Raporti i Progresit, Shabani: Maqedonia e Veriut ngec, BE pret reforma të mëdha

Politika

Raporti i Progresit, Shabani: Maqedonia e Veriut ngec, BE pret reforma të mëdha

Nga: A.M. Më: 11 nëntor 2025 Në ora: 20:02
Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, Michalis Rokas, ia ka dorëzuar kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, raportin e progresit për vendin nga Komisioni.

Ditë më parë, ambasadori i BE-së, Michails Rokas, e prezantoi Raportin e Progresit për Maqedoninë e Veriut.

Raporti evidenton se vendi ka bërë përparim minimal drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke u përballur me sfida të shumta politike, ekonomike dhe institucionale.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Amir Shabani, në një prononcim për “Bota sot”,  ka theksuar se raporti i Komisionit Evropian tregon përparim minimal të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, me probleme serioze në gjyqësor, korrupsion, polarizim politik dhe vetëqeverisje lokale të dobët.

Image
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Amir Shabani

“Në raportin e saj vjetor të progresit, Komisioni Evropian paralajmëron se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim minimal, me probleme serioze në gjyqësor, korrupsion dhe disiplinë ekonomike.

Raporti i fundit i progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut zbulon dobësi serioze në fushat kryesore për pranimin në BE. Pavarësisht disa sinjaleve pozitive, vendi ka bërë përparim minimal dhe përballet me probleme sistemike që po bllokojnë procesin e integrimit.                          

Asnjë ndryshim kushtetues, polarizim politik: Maqedonia e Veriut ende nuk ka miratuar ndryshime kushtetuese për të përfshirë qytetarët që janë pjesë e kombeve të tjera, siç janë bullgarët – një kusht pa të cilin grupi i parë i negociatave nuk mund të hapet. Polarizimi në parlament po bllokon miratimin e ligjeve kryesore dhe abuzimi me procedurat e shkurtra po dëmton transparencën. Vetëqeverisja lokale mbetet jofunksionale, me një kornizë financiare të pamjaftueshme dhe reforma të ngadalta”, ka deklaruar ai.

Gjyqësori dhe korrupsioni: dobësi sistemike.

Gjithashtu, Shabani ka shtuar se raporti i Komisionit Evropian evidenton probleme serioze në Maqedoninë e Veriut, si gjyqësori nuk është i pavarur dhe vuajti nga mungesa e stafit dhe fondeve; korrupsioni mbetet shqetësues, siç tregoi rasti "Koçani

 “Raporti vëren se nuk ka pasur përparim në pavarësinë e gjyqësorit. Presionet politike mbi Këshillin Gjyqësor, mungesa e stafit dhe fondeve, si dhe një numër i madh i çështjeve të prapambetura dëmtojnë efikasitetin. Buxheti i gjyqësorit arrin në vetëm 0.3% të PBB-së, shumë nën minimumin ligjor. Korrupsioni mbetet një shkak për shqetësim serioz.

Rasti "Koçani", në të cilin vdiqën 62 persona, zbuloi neglizhencë institucionale dhe praktika korruptive. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka humbur besueshmërinë për shkak të një skandali që përfshin presidenten dhe çështjet e profilit të lartë po zvarriten ose përfundojnë me dënime minimale. BE-ja po bën thirrje për miratimin e një Kodi të ri Penal, përmirësimin e të dhënave të konfiskimit të aseteve dhe forcimin e hetimeve financiare.

Ekonomia dhe administrata publike: ngecje dhe rreziqe. Disiplina fiskale është dëmtuar seriozisht – zbatimi i ligjit organik të buxhetit është vonuar, deficiti ka arritur në 4.4% të PBB-së dhe borxhi publik është rritur në 62.4%. Ekonomia informale përbën rreth 38% të PBB-së dhe plani i veprimit të formalizimit ka ngecur.

Prokurimi publik mbetet një zonë rreziku për korrupsion: konkurrenca është e dobët dhe vetëm 5.4% e tenderëve përdorin kriterin e "tenderit më të favorshëm ekonomikisht". Administrata mbetet e fragmentuar dhe pa një politikë të qartë për personelin, pavarësisht ligjeve të reja të shërbimit civil.

Energjia, infrastruktura dhe mjedisi: Vendi është shumë i varur nga qymyri dhe ligji për ndryshimet klimatike nuk është miratuar. Zbatimi i Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës po mbetet prapa dhe Korridori hekurudhor 8 është bllokuar. Në mjedis, situata është alarmante: menaxhimi i mbeturinave, ndotja e ajrit, ujit dhe mbrojtja e natyrës janë larg standardeve evropiane”, ka shpjeguar ai.

Por cilat janë shtetet më afër anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor?!

Tutje, Shabani ka thënë se, edhe pse Maqedonia e Veriut ndryshoi emrin pas marrëveshjes historike me Greqinë në 2019, negociatat me BE-në mbeten të bllokuara për shkak të mosmarrëveshjes me Bullgarinë dhe kërkesës për ndryshime kushtetuese.

““Edhe pse Maqedonia arriti një marrëveshje historike me Greqinë në vitin 2019 dhe ndryshoi emrin e saj, procesi i negociatave me Bashkimin Evropian mbetet i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjes së pazgjidhur me Bullgarinë dhe kërkesës për ndryshime kushtetuese – përkatësisht përfshirjes së komunitetit bullgar në Preambulën e Kushtetutës.                           

Mali i Zi ka ruajtur edhe një herë statusin e tij si "studenti më i përparuar" në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke marrë një "notë të shkëlqyer" në raportin e fundit të Komisionit Evropian mbi progresin e vendeve kandidate. Shqipëria u vlerësua me "gjashtë minus", Moldavia me "pesë plus", dhe Ukraina mori një "pesë" të fortë për reformat dhe progresin e saj në harmonizimin me standardet evropiane. Mali i Zi madje përmendet si një anëtar i ri potencial i BE-së që në vitin 2027.

Maqedonia e Veriut vlerësohet me notë "tre" – një rezultat që tregon përparim të kufizuar dhe qëndrim në pothuajse të njëjtin nivel si vitin e kaluar. Vendi vendoset në grupin e vendeve që "mbahen përgjegjëse", së bashku me Serbinë dhe Bosnjë dhe Hercegovinën, të vlerësuara me notë "dy".

Raporti pritet të vërë në dukje njëfarë progresi ekonomik dhe përputhje të plotë me politikat e jashtme dhe të mbrojtjes së Unionit, por vlerësimi i përgjithshëm mbetet i pandryshuar – pa përparim të rëndësishëm krahasuar me vitin e kaluar”, ka përfunduar Shabani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat