Fitorja e Pecit, akuzat e PDK-së dhe ‘blofi’ i madh politik, veprimtari nga Gjermania zbërthen të gjithë prapaskenat

Politika

Fitorja e Pecit, akuzat e PDK-së dhe ‘blofi’ i madh politik, veprimtari nga Gjermania zbërthen të gjithë prapaskenat

Nga: A.M Më: 16 nëntor 2025 Në ora: 12:01
Arian Tahiri dhe Faton Peci

Garën për Mitrovicë e fitoi në balotazh më 9 nëntor Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje, me 53.47% të votave, kundër Arian Tahirit të PDK-së, i cili i mori 46.53% të votave, me një diferencë prej 2 mijë e 315 votash.

Një ditë pas votimeve në balotazh, komisionerët PDK-së dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Mitrovicë u tërhoqën nga procesi i verifikimit të votave me dyshimet për keqpërdorim.

PDK-ja u ankua në PZAP se, përveç fletëvotimeve që ishin gjetur të përziera ndërmjet klasave dhe shkollave të ndryshme, në shpërputhje me kodet unike të vendvotimeve, pjesëmarrja e votuesve në balotazh ishte më e lartë se ajo në rundin e parë më 12 tetor.

Ajo ishte ankuar gjithashtu se gjatë procesit të numërimit janë hasur shumë fletëvotime të pavulosura, ndërsa disa të tjera janë gjetur të vulosura dy herë.

Megjithatë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e hodhi poshtë kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut pas pretendimeve për parregullsi.

PZAP-ja theksoi se kërkesa e PDK-së ishte e “pabazuar”, duke shtuar se kjo parti “nuk ka prezantuar prova për të dëshmuar këto parregullsi".

E për këtë çështje dhe ndryshimet e hartës politike në nivel lokal në Kosovë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Image
Idriz Zeqiraj.

Së pari, ai tha se balotazhi u karakterizua me pazare të pista dhe koalicione joparimore, e për këtë tha se duhet të shqurtohet çështja ligjore e balotazhit.

“Rundi i parë i zgjedhjeve lokale, ishte dëshmi e forcës partiake të subjekteve politike. Rundi i dytë, balotazhi, u karakterizua nga pazare të pista e bënë "mish-mash" procesin zgjedhor, me koalicione hiç parimore. Ka ardhur koha të rishikohet çështja ligjore e balotazhit. Procesi zgjedhor, në përgjithësi, ishte i rregulltë dhe pa shkelje serioze. Që nga mbushja e kutive e votimit, me formular-vota për PDK-në, në Drenicë, më 2010, me 120 % votues! Një turp i tillë, nuk është përsëritur më, të paktën, në atë përmasë”.

Krahas kësaj, Zeqiraj kritikoi PDK-në, derisa tha se ankesat e saj në Mitrovicë ishin të pabazuara, madje edhe institucionet përgjegjëse refuzuan kërkesën për rivotim.

Ai vuri në pah edhe faktin se si shumë vota nga diaspora u shpallën si të pavlefshme.

“Edhe pse PDK-ja u ankua, deri në kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve, në komunën e Mitrovicës, rundin e dytë të votimeve, të gjitha nivelet e gjykatave refuzuan hapjen e një procesi të ri, si të panevojshëm. Ndërsa asnjë reagim nuk pati nga përgjysmimi i votave të Mërgatës, të shpallura si të pavlefshme, ndërkohë që rrugaçëria e PAN-it e bëri namin, për 75 vota në Mitrovicë, edhe pse shumica u përkiste, pikërisht, PDK-së”, shtjelloi ai.

Krahas kësaj, veprimtari nga Gjermania tha se gjithë kjo “zhurmë” për asgjë të vërtetë e turpëori PDK-në si dhe konfirmoi faktin se qëllimi ishte që humbjen me votën zgjedhore në kuti, ta kthejnë në fitore në tavolinë.

“Blofi i zhurmshëm në procesin zgjedhor në Mitrovicë, turpëroi, madje me fund, Kryesinë dhe eksponentët e PDK-së, të cilët nga një gabim teknik, të aparatit shumëzues të fletë-votimeve, bandat partiake të PDK-së, u tubuan pranë qendrës së votimit, të gatshme për të filluar vandalizmin brenda qendrës së votimit. Edhe pse nga rinumërimi i serishëm i votave, gjithsejtë 75 fletë-votime rezultuan të pavlefshme, anëtari i KQZ i PDK-së, Ilir Gashi, kërkoi proces të ri zgjedhor në komunën e Mitrovicës! Qëllimi ishte humbjen me votën zgjedhore në kuti, ta kthejnë në fitore në tavolinë”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat