Zgjedhja e presidentit/ Avokati Jashari shpjegon pse sistemi parlamentar funksionon

Politika

Zgjedhja e presidentit/ Avokati Jashari shpjegon pse sistemi parlamentar funksionon

Nga: A.M. Më: 8 nëntor 2025 Në ora: 22:03
Avokati Arbër Jashari

Avokati Arbër Jashari, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës bazohet në sistem parlamentar, ku Kuvendi dhe Qeveria kanë rol kryesor, ndërsa presidenti ka funksion përfaqësues dhe simbolik.

Sipas tij, Zgjedhja direkte e presidentit do të ndryshonte këtë sistem, duke rritur legjitimitetin politik të tij dhe duke rrezikuar ekuilibrin e pushteteve.

“Kosova ka një Kushtetutë të ndërtuar mbi parimet e sistemit parlamentar, ku ndarja dhe balanca e pushteteve janë thelbësore për funksionimin demokratik të shtetit. Në këtë sistem, roli kryesor në qeverisje i takon Kuvendit dhe Qeverisë, ndërsa presidenti ushtron një funksion më shumë përfaqësues dhe simbolik, duke vepruar si garantues i unitetit kombëtar dhe i funksionimit kushtetues të institucioneve.

Zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit nga populli do të nënkuptonte një ndryshim të thellë të rendit kushtetues, duke e afruar Kosovën me modelin e sistemit presidencial ose gjysmë-presidencial. Një president i zgjedhur drejtpërdrejt do të kishte legjitimitet të fortë politik, që mund të krijonte tensione me Kuvendin dhe Qeverinë, veçanërisht në raste të përplasjeve institucionale. Kjo do të rrezikonte ekuilibrin e pushteteve dhe do të hapte rrugë për një përqendrim më të madh të fuqisë në një individ të vetëm, çka nuk është e përshtatshme për një shtet të ri dhe me institucione ende në konsolidim”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, Jashari ka nënvizuar se mënyra e zgjedhjes së presidentit përcakton rolin e tij në sistem.

“Mënyra e zgjedhjes së presidentit, pra, nuk është thjesht një çështje procedurale, por përcakton peshën dhe rolin e tij në sistemin politik. Për specifikat e shtetit tonë – përfshirë strukturën e ndarjes etnike, historinë e ndërtimit institucional dhe nevojën për konsensus politik – është më e arsyeshme që presidenti të zgjidhet nga Kuvendi, duke ruajtur balancën ndërmjet pushteteve dhe duke shmangur polarizimin politik të drejtpërdrejtë të shoqërisë.

Megjithatë, pozita e presidentit nuk duhet të reduktohet në një instrument pazari ndërmjet partive politike. Procesi i zgjedhjes duhet të bazohet në parime të qarta të përfaqësimit, meritës dhe konsensusit kombëtar, në mënyrë që figura e presidentit të ruajë kredibilitetin, paanshmërinë dhe autoritetin moral që i kërkon Kushtetuta”, ka pwrfunduar ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat