Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, prodhuan befasi dhe reagime të shumta, derisa për disa parti sollën rezultate të mira, e për disa të tjera jo.
E në lidhje me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli veprimtari nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.
Si fillim, ai përmendi disa nga komunat që sipas tij ofruan befasi, e në disa prej tyre tha se u bënë edhe fushata të ulëta.
Krahas kësaj, befasi tjetër, e pa edhe shtrirjen e LVV-së në nivel lokal dhe fitoret e saj në disa komuna me peshë të madhe.
“Garat zgjedhore prodhuan befasira, madje u shënuan edhe thyerje bastionesh. Befasi më të mëdha ishin komunat e Prishtinës, Mitrovicës, Obiliqit, Fushë Kosovës dhe Drenasi. Interesimi dhe impenjimi më madh ishin Prishtina metropol dhe Mitrovica strategjike. Diferencat nga fituesit me humbësit ishin në shifra simbolike, çfarë dëshmon për kandidatët garues ishin të përzgjedhur. Propaganda lehaqene e anal-banalistëve të PAN-it, ishte skajshëm e sforcuar dhe shpifarake, për damkosjen e Përparim Ramës në Prishtinë dhe Faton Pecit në Mitrovicë. Pra, në shënjestër u vunë LDK-ja dhe LVV. Të gjitha akuzat e stisura dhe shpifëse, iu kthyen në bumerang subjekteve politike të koalicionuara në PAN.
Befasi e radhës ishte shtrirja në gjeografinë e komunave dhe rritja në numra e LVV. Në të 12 komunat e balotazhit, LVV shtoi praninë e saj. Dhe kjo është arritja premtuese e saj, që demanton bindshëm lukuninë mercenare mediatike 24 orëshe të PAN-istëve të frustruar, deri në pashpresë për ta marrë pushtetin. LDK-në që nuk e lidhë asgjë me PAN-in e kriminalizuar duhet të distancohet qartazi, njësoj siç bëri LVV. Sepse jo vetëm nuk bëri asnjë përçapje për reformim dhe spastrim nga elementët kriminalë, përkundrazi, i rehabilitoi duke i kandiduar për kryetar komunal, por që u refuzuan, madje neveritshëm nga populli”.
Gjithashtu, Zeqiraj përmendi edhe Prishtinën, apo më saktë Përparim Ramën, i cili fitoi garën për kryqytetin.
Sipas tij, kishte një sulm të padrejtë ndaj Ramës, pasi që vlerëson se ka bërë punë dhe ka realizuar premtime.
Ai theksoi se kryetari i Prishtinës ka njohur dhe duhet mbështetur.
“Sulmi i organizuar kundër arkitektit londinez, Përparim Ramës, për mos punë; hallakamë dhe bllokim të rrugëve dhe shesheve në Prishtinë; premtime të mëdha, por të parealizuara, edhe pse të arsyetuara për sabotim nga pushteti, e vunë në dyshim mandatin e dytë në Prishtinë. Kalkulimet me balotazhin, thyen bllokadën dhe Rama është kryetar meritor. Për një metropol, kryeqytet të bllokuar, si Prishtina, fillimisht nga injoranca e planifikimit urbanistik, në dekada më parë. Dhe, rishtazi, nga komandantët uzurpatorë të pronave-tokë shtetërore, mujsharë e kriminelë të dëshmuar, që kulmon edhe me vrasjen e arkitektit Rexhep Luci, vullneti i mirë i kryetarit Përparim Rama, nuk duhet të injorohet apo të refuzohet, aq më pak të stopohet!
Arsyetimet bajate me "Zona Arkeologjike" apo kulte fetare, me emra cinikë pushtuesish, janë marrëzira, të bëhen pengesë e rregullimit të një kryeqyteti bashkëkohor. E kaluara nuk guxon ta mbajë peng të tashmen. Duhet parë se kulturë e kujt është ajo arkeologji, të zhvendoset dhe të ruhen eksponate, nëse janë në interes të trashëgimisë kombëtare. Duket se Arkitekti Rama shije, njohuri vizion dhe duhet mbështetur në mjeshtërinë e tij fisnike. Mësohuni, o njerëz të mirë, të vlerësoni vlerat që ju ofrohen, sepse "vera një herë vjen kah dera",- thotë urtësia”, shtjelloi ai.
Më tej, veprimtari nga Gjermani u foksua edhëe në humbjen e bastionit të Fushë Kosovës nga ana e LDK-së.
Për të, kjo ishte një humbje e papritur e LDK-së.
“Fushë Kosova ishte ndër bastionet e gjithmonshme e LDK-së. Por, kësaj radhe u mund nga LVV, gjë që nuk pritej. Ishte një angazhim si në "goditjet e përqendruara", siç quheshin aksionet vullnetare të kohës të monizmit enverist, në Shqipëri. Këtu ndikoi edhe plani ideal i kandidatit të LDK-së, Besnik Osmani, siç ishte ndërtimi i një rruge paralele, me atë ekzistuese Fushë Kosovë-Prishtinë, për ta lehtësuar trafikun e stërngarkuar të kësaj linje.
Hapja e kësaj linje të re, prekte shumë prona dhe biznese të banorëve vendorë dhe ardhacakë rishtarë, të vërshuar nga komuna tjera të Kosovës, për t`iu afruar metropolit Prishtinë. Përndryshe, zoti Osmani ishte i pakontestueshëm, qoftë si drejtues me përvojë, qoftë si "babaxhan" komunikues, i përkushtuar për punë të mbara dhe ndershmëri unike, i pranueshëm nga komuniteti vendorë, pavarësisht besimit, ngjyrës dhe përkatësisë etnike, sepse në ketë komunë "është përzier gjithfarë ujemi", - siç thoshte një shkrimtar i yni mortor”.
Ndër të tjera, Zeqiraj nuk harroi ta përmend edhe Lladrovcin dhe fitoren e tij në Drenas përball PDK-së.
Ai tha se kryetari i Drenasit, meriton respekt dhe se ai di shumë gjëra për udhëheqësit e PDK-së, prandaj edhe ata e mbajnë afër dhe i kanë thënë poste të rëndësishme.
“Krye befasia e zgjedhjeve të fundit lokale është komuna e Drenasit, e identifikuar me Ramiz Lladrovcin - kampion. Premtimi i tij paraprak, se nëse dështoj për ta marrë Drenasin, heq dorë nga politika, meriton respekt! Një zotim kaq ekstrem i zotit Lladrovci, ka një bazë rezervë sigurie absolute për fitore. Realisht, kryetari Lladrovci dinte më shumë se sa duhej, për të -bëmat- kriminale të krerëve partiakë të PDK-së. Dhe, neutralizimi i tij, "mbyllja e gojës" duhej bërë me favore të veçanta. Përndryshe, nuk i vinte radha as për t`u bërë ambasador dhe as kryetar komune, pavarësisht doktoraturës së tij unike!
Incizimi i pabesë i një bisede private, të bërë Edi Rama-Ramiz LLadrovci, ishte kurdisje e poshtër e kryeministrit shqiptar Rama, të cilën e zbuloi në publik. Në këtë kurdisje intriguese, ishte pjesë, hiç më pak se Hashim Thaçi. Një bisedë e shpenguar e ambasadorit, ishte diskredituese për atë. Kjo bëhej për goditje të Ramizit, me qëllim që ai të bëhet vasal besnik i shefit të tij Hashim. Mjeshtri i dinakrive, intrigimeve dhe të pabesive serike, Hashim Thaçi, e rehatoi Ramiz Lladrovcin, pikërisht, atje ku ai deshti - kryetar i komunës të Drenasit. Dhe, kjo u bë në këmbim, të paktën, të varrosjes të përjetshme të një sekreti rrast komprometues, madje bindshëm penalizues. Rrjedhimisht, SHIK-u intim i Hashimit, me nëntokën e tij, i jep forcë e siguri kampion Ramizit, për ta sfiduar bandën aktuale të PDK-së, madje me shantazhin kërcënues se "s`ka bir nane që më largon nga partia, PDK-ja"!” – përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.