Çfarë pritet të ndodhë në Mitrovicë, flet avokati

Politika

Çfarë pritet të ndodhë në Mitrovicë, flet avokati

Nga: N.E Më: 11 nëntor 2025 Në ora: 23:17
Foto ilustrim

Mitrovica është komuna e cila ka shkuar në procesin e rinumërimit të votave, kjo me urdhër të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, pas raportimeve për parregullsi në disa kuti votimi.

Kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicë, Bajram Hajdari, ka thënë të martën pasdite se procesi është në gjysmë dhe pritet të përfundojë nesër.

“Me urdhër të prokurorit kemi filluar rinumërimin të hënën në orën 16:00. Shpresojmë që nesër ta përfundojmë. Sa i përket numrit të votave të pavlefshme, ende nuk kemi të dhëna përfundimtare. Pas përfundimit, materialet do të dërgohen në QNR në Prishtinë”, u shpreh ai për mediat.

Procesi ishte ndërprerë të hënën për shkak të dyshimeve për keqpërdorime, por me vendim të Prokurorisë rinumërimi rifilloi të martën pasdite.

Në anën tjetër, nga KQZ e kanë quajtur gabim Teknik nga kompania sllovene që ka shtypur fletëvotimet.

KQZ-ja pohoi se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve për Mitrovicën e Jugut dhe Gjakovën u gabua në shtypjen e kodit të vendvotimit.

Më vonë gjatë ditës së martë, KQZ-ja bëri të ditur se e ka pranuar një sqarim zyrtar nga kompania përgjegjëse, CETIS, lidhur me disa gabime të evidentuara në disa fletëvotime në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.

KQZ-së i është thënë se kompania ka zhvilluar hetim të plotë dhe që përgjatë procesit është kuptuar që “problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes”.

“CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e kompanisë.

Avokati Zahir Hamza, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se ndërprerja e numërimit kërkon trajtim institucional dhe jo politik.

Ai zbulon edhe çfarë mund të ndodhë më tej.

“Ndërprerja e procesit të numërimit të votave në Mitrovicë, për shkak të pretendimeve për parregullësi, është një zhvillim që kërkon trajtim institucional dhe jo politik. Në çdo proces zgjedhor, integriteti dhe transparenca janë elemente kyçe për besimin publik në rezultatet përfundimtare. Sipas informacioneve zyrtare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka cilësuar situatën si “gabim teknik” dhe ka kërkuar njoftimin e Prokurorisë së Shtetit. Ky veprim është në përputhje me parimet e përgjegjësisë institucionale, pasi çdo dyshim për parregullsi duhet të trajtohet nga organet kompetente dhe jo nga subjektet politike. Çfarë pritet të ndodhë më tej? Në rastet kur konstatohet ndërprerje apo parregullsi në numërim, KQZ-ja, përmes Qendrës së Numërimit dhe të Rezultateve (QNR), ka të drejtë të vendosë për rinumërim të pjesshëm ose të plotë, varësisht nga natyra e gabimit. Nëse Prokuroria nuk konstaton elemente të manipulimit me qëllim, procesi mund të rifillojë nga pika e ndërprerjes. Por, nëse provohen shkelje të rënda që ndikojnë në rezultatin, ligji parashikon mundësinë e rinumërimit të plotë nga pika zero ose, në raste ekstreme, shpalljen e pavlefshme të kutive të caktuara”, deklaron Hamza.

Tutje, i pyetur nëse këto pretendime mund të ndikojnë në vlefshmërinë e fitores së Lëvizjes Vetëvendosje, ai thotë se pretendimet e paqarta ose të pambështetura me prova nuk e cenojnë vlefshmërinë e rezultatit.

“ A mund të ndikojnë këto pretendime në vlefshmërinë e fitores së Lëvizjes Vetëvendosje? Vetëm nëse provohet se parregullsitë kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë dhe substancial në rezultatin përfundimtar. Pretendimet e paqarta ose të pambështetura me prova nuk e cenojnë vlefshmërinë e rezultatit. Deri në përfundim të hetimeve, fituesi konsiderohet legjitim në bazë të rezultateve të certifikuara nga KQZ-ja”, shprehet avokati.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se ka dorëzuar, brenda afatit ligjor, ankesën zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me procesin zgjedhor në Mitrovicë.

Në njoftimin e kësaj partie thuhet se ky veprim është bërë në përputhje me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe të votës së lirë të qytetarëve të Mitrovicës.

“PDK siguron qytetarët e Kosovës, e veçanërisht ata të Mitrovicës, se do të ndjekë me përgjegjësi të gjitha procedurat ligjore për të garantuar që rezultati përfundimtar të pasqyrojë vullnetin real të qytetarëve,” thuhet në një postim në Facebook.

Sipas PDK-së, vetëm rivotimi mund t’i bëjë drejtësi procesit zgjedhor dhe të sigurojë respektimin e plotë të vullnetit qytetar.

“Vota është e shenjtë. Demokracia fillon e mbaron me ruajtjen dhe respektimin e saj,” përfundon njoftimi.

I pyetur nëse ekziston rreziku për manipulim ose përdorim politik të situatës, avokati Hamza thotë se Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë në mënyrë të pavarur dhe profesionale.

Sipas tij, prandaj transparenca në komunikim dhe publikimi i çdo vendimi zyrtar janë thelbësore për të ruajtur kredibilitetin e procesit.

“Çdo proces zgjedhor është i ndjeshëm ndaj interpretimeve politike, veçanërisht në komuna ku garat janë të ngushta. Megjithatë, nëse institucionet si KQZ, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), dhe Prokuroria e Shtetit veprojnë në mënyrë të pavarur dhe profesionale, rreziku i manipulimit real mbetet i kufizuar. Sfida kryesore është perceptimi publik — prandaj transparenca në komunikim dhe publikimi i çdo vendimi zyrtar janë thelbësore për të ruajtur kredibilitetin e procesit”, përfundon Hamza.

Theksojmë se rinumërimi po vazhdon nën mbikëqyrjen e dy hetuesve të Prokurorisë Themelore, të cilët po sigurojnë që të respektohen të gjitha procedurat ligjore, pas përfundimit materialet pritet të dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në Prishtinë, ku do të bëhet verifikimi përfundimtar

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat