Ndërsa nesër, (e mërkurë 19 nëntor) i skadon afati ligjor mandatarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, për të paraqitur përbërjen e re qeveritare, ende nuk është e qartë nëse LVV-ja i ka siguruar numrat për formimin e qveerisë së re.
Por, shpresa se Konjufca do të mund t’i sigurojë votat e mjaftueshme për t’u bërë kryeministër aktualisht është mjaft e zbehtë, ani pse nga PDK e AAK janë shprehur se mund të heqin dorë nga vija e kuqe e bashkëpunimit me VV-në.
Megjithatë, juristi Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota Sot”, ka thënë se ideja e opozitës është të reduktojë fuqinë elektorale të Vetëvendosjes përmes zgjedhjeve më të shpeshta.
Sipas tij, aleanca e heshtur e opozitës ka për qëllim të largojë VV-në jo vetëm nga Kuvendi, por edhe nga skena politike, duke u bazuar në perceptimin se VV-ja paraqet rrezik për shtetin për shkak të kapaciteteve të kufizuara qeverisëse.
“Ideja e opozitës është të reduktojë fuqinë elektorale të VV-së përmes zgjedhjeve më të shpeshta. Aleanca e heshtur e opozitës ka për qëllim të largojë VV-në në të gjitha format jo vetëm nga Kuvendi, por edhe nga skena politike. Arsyet janë të qarta: opozita e vlerëson VV-në si të rrezikshme për shtetin, për shkak të aftësive të kufizuara qeverisëse dhe kapaciteteve të pamjaftueshme për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm të shtetit dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, ka thënë ai.
Burjani ka theksuar se pamundësia e VV-së për të trajtuar problemet e vendit, duke i shtyrë reformat në shëndetësi, arsim, ekonomi dhe çështje sociale, tregon mungesë të një politike bindëse.
“Pamundësia e VV-së për të adresuar problemet duke i prolonguar, përfshirë reformat në shëndetësi, arsim, ekonomi dhe çështje sociale, tregon mungesë të një politike bindëse për t’i zgjidhur ato. Prandaj, qëllimet e opozitës janë që me të gjitha mënyrat ta “neutralizojnë” subjektin, jo vetëm përmes Kuvendit, por edhe ndaj popullit”, është shprehur ai.
Juristi gjithashtu ka vlerësuar se, në këto kushte, nuk do të ketë qeveri të VV-së, dhe vetëm ndonjë zhvillim i papritur mund ta ndryshojë këtë situatë. Ai ka komentuar edhe vendimin e presidentes, duke theksuar se VV-ja mbetet pjesë e koalicionit dhe situata politike vazhdon të jetë e paqëndrueshme.
“S’do të ketë qeveri të VV-së; vetëm ndonjë mrekulli në çastet e fundit mund të sjellë VV-në në qeverisje. Edhe me presidenten, VV-ja është futur në një dramë aksionale pa vota dhe pa siguri për numrat. Vendimi i presidentes ishte i çuditshëm, por tash thuhet se ajo nuk e ka lënë “petkun” e listës GUXO, pasi ka në koalicion VV-në”, ka përfunduar ai.