Haziri tregon çka ndodh sot me formimin e qeverisë: Kjo e pret Kosovën

Politika

Haziri tregon çka ndodh sot me formimin e qeverisë: Kjo e pret Kosovën

Nga: P. R. Më: 19 nëntor 2025 Në ora: 07:54
Foto ilustrim

Analisti politik Nexhat Haziri, duke komentuar situatën politike para tentativës së nesërme për votimin e Qeverisë së propozuar nga LVV me mandatar Glauk Konjufcën, ka deklaruar se asnjëra nga partitë e opozitës – por as vetë Vetëvendosja – nuk janë realisht të interesuara që kjo qeveri të votohet.

Haziri thotë se kjo duket qartë si nga dinamika politike, ashtu edhe nga deklarimet publike të partive.

Sipas tij, propozimi i Konjufcës si mandatar pas dështimit të Kurtit nuk ishte një përpjekje e sinqertë për të krijuar qeveri, por një lëvizje taktike për të fituar kohë.

Image
Nexhat Haziri

“Siç po shihet, por bazuar edhe në deklarimet e partive politike, nga ish-opozita askush nuk po dëshiron të ketë një qeveri, pra edhe këtë në tentativë për t’u votuar nesër e propozuar nga LVV-ja me mandatar Glauk Konjufcën. Madje as Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar që nesër të votohet qeveria Konjufca, pasi propozimi i Glauk Konjufcës për kryeministër pas dështimit të Albin Kurtit, ishte vetëm strategji për shtyerjen e zgjedhjeve në një datë që i konvenon apo i ka bërë llogaritë LVV-ja se do të jetë më e favorshme për të”, deklaron Haziri.

Ai shton se kjo u pa qartë nga mënyra se si LVV pretendonte se po kërkonte votimin e qeverisë, por pa bërë asnjë marrëveshje politike me partitë e tjera parlamentare.

“Kjo u pa në insistimin e tyre që gjoja të kërkonin votimin e qeverisë Konjufca, por pa bërë marrëveshje politike me asnjë nga partitë e tjera parlamentare, pra ishte vetëm një truk i LVV-së për të blerë kohë”, thekson ai.

Sipas Hazirit, të gjitha partitë tashmë kanë një pajtim të heshtur për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, të cilat i shohin si të vetmen rrugëdalje nga kriza.

“Kështu që mund të themi se ka një pajtim të heshtur të të gjitha partive politike që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, të cilat i shohin si zgjidhje për të dalë nga kriza politike e institucionale në të cilën është përfshirë vendi tash e gati një vit”, thekson Haziri.

Sa i përket datës së mundshme të zgjedhjeve, ai thotë se ato pritet të mbahen brenda dhjetorit, me dy data në diskutim.

“Dhe këto zgjedhje priten të mbahen më 21 apo 28 dhjetor, varësisht se për të cilën datë do të dakordohen partitë politike në takim me presidenten Osmani, takim ky që do të vijë ndoshta në ditën e premte, dy ditë pasi do të dështojë të votohet qeveria Konjufca”, shton analisti.

Në fund, Haziri paralajmëron se çdo shtyrje tjetër e zgjedhjeve do të prodhonte efekte të rënda për vendin.

“Shtyerja eventuale e zgjedhjeve të parakohshme vetëm sa do ta thellojë edhe më tej krizën politike dhe bllokadën institucionale, që do të prodhojë pasoja të pariparueshme për një kohë të gjatë”, përfundon Haziri për "Bota sot".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat