të shfrytëzojnë krizën
Nga ana taktike, këto fushata informacioni mund të shërbejnë si “test mjedisi” për të identifikuar hallka të dobëta, komunitete të radikalizuara, rekrutues apo individë të gatshëm për veprime, dhe për të parë reagimin e shoqërisë dhe institucioneve”, ka potencuar ai.
Tutje, Racaj ka dhënë disa rekomandime se rritje të transparencës, forcim të mbikëqyrjes ligjore, bashkëpunim rajonal dhe ndërkombëtar, etj.
“Shkallëzimin e komunikimit publik dhe transparencës institucionale;
Forcimin e kapaciteteve të mbikëqyrjes dhe analizës së kanaleve të dyshimta, duke ruajtur kufijtë ligjorë dhe të lirive civile;
Bashkëpunim rajonal dhe me partnerët ndërkombëtarë për shkëmbim informacioni inteligjent;
Fushata edukative për reziliencë mediatike;
Përdorimin e instrumenteve ligjore kundër përmbajtjeve që nxisin dhunë dhe urrejtje”, ka rekomanduar ai.
Racaj ka theksuar se “një narrativë e tillë është shumë e rrezikshme, sepse krijon terren për radikalizim, polarizim politik dhe destabilizim të sigurisë në Kosovë dhe në të gjithë hapësirën e Ballkanit.”
Në fund, ai ka paralajmëruar qytetarët që të jenë të vetëdijshëm: çdo klikim, shpërndarje apo koment i pamenduar në këto kanale mund të shërbejë si pjesë e një mekanizmi më të madh që synon dobësimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
“Ballkani ka kaluar shumë kriza, por sot sfida më e madhe nuk është në kufi, por në hapësirën informative – aty ku luftohet për të vërtetën, besimin dhe sigurinë tonë kolektive”, ka përfunduar Racaj.