Sot shënojmë 26 vjet nga vrasja e Haki Imerit, mësuesit dhe veprimtarit të njohur të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Haki Imeri u vra më 2 nëntor 1999 në rrethana të pasqaruara. Ai ishte kidnapuar mes orës 16:00 dhe 17:00 në fshatin Brojë nga persona të panjohur që u prezantuan si policë. Trupi i tij u gjet i pajetë në një thellësi të malit në fshatin Aqarevë, dy kilometra larg vendit të kidnapimit.
I lindur në fshatin Vojnik, Imeri punonte si profesor i gjuhës shqipe dhe angleze dhe ishte aktivist i LDK-së që nga themelimi. Në kohën e vrasjes, ai ishte kryetar i nëndegës së LDK-së në Turiçvec dhe anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Skënderaj.
Në një njoftim të Degës së LDK-së në Skënderaj thuhej:
“Haki Ymeri, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Skënderaj, është gjetur i vrarë mbrëmë, në rrethana të pasqaruara dhe nga autorë deri tash të panjohur. Z. Ymeri (46), baba i gjashtë fëmijëve, është kidnapuar dje pasdite, midis orës 16 dhe 17, në fshatin Brojë, nga persona të panjohur që ishin prezentuar si policë, të veshur me rroba të zeza dhe në një veturë të tipit Opel Omega me ngjyrë të zezë. Trupi i tij u gjet në një thellësi të malit në fshatin Aqarevë, dy kilometra larg vendit të kidnapimit. Ai punonte në shkollën e fshatit si profesor i gjuhës shqipe dhe angleze dhe ishte aktivist i LDK-së që nga themelimi. Në momentin e vrasjes, ai ishte kryetar i nëndegës së LDK-së në Turiçvec dhe anëtar i kryesisë së Degës së LDK-së në Skënderaj. Varrimi i tij u bë në varrezat e fshatit Vojnik.”
Familja e Haki Imerit ka akuzuar shpesh Hashim Thaçin dhe SHIK-un për këtë krim, duke pretenduar se organet kompetente nuk kanë zbardhur përgjegjësit. Ata shprehin shpresën se Gjykata Speciale do të sjellë drejtësi për këtë vrasje të mbuluar dhe të manipuluar për shumë vite.
Në një reagim të mëparshëm, familja shprehu:
“Shumë herë na është bërë pyetja se kush e vrau Haki Imerin. Përgjigjen e prisnim nga organet kompetente, të cilat kishin mandatin të jepnin sqarime për këtë krim të llahtarshëm. Ne e dimë se vrasja u bë nga SHIK-u, shërbim i krijuar nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, e drejtuar si në aspektin politik, ashtu edhe në atë të nëntokës nga Hashim Thaçi.
Vrasja ndodhi gjatë mandatit të Qeverisë së Përkohshme të Hashim Thaçit, dhe shpresa jonë është që drejtësinë ta sjellë mandati i Gjykatës Speciale. E vërteta për këtë krim është e rëndësishme, sepse ajo mund t’i vërë prangat krerëve të mafias politike, të cilët së shpejti mund të akuzohen për krime ndaj shqiptarëve nga Dhomat e Specializuara në Hagë".
Pas pothuajse dy dekadash nga vrasja, Hashim Thaçi nuk na kishte lajmëruar kurrë, madje as për të shprehur ngushëllime, ndonëse u vra edhe mësuesi i tij dhe kujdestari i klasës. Papritmas, një ditë ai vendosi të vinte në shtëpinë tonë.
Maraj: Vrasjet e pasluftës po shndërrohen në plagë historike
Profesori Milazim Maraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se rrethanat e vrasjes së Haki Imerit mbetën të paqarta, ashtu si shumë vrasje të tjera pas luftës në Kosovë.
Ai theksoi se institucionet e udhëhequra nga UNMIK-u nuk treguan interes për këto raste, ndërsa as institucionet e Kosovës, pasi morën pushtetin, duke përfshirë këtu edhe LDK-në nuk i zbuluan.
“Në lidhje me vrasjen e Haki Imerit, që u vra më 2 nëntor të vitit 1999, rrethanat mbetën ende të paqarta, sikur edhe shumë vrasje të tjera që ndodhën në Kosovë pas përfundimit të luftës. Për këto vrasje nuk ishin të interesuara institucionet në Kosovë, të udhëhequra nga UNMIK-u, ndërsa pas shkuarjes së UNMIK-ut, institucionet e Kosovës, edhe pse LDK përdorte gjatë fushatës këto vrasje, në pushtet nuk i zbuluan këto raste, edhe pse në dy mandate pati Ministrinë e Brendshme, madje as që u mor me to pas ardhjes në pushtet”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Maraj ka thënë se pas ardhjes në pushtet të PDK-së u vodhën zyrat e dëshmive dhe humbën dosje për krimet e kryera.
Sa i përketë Gjykatës Speciale, sipas tij, mbetet të shihet nëse ka argumente të mjaftueshme për vrasjen e Imerit dhe nëse do të merren parasysh informacionet që posedon familja e tij.
Pas ardhjes në pushtet të PDK-së ndodhi vjedhja e zyrave të dëshmive, ku humbën dosjet për krimet e bëra, edhe ato për të cilat u vranë ata që u morën me këto zbulime, si Sebahate Tolaj, Isuf Haklaj etj. Familja Imeri këtë çështje e ka mbajtur në aktualitet pa ndërprerë.
Tani, a ka gjykata argumente bindëse e të mjaftueshme për këtë vrasje apo jo, mbetet të shihet. Sa ka informata bindëse për të ndjerin Haki Imeri familja e tij, dhe sa do të merren parasysh këto, mbetet të shihet. Por një gjë dihet: nëse kjo gjykatë nuk do të arrijë t’i zbardhë këto vrasje dhe plagosje, ato do të mbeten enigmë gjatë tërë historisë, sikur shumë e shumë vrasje më parë”, ka theksuar ai.
Me tej, Maraj ka shpreson që gjykata t’i zbardhë këto raste, për t’i dhënë fund dilemave dhe për të hapur një faqe të re me drejtësi.
“Këto do të mbeten si plagë të hapura gjatë historisë sonë, që aspak nuk do t’i bënin mirë shtetit tonë të ri. Këto vrasje të pazbuluara do të prodhojnë armiqësi dhe hasmëri, që do të ushqehen nga armiqtë tanë, sikur ka ndodhur shekuj më parë.
Urojmë që sikurse kjo, edhe vrasjet dhe plagët e pazbuluara, të zbardhen nga kjo gjykatë dhe të përfundojnë më dilemat për këto enigma tragjike që po rëndojnë mbi familjet e dëmtuara në veçanti dhe mbi popullin shqiptar në përgjithësi. Zbardhja dhe mbyllja e këtyre plagëve nga këto vrasje do të hapte një faqe të re në historinë e shëndetshme, me një të ardhme të ndritur dhe besim në drejtësinë e shtetit të Kosovës dhe në ndihmën e SHBA-së”, ka deklaruar Maraj.
Zogaj: Gjykata Speciale, një fije shprese për zbardhjen e krimeve
Ndërkaq, analisti politik, Skender Zogaj në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se vrasjet politike të pazbardhura janë si një mallkim që e mban Kosovën peng dhe popullin shqiptar në ankth e vuajtje, duke penguar përmbushjen e vërtetë të lirisë dhe pavarësisë.
“Çështja e vrasjeve politike të pazbardhura me gjasë janë mallkimi që po e mbanë Kosovën peng dhe popullin shqiptar në ankthin e vuajtjeve edhe pas luftës, ku liria dhe pavarësia assesi nuk po mund të finalizohen dhe jeta jonë shoqërore ta merr përmbajtjen e kuptimit dhe vlerës së denjë njerëzore!
Shih kosovarët e dalldisur që në vend se t'i shpaguajnë vuajtjet dhe sakrifucat me angazhime të ndershme dhe atdhetashuri të pastër, sillen si të tromaksur dhe rrahin gjoks si triumfalist, e në fakt vazhdojnë të jenë humbës të mjerë, si të mbeturit në Kosovë ashtu edhe gërnaqët e hazdisur që enden nëpër botë me mburrje të zëshme për barkun e mbushur dhe kokat e zbrazura që u kundërmojnë erë qepë! Pra, edhe një çerek shekulli pas luftës Kosova nuk e ka marrë seriozisht shtetndërtimin, kështu që vazhdojmë të jemi shumë të rrezikuar!”, është shprehur ai.
Po ashtu, Zogaj është shprehur se ka qindra vrasje politike nga “dora e zezë” që kanë marrë bijtë e bijat më të mirë, ndërsa nuk kemi guximin t’i kërkojmë drejtësi.
Ai ka theksuar se nuk ka pasur angazhime serioze për zbardhjen e vrasjes së Imerit.
“Janë me qinda (vet)vrasje politike nga dora e zezë e tradhëtisë që na ka lënë pa bijat dhe bijtë më të mira, dhe ne nuk kemi kurajon të kërkojmë drejtësi! Rast eklatant është Haki Imeri, i cili qe 26 rivritet duke u marrë nëpër gojë e duke mos u angazhu asnjëhere seriozisht për zbardhjen e vrasjes së tij! E turpshme kjo, dhe turpi është shtetëror, sepse unë mendoj që pushteti i Kosovës qe 26 vjet është i kapur nga strukturat e organizuara të vrasësve, prandaj vrasjet normalisht që nuk janë zbardhur!”, ka thënë ai.
Në fund, Zogaj thotë se një fije shprese është Gjykata Speciale, duke shtuar se mjafton të zbardhet një vrasje, sepse të tjerat nënkuptohen.
“Një fije shprese është Gjykata Speciale, e cila nëse është ajo që duhet të jetë, ka me zbardh vrasjen e Haki Imerit, Xhemajl Mustafës, Ahmet Krasniqit, Komandant Drinit, Smajl Hajdarajt, Ismet Racit, Sebahate Tolajt, Enver Malokut etj. etj.
Mjafton të zbardhet njëra nga vrasjet, sepse të tjerat nënkuptohen!”, ka përfunduar Zogaj.