Arrestohet ish-ushtari i UÇK-së, Gazmend Syla jep detaje për rastin, ka një mesazh për veteranët

Politika

Arrestohet ish-ushtari i UÇK-së, Gazmend Syla jep detaje për rastin, ka një mesazh për veteranët

Nga: A.M. Më: 25 nëntor 2025 Në ora: 19:59
Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Qenaj, është arrestuar sot nga autoritetet e Serbisë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Në një njoftim për media thuhet se, posa kanë marrë informacionin për arrestimin e Qenajt, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.                           

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) njofton se, menjëherë pas marrjes së informacionit mbi arrestimin e shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, nga autoritetet e Serbisë, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka ndërmarrë veprimet e para duke i adresuar Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë kërkesë zyrtare për konfirmimin e arrestimit, arsyet konkrete të ndalimit, vendndodhjen aktuale ku ai po mbahet, si dhe çdo informacion tjetër të domosdoshëm për trajtimin e mëtejmë të rastit”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, ende nuk ka informacione se ku po mbahet Qenaj.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës së personit të arrestuar, sapo të konfirmohet lokacioni i saktë ku ai po mbahet”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Lidhur me arrestimin e Qenajt, nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, në një prononcim për “Bota sot”, ka konfirmuar se ai ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka bërë të ditur se nuk ishte hera e parë që ai udhëtonte nëpër Serbi.

Sipas tij, arrestimi i Qenajt është bërë pa asnjë bazë juridike.

“Edhe ne kemi marrë informacionet e para nga mediat dhe menjëherë kemi komunikuar me degët tona të OVL UÇK-së në Prizren dhe në Has, si dhe me bashkëluftëtarët tanë të Brigadës 138 “Agim Ramadani”. Nga këto burime na është konfirmuar se Avni Qenaj ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Na ka habitur fakti që z. Qenaj ka udhëtuar shpesh nëpër Serbi dhe asnjëherë më parë nuk është ndaluar. Për këtë arsye, arrestimin e sotëm e konsiderojmë politik dhe pa asnjë bazë juridike. Kjo është pjesë e vazhdimësisë së luftës speciale që Serbia e ushtron ndaj qytetarëve të Kosovës, veçanërisht ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së”, është shprehur ai.

Tutje, Syla ka apeluar që veteranët të mos udhëtojnë nëpër Serbi, duke shtuar se nuk ekziston asnjë provë që Qenaj të jetë i përfshirë në ndonjë krim siç pretendon Serbia.

“Mesazhi ynë për gjithë veteranët ka qenë dhe mbetet i qartë: mos udhëtoni nëpër Serbi, sepse e rrezikoni jetën tuaj dhe nuk ka kush t’ju mbrojë atje.

Shpresojmë që bashkësia ndërkombëtare të reagojë sa më shpejt dhe të marrë hapat e nevojshëm për lirimin e tij, pasi nuk ekziston asnjë provë që Avni Qenaj të jetë i përfshirë në ndonjë krim, siç pretendon Serbia”, ka thënë ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat