Bllokadat e mëparshme dhe pritshmëritë për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit

Politika

Bllokadat e mëparshme dhe pritshmëritë për zgjedhjet parlamentare të dhjetorit

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 24 nëntor 2025 Në ora: 17:08
Foto ilustrim

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, dy blloqe kryesore politike nuk arritën të gjenin gjuhë të përbashkët për formimin e qeverisë dhe institucionet shtetërore, duke lënë vendin pa udhëheqje të plotë për muaj të tërë.

Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit pritet të shënojnë një pikë kthese për skenën politike në Kosovë, pas një periudhe të gjatë bllokade dhe mungese bashkëpunimi mes partive.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit konsiderohen si një mundësi për t’i dhënë Kosovës institucione funksionale dhe për të vendosur një qasje më konstruktive politike, duke parandaluar që bllokadat e mëparshme të përsëriten dhe duke riforcuar besimin e qytetarëve tek procesi demokratik.

Hajdaj: Koalicioni LV-GUXO-ALT do të ketë përparësi të dukshme në këtë garë zgjedhore

Anëtari i kryesisë së Guxo, Kujtim Hajdaj, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se pas zgjedhjeve të 9 nëntorit, koalicioni LV-GUXO-ALT doli fitues me 42.3% dhe Albin Kurti kishte dy mundësi për formimin e qeverisë.

Image
Kujtim Hajdaj

Sipas tij, negociatat me NISMËN dhe pakicat jo-serbe dështuan për shkak të kërkesave “përtej pritjeve”, duke përmendur kërkesën e Fatmir Limajt për postin e kryetarit të Kuvendit dhe kërkesën e Duda Baljes për krijimin e një komune boshnjake. Hajdaj i cilëson këto si forma presioni ndaj Kurtit.

Ai shton se oferta e bërë për LDK-në ishte opsioni më i sigurt për krijimin e institucioneve, përfshirë zgjedhjen e presidentit të ri. Por, sipas tij, LDK reagoi me një kundërofertë për “qeveri uniteti”, gjë që e konsideron të pajustifikuar.

“Pas zgjedhjeve të 9 nëntorit dhe rezultatit që doli nga ato zgjedhje, votuesit tanë në Kosovë dhe jashtë saj, e votuan dhe e nxorën LV-GUXO-ALT si fitues të zgjedhjeve me 42.3%. Me atë rezultat zgjedhor, mandatari i LV për kryeministër Albin Kurti, i kishte dy mundësi për të konstituar parlamentin e Kosovës dhe për me formu qeverinë. Mundësia e parë ishte që ato të arrihen me një parti të vogël parlamentare siç  ishte NISMA  pakicat tjera jo serbe. Dhe kjo edhe u provua, por aspiratat e tyre ishin përtej pritjeve të Albin Kurtit.., si për shembull, NISMA dhe më konkretisht Fatmir Limaj e kërkonte postin e të parit të kuvendit, për çka Albini nuk ishte i gatshëm t'ia afronte, edhe pse Limaj kishte marrë oferta tjera serioze për bashkëqeverisje me LV-GUXO-ALT.

Tjetra, siç e dini kishte negociata edhe me deputetët e zgjedhur të pakicave jo serbe,  sikur me Duda Balje, e cila kërkonte formimin e një komune boshnjake në Kosovë, porse Albin Kurti me shumë arsye nuk e pranoi një gjë të tillë. Pra, siç po e shihni në të dy rastet, e kishim një lloj shantazhi për ta vënë Albin Kurtin në një pozicion të cilin ai nuk mund ta pranonte si të tillë. Pastaj, u provua edhe një ofertë tjetër që iu ofrua LDK-es, që ishte forma dhe zgjidhja me e sigurt për të konstituar kuvendin dhe për të formuar qeverinë e re. Por, gjithsesi edhe si një mundësi reale për të zgjedhur Presidentin e ri të Kosovës.

Mirëpo, LDK në vend që të marrë seriozisht këtë ofertë të Albin Kurtit, doli me një kundër ofertë tjetër që kërkonte një qeveri "uniteti" edhe me të gjitha partitë tjera opozitare, që në vetvete nënkuptohej si një lloj qeverise si në kohët e krizave të mëdha shtetërore, për çka nuk bëhej fjalë. Për mendimin tim, partitë opozitare duke qenë si parti humbëse e zgjedhjeve, paraprakisht, e patën ndërtuar së bashku një lloj bllokade shtetërore, që në asnjë mënyrë nuk donin t'ia mundësonin Albin Kurtit edhe një qeverisje të tretë me Kosovën. Dhe kështu, edhe ashtu të ndara që ishin, u formuan dy blloqe të mëdha politike që asnjëri nuk donte të lëvizë pozicionet e veta politike” – u shpreh ai.

Hajdaj thotë se bllokada politike mes dy blloqeve vazhdoi për muaj të tërë, pavarësisht se zgjedhja e krye parlamentarit Dimal Basha krijoi një shpresë të vogël për zhbllokim. Ai thekson se zgjedhjet lokale dhe balotazhet vetëm e thelluan ngërçin.

Sipas tij, Kosova kishte nevojë urgjente për formimin e qeverisë dhe miratimin e buxhetit, si dhe për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me rëndësi ekonomike, përfshirë edhe buxhetin e RTK-së, por opozita nuk hoqi dorë nga “politika bllokuese”.

“Kështu, duke vazhduar edhe me muaj të tërë me atë bllokadë, derisa u krijua një shpresë e vogël me zgjedhjen e krye parlamentarit të ri Dimal Basha, e që mendohej se ndoshta ashtu do t'i vjen fundi edhe krizës për formimin e qeverisë. Por, në ndërkohë, i kishim edhe zgjedhjet lokale që u kryen në rundin e parë e pastaj edhe në balotazh, dhe sikur ato e forcuan edhe më tepër ngërçin politik që ekzistonte në mes të dy blloqeve politike.

Ani pse Kosova kishte nevojë urgjente për zgjedhjen e qeverisë, qoftë edhe me një marrëveshje kalimtare politike deri në zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, e veçmas për miratimin e buxhetit shtetëror dhe votimin e marrëveshjeve tjera ndërkombëtare që ishin me interes vital për ekonominë e Kosovës, e përveç tjerësh duke përfshirë këtu edhe aprovimin e buxhetit të RTK- ës. Por edhe në atë rast partitë opozitare nuk hoqën dorë nga politika e vet bllokuese, ani pse të vetëdijshme se po e dëmtonin interesin nacional të Kosovës.

Dhe krejt ajo për shkak se partitë opozitare e donin eliminimin politik të Albin Kurtit. Në formën se si u barrikaduan dy blloqet politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në këtë formë edhe po shkohet në zgjedhjet tjera të 28 dhjetorit. Duke i parë zhvillimet politike përgjatë atyre muajve të bllokadës, mendoj se partitë e deri djeshme opozitare do të jenë në një pozicion më të vështirë për t'i hy garës zgjedhore, kjo ngase në sytë e opinionit tonë të gjerë politik në Kosovë, ato shihen si fajtore kryesore e atij ngërçi politik, më argumentet e mia që i paraqita ma lartë, për mos debllokimin e krizës politike të atyre muajve pa i dhënë Kosovës institucionet e nevojshme udhëheqëse dhe qeverisëse”, nënvizon ai.

Në fund, Hajdaj thotë se është e vështirë të parashikohet rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe mënyra si do të zhvillohen negociatat pas tyre, por thekson se koalicioni LV-GUXO-ALT hyn në këtë garë me përparësi të dukshme. Ai vlerëson se koalicioni mund të arrijë deri në 60 deputetë, ose së paku të përsërisë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

“Tash çka do të ndodhë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kush do të dalë fitues dhe si do të zhvillohen negociatat për formimin e institucioneve të reja shtetërore, ashtë vështirë të parashikohet, por siç e thashë paraprakisht, koalicioni LV-GUXO-ALT do të ketë përparësi të dukshme në këtë garë zgjedhore dhe pritjet janë që t'i ketë si i vetëm deri në 60 deputetë. Por edhe nëqoftëse do të kishim përafërsisht të njëjtin rezultat zgjedhor sikur në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk besoi se do të vazhdohej më këtë bllokadë politike që e lamë prapa, për shkak se përfaqësuesit e zgjedhur të popullit përfundimisht do të humbnin besimin dhe kredibilitetin e vet tek qytetarët e Kosovës” – përfundon ai.

Jakupi: Dallimet mes VV-së dhe partive tradicionale në krijimin e koalicioneve i pamundëson ato por do të duhej të bëhen

Analisti Zejnullah Jakupi vlerëson se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, nëse nuk del një fitues i qartë, koalicionet do të jenë të domosdoshme për krijimin e shumicës parlamentare dhe për formimin e qeverisë.

Image
Zejnullah Jakupi

Ai thotë se koalicionet mund të ndihmojnë në ruajtjen ose rikthimin e pushtetit, duke krijuar balancë ndërmjet partive dhe duke shmangur përsëritjen e bllokadës politike të vitit të kaluar.

“Në kontekstin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe situatës politike që mund të krijohet pas këtyre zgjedhjeve, koalicionet mund të shërbejnë si një mjet i fuqishëm për të formuar shumicën parlamentare dhe për të shmangur bllokadën politike që ka ndodhur vitin e kaluar. Nëse nuk ka një fitues të qartë dhe partitë politike do të duhet të negociojnë për të krijuar një shumicë, koalicionet mund të bëhen të domosdoshme për formimin e qeverisë.

Koalicionet mund të shërbejnë për të ruajtur ose rikthyer pushtetin pas zgjedhjeve, pasi ato mund të krijojnë një balancë mes partive të ndryshme dhe të mundësojnë funksionimin e qeverisë pa bllokada. Po ashtu, ato janë një mundësi për të krijuar konsensus dhe për të siguruar që do parti të përfaqësohet në pushtet në mënyrë që të shmangen krizat politike”, vlerëson ai.

Por, se a mund të shmangen bllokadat politike përmes koalicioneve, Jakupi shpjegon thotë se koalicionet pas 28 dhjetorit mund të parandalojnë bllokadat politike, por kërkojnë kompromis dhe vullnet nga të gjitha palët.

Ai thekson se VV dhe partitë tradicionale (PDK, LDK, AAK) kanë qasje të ndryshme ideologjike, përvoja të ndryshme në koalicione dhe qëndrime të kundërta për korrupsionin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, gjë që e bën bashkëpunimin mes tyre të vështirë.

Sipas tij, VV synon shumicë të vetme mbi 50 deputetë, ndërsa LDK ka mbajtur qëndrim kritik ndaj saj, duke e bërë një koalicion VV–LDK pothuajse të pamundur.

“Koalicionet mund të jenë një mjet efektiv për të shmangur bllokadat politike, veçanërisht në një situatë ku asnjë parti nuk arrin shumicën absolute. Nëse partitë e ndryshme janë të gatshme të diskutojnë dhe të arrijnë marrëveshje të përshtatshme për krijimin e një koalicioni, atëherë mund të formohet një qeveri funksionale. Megjithatë, koalicionet mund të kenë sfidat e tyre, pasi ato kërkojnë lëvizje dhe kompromis nga të gjitha palët, që mund të çojë në marrëveshje të paqarta ose të paqëndrueshme.

Dallimet mes VV-së dhe partive tradicionale në krijimin e koalicioneve i pamundëson ato por do të duhej të bëhen.

VV (Lëvizja Vetëvendosje) dhe partitë tradicionale si PDK, LDK, dhe AAK kanë qasje të ndryshme kur vjen puna te krijimi i koalicioneve, dhe këto dallime janë të ndjeshme në disa aspekte:

Qasja ideologjike dhe politike:

VV ka një ideologji të majtë, me fokus në luftën kundër korrupsionit, reforma sociale dhe zhvillim ekonomik përmes shtetit, dhe është një forcë politike që shpesh thekson një qasje më të fortë kombëtare dhe sovraniste. VV është e preferuar për të vepruar më shumë si një entitet i pavarur dhe ka një histori të shmangies së koalicioneve me partitë që kanë qenë pjesë e "sistemit të vjetër", si PDK, LDK dhe AAK.

PDK, LDK, AAK kanë tendencë të kenë një qasje më pragmatike dhe të orientuar drejt koalicioneve me parti të tjera, të paktën në periudhën pas luftës. Këto parti shpesh kanë krijuar koalicione mes tyre për të mbajtur pushtetin, përfshirë në periudhat e kaluara, por shumë herë kanë pasur debate dhe mosmarrëveshje që janë bërë shkak i krizave politike.

Përkundër kësaj janë bërë koalicionet dhe për këtë kemi një histori të koalicioneve:

VV ka një histori të lidhur ngushtë me thirrjet për ndryshim radikal të politikës, duke refuzuar të bëhet pjesë e koalicioneve të mëparshme që, sipas saj, i përkasin sistemit të "kapur" të shtetit. Kjo ka bërë që VV të fokusohet në krijimin e një shumice të vetme, pa ndërhyrjen e partive të tjera që i konsideron si pjesë të të kaluarës.

PDK, LDK, dhe AAK kanë pasur një histori të gjatë të negociatave dhe bashkëpunimit mes tyre. Ata kanë krijuar koalicione të shumta, edhe kur nuk ka pasur një fitues të qartë në zgjedhje, duke u munduar të balancojnë interesat e ndryshme dhe të arrijnë marrëveshje që të mundësojnë qeverisjen. Për shembull, PDK dhe LDK kanë pasur marrëveshje të vazhdueshme në nivelin qeveritar, ndonëse ka pasur tensione mes tyre.

Qasja ndaj korrupsionit dhe transparencës:

VV është mjaft e rreptë në lidhje me luftimin e korrupsionit dhe ka bërë një nga pikat kryesore të fushatës së saj një luftë të ashpër kundër korrupsionit dhe politikanëve të inkriminuar. Kjo ka ndikuar që VV të refuzojë bashkëpunimin me parti të tjera që ata i shohin si pjesë të problemit të korrupsionit.

Partitë tradicionale shpesh kanë pasur pozita më të moderuara në këtë drejtim, duke u përpjekur të menaxhojnë një balancë midis ruajtjes së pushtetit dhe angazhimeve për reformën dhe luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, ato janë kritikuar shpesh për lidhjet e ngushta me figura të kontestueshme dhe për mungesën e avancimit të duhur në luftën kundër korrupsionit.

E kur jemi te bashkëpunimi ndërkombëtar mund të thuhet se:

VV ka një politikë më të pavarur dhe të orientuar kombëtarisht, duke kërkuar një menaxhim më të drejtpërdrejtë të marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht kur bëhet fjalë për partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet ndërkombëtare si BE-ja dhe SHBA-ja.

PDK, LDK dhe AAK janë ngjajshëm të hapura ndaj integrimit në strukturat ndërkombëtare dhe kanë pasur gjithashtu bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar mbështetje për zhvillimin e vendit dhe proceset e integrimit në BE. Por bërja e koalicioneve sidomos mes LVV dhe LDK-së nuk duket e mundshme kur LDK vazhdimisht ka vazhduar gjuhën populiste kundër LVV dhe Albin Kurtit. Ndërsa LVV me koalicionin synon t‘ i fitojë mbi 50 deputetë për ta bërë qeverinë e vetme sikur në qeverinë Kurti II” – përfundon ai për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat