Balotazhi i 9 nëntorit për zgjedhjen e kryetarëve në 18 komuna të Kosovës ka përfunduar me sukses.
Procesi zgjedhor u zhvillua përgjithësisht qetë dhe pa incidente të mëdha. Ish-deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka komentuar rezultatin e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Në një prononcim për “Bota sot”, ai tha se balancimi i pushtetit lokal mes partive shqiptare tregon për ndryshime domethënëse në skenën politike.
“Rezultati zgjedhor i raundit të dytë në 18 komuna të Kosovës ka sjellë disa ndryshime që kanë balancuar pushtetin lokal ndërmjet partive politike shqiptare. Nga 7 komuna të fituara nga LDK dhe VV, 6 nga PDK, 5 nga AAK, një nga Nisma dhe një nga kandidati i pavarur, shihet një ndryshim i rëndësishëm që patjetër do të ketë impakt elektoral në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, tha Rugova.
Ai shtoi se humbja e disa bastioneve nga LDK dhe PDK e bën situatën edhe më të ndërlikuar për partitë tradicionale.
“LDK dhe PDK kanë humbur në dy bastione, dhe sigurisht që nuk do të jetë e lehtë të balancohet numri i mbështetësve nëse zgjedhjet mbahen në fund të dhjetorit. Pres një garë të ashpër dhe dinamike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, deklaroi Rugova.