Me rastin e 28 Nëntorit, studiuesi i historisë shqiptare, Gjon Keka, ka folur mbi rrënjët e identitetit kombëtar dhe peshën historike të kësaj date.
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Keka thekson se çdo nëntor rikthen në damarët e kombit frymën e epokës së lavdishme të Gjergj Kastriotit – kohës kur më 28 nëntor 1443 u ngrit Flamuri i Arbërisë dhe u vendos themeli i lirisë dhe i ringjalljes europiane të shqiptarëve.
Epoka e Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), ndër më të lavdishmet të historisë së kombit tonë
Ai shton se kjo datë mbetet zanafilla e çdo përpjekjeje për afirmimin e identitetit dardano–arbëror, të gjuhës, flamurit dhe të trashëgimisë së shenjtë kombëtare, duke paralajmëruar se sfidat e sotme kërkojnë vetëdije të thellë historike, unitet dhe mbrojtje të vlerave që kanë ruajtur ekzistencën e kombit ndër shekuj.
“Sa herë vjen nëntori, na përshkon në venat, gjakun e trupin tonë kombëtar një frymë e epokës ndër më të lavdishmet të historisë së kombit tonë, epokës së Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) dhe ngritjes së flamurit të tij më 28 nëntor 1443.
Në këtë datë pikërisht aty e ka zanafillën fryma jonë kombëtare e rilindjes sonë europiane dhe lirisë; këtu e ka zanafillën simboli ynë që na mbështjell shpirt e trup kombëtar, pra simboli i Flamurit të kuq me Shqiponjën e zezë dykrenare që na e vulosi kryeheroi ynë pas rikthimit në atdheun e tij më 28 nëntor 1443 dhe shpalljes së Arbërisë së lirë e të pavarur.
Ashtu si dashuria është krahasuar prej kohësh me zjarrin dhe se zjarri ka vetinë të konsumojë gjithçka të djegshme që i vjen në dorë, duke e trajtuar atë si një sakrificë, kështu bën edhe dashuria ndaj atdheut, kombit, e derdhur në zemrat dardano-arbërore. Aty ku lejohet të mbretërojë kjo dashuri për atdheun, për lirinë e pavarësinë, për flamurin, ajo sakrifikon për sa kohë që ka ende diçka për të sakrifikuar midis të mirave brenda nesh, mbi ne dhe në ne.
Liria është një fjalë magjike e fuqishme, që buron nga vetë qielli, që e trondit shpirtin njerëzor, popujt, individët, kombet e të gjithë që preken prej saj. Ajo që popujt, njeriu, njerëzimi dhe kombet – me të drejtë – kanë bërë që nga fillimi i kohës për të ruajtur lirinë, për t’u forcuar brenda saj ose për ta rimarrë atë, është shkruar me shkronja të përgjakshme në faqet e historisë së kombeve europiane e botërore, po kështu edhe në faqet e historisë së kombit tonë arbëror.
Por nëse njerëzit individualë, si kombet, janë të gatshëm të bëjnë sakrifica të përgjakshme për të ruajtur lirinë dhe pavarësinë e tyre, aq më tepër ata duhet ta ruajnë edhe në zemrat dhe mendjet e tyre – pra në gjakun e shpirtin e tyre – lirinë e brendshme dhe të sakrifikojnë për sigurinë e saj brenda zemrave të tyre.
Sepse nëse liria nuk është liri e brendshme, atëherë liria e jashtme është e përkohshme si retë që zhduken me daljen e diellit të fortë dhe rrezet e saj. Prandaj liria e jashtme duhet të jetë pasqyrim i lirisë së brendshme që të fitojë emërtimin e saj kuptimplotë tek çdo komb, popull, shtet dhe njeri”, shprehet Keka për gazetën “Bota sot”.
Gjon Keka vazhdon reflektimin duke thënë se dikush mund t’ia imponojë një populli një ideologji fetare të huaj, por jo t’i edukojë ata; besimi apo feja, ashtu sikurse edhe edukimi apo arsimimi, lulëzon vetëm në tokën e gjuhës së vet, nga gjenialiteti i lindur i secilit popull.
“Duke ngritur njohuritë e tyre në një ideologji fetare të huaj dhe gjuhë të huaj, degradohet karakteri, gjymtohet shpirti i tyre kombëtar dhe a besoni se mund të ndërtoni një shtet të fortë nga një popull i gjymtuar? Sigurisht, përgjigjen e dinë të gjithë që është: Jo, nuk mund të ndërtohet një shtet i fortë, një komb i fortë, nga një shoqëri, popull apo turmë e gjymtuar.
Ashtu si popujt e degjeneruar moralisht përbëjnë një rrezik për shtetin, ashtu bëjnë edhe kombet apo popujt fanatikë – të ngarkuar me ideologji primitive fetare, të pakulturuar dhe të paarsimuar.
Për shembull, sikur kishte tendenca më parë dhe madje ka edhe sot që populli ynë të mbetet në gjendjen e tij që pas vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe pushtimit otoman, ku sot një pjesë e popullit ka rënë viktimë e pre e neo-otomanizmit ose islamizmit të armiqve shekullorë. Kjo tendencë vjen nga dy duar: njëra është dora e armiqve të brendshëm së bashku me dorën e armiqve të jashtëm.
Megjithatë, një njeri i pjekur dhe një popull i pjekur nuk e harrojnë të kaluarën e tij, nuk i mohojnë figurat themeltare të tij, nuk i njollosin, as nuk e përdhosin flamurin kombëtar të Gjergj Kastriotit e as madje kurrë gjuhën e tij amëtare, sepse ajo përmban historinë e rrënjëve të tij – pra pasurinë e brendshme të ekzistencës së tij kombëtare e shtetërore”, shprehet ai.
Si ka ndryshuar “strategjia e armiqve”
Tutje, Keka rikujton se armiqtë e popullit tonë janë përpjekur gjithmonë të na mbajnë në errësirën e injorancës, duke shtuar se kjo është arsyeja pse nuk na u lejua gjuha jonë amëtare, nuk na lejuan shkolla e universitete ose mjete të tjera arsimimi e edukimi.
“Të gjitha ato shkolla që ishin, ishin në gjuhën e pushtuesve dhe qëllimi i vetëm ishte asimilimi total i popullit – jo vetëm nëpërmjet pushtimit fizik, por edhe atij gjuhësor, fetar e shpirtëror.
Prandaj në kohën e pushtuesve populli ynë nuk e kuptonte atë që po mësonte në gjuhën e pushtuesit, ngase kështu iu bë mpirja e mendjeve dhe largimi nga vetë gjuha amëtare, tradita, historia dhe e kaluara.
Prandaj edhe një pjesë e popullit në atë kohë u bë apostate dhe e huaj në shtëpinë e vet; ata edhe pse në fakt ishin në tokat e tyre, në atdheun e tyre, pushtuesit i kishin bërë si të huaj për vendin e tyre, për t’i sunduar dhe shkombëtarizuar tërësisht – ky ishte qëllimi kryesor i pushtuesve”, potencon historiani.
Sot, Keka thotë se ka ndryshuar strategjia e armiqve, pasi ata përdorin mjete të tjera dhe fshihen pas petkave të bamirësisë e gjoja miqësisë.
“Prandaj, armiqtë më të rrezikshëm nuk janë vetëm ata që hapur na shajnë, na sulmojnë, etj., por edhe ata që nën maskën e miqësisë futen në zemër të popullit tonë dhe helmojnë pikërisht ndjenjat që dikur i jepnin vlerë, atë që i dha karakterit dardano-arbëror thelbin e tij fisnik.
Prishja morale dhe nënshtrimi politik i popullit apo kombit tonë nuk shkaktohen nga ata që e sulmojnë hapur, por nga ata që, duke valëvitur flamuj me slogane madhështore, në realitet kënaqen me egoizmin më të ulët dhe, duke shtrembëruar atë që ka qenë e vërtetë dhe fisnike për popullin apo kombin tonë, përgatitin rënien e tij apo shkatërrimin e tij.
Para së gjithash, themelet e zhvillimit kombëtar dardano–arbëror duhet të sigurohen duke mbrojtur atë – identitetin e tij, figurat themeltare, flamurin, gjuhën dhe të ardhmen e tij europiane. Pa këta faktorë nuk ka liri për Dardano-Arbërinë dhe nuk na pret asnjë e ardhme më e mirë.
Politika që i neglizhon këto detyra nuk është as dardane-arbërore, sepse bie ndesh me traditat e së kaluarës, as demokratike e liberale, sepse shpërfill interesat e shumicës dërrmuese”, shton ai.
Keka: Lidhja e gjakut shpirtëror midis të gjithë dardano–arbërorëve është aq e fortë sa nuk mund të prishet kurrë
Keka thekson se ndjenja kombëtare iliro–arbërore ka zënë rrënjë aq të thella në shpirtin kombëtar arbëror nga 28 nëntori 1443 e deri më sot, sa asnjë pushtues, armik i jashtëm e i brendshëm dhe askush tjetër nuk mund t’ia rrëmbente as atëherë e as sot arbërorëve të Gjergj Kastriotit nga zemra e tyre.
“Mua, si një dardano–arbëror i Gjergj Kastriotit, Pjetër Bogdanit, Idriz Seferit, Nënë Terezës, Ibrahim Rugovës etj., më pëlqen të zhytem në të kaluarën dhe me të drejtë zhytem në historinë e kombit tim.
Sepse, kur udhëtoj nëpër epoka të kaluara i udhëhequr nga historia, fitoj një kuptim të ngjarjeve të kohës sonë. Shumë gjëra më mbushin me krenari dhe gëzim, por ka edhe nga ato që shkojnë kundër ndjenjës time; kërkoj më kot t’i shpjegoj në të tashmen.
Megjithatë, në të kaluarën shpesh gjej shpjegimin më të thjeshtë për pikat e forta dhe të dobëta të kohës sonë. Sepse asgjë që manifestohet në jetën e një populli nuk ka marrë formë papritur.
Kështu, ndjenja kombëtare iliro–arbërore ka zënë rrënjë aq të thella në shpirtin kombëtar arbëror nga 28 nëntori 1443 e deri më sot, sa asnjë pushtues, armik i jashtëm e brendshëm dhe askush tjetër nuk mund t’ia rrëmbente as atëherë e as sot arbërorëve të Gjergj Kastriotit nga zemra e tyre.
Ata që e anashkalojnë themelin e kësaj feste të shenjtë, më saktësisht zanafillën e saj që nis më 28 nëntor 1443 nga Gjergj Kastrioti si themeli i Arbërisë europiane, si flamurtari i lirisë dhe pavarësisë, e bëjnë një mëkat në ndërgjegjen e tyre, për të cilin nuk do të jenë kurrë në gjendje të përgjigjen para gjykatës së historisë së kombit tonë iliro-arbëror.
Megjithatë, populli ynë në shumicën e tij dërrmuese mbetet në këtë zanafillë, pra te themeli kryesor i 28 nëntorit të vitit 1443 – te festa e shenjtë kombëtare në shpirt e gjak, sepse ende tek disa lidhja e gjakut shpirtëror midis të gjithë dardano–arbërorëve është aq e fortë sa nuk mund të prishet kurrë.
Mungesa e ringjalljes së plotë të kësaj feste kombëtare në pasqyrën e saj të qartë, si në kohën e epokës së artë të Gjergj Kastriotit, është faji i të gjithëve: udhëheqësve në Kosovë, elitës intelektuale dhe akademike, shoqërisë në përgjithësi dhe popullit.
Por bota nuk duhet të mendojë se shqiptarët e Kosovës kanë pushuar së qeni dardanë–arbërorë, nëse udhëheqësve apo pushtetarëve të Kosovës tashmë u mungon një ndjenjë identiteti dardan-arbëror e europian, ose guximi për ta deklaruar publikisht atë dhe për ta mishëruar këtë festë të madhe e të bekuar kombëtare në realitetin e sotëm shtetëror e kombëtar”, nënvizon Keka.
Keka vazhdon duke e krahasuar popullin dhe kombin me një anije të përbashkët, duke theksuar se të gjithë jemi brenda të njëjtit fat, të njëjtit drejtim dhe të njëjtave pasoja. Ideja është se secili prej nesh, pavarësisht rolit, është pjesë e këtij udhëtimi të përbashkët.
“Paramendo, ne si popull e komb jemi në një anije të përbashkët dhe gjatë udhëtimit tonë, për shkak të baticave e zbaticave – pra stuhive të kohërave – kishte kohë që kishte ndodhur një simptomë e rrezikut të ekzistencës kombëtare, por që nuk e kanë parë të gjithë se si uji tashmë po depërtonte në anijen që po pikonte nga të gjitha anët.
Dhe nëse secili do të refuzonte të vinte dorën për të larguar këtë rrezik duke u arsyetuar se nuk i takonte atij të merrej me këtë apo duke shpjeguar se nuk ishte marinar, çfarë do të ndodhte me anijen tonë të përbashkët? A nuk do të fundoset ajo dhe bashkë me të tërë shoqëria, shteti e kombi ynë?
Prandaj vetëm kur secili t’i bashkojë forcat dhe mendjet apo kokat dhe të punojë me sinqeritet e besnikëri ndaj atdheut, do të shpëtohemi të gjithë nga rënia”, shton ai.
Keka bën edhe një konstatim që dëgjohet shpesh në shoqëri: ankesën se “mungojnë burrat e vërtetë”. Kjo nuk i referohet thjesht gjinisë, por mungesës së njerëzve me karakter, guxim, integritet dhe përgjegjësi.
“Mungojnë burra të vërtetë, është vajtimi i përsëritur herë pas here ndër ne. Le ta heshtim këtë vajtim duke u bërë plotësisht të vetëdijshëm për karakterin tonë dardano–arbëror Gjergj Kastriotian, duke iu bashkuar të gjithë ushtrisë së madhe si pasardhës të Gjergj Kastriotit me guxim dhe energji, me vetëmohim të gëzueshëm, me besim të sinqertë në Zotin, në Atdheun dhe Mëmëdheun, si arbërorë e njerëz të veprimit shpëtues kombëtar, human e civilizues.
“Ndihmo veten dhe Zoti do të të ndihmojë!” është motoja e vjetër. Le të përpiqemi ta bëjmë tonën edhe një herë këtë moto të vjetër.
Le të mos rrimë duarkryq nën pretekstin e rremë se vetëm Zoti do t’i bëjë të gjitha; pa lëvizur asgjë ne, pa u përvjelur edhe ne nga mëngët tona. Pra, le të jemi sa më larg asaj krenarie të çmendur që mbështetet vetëm në forcën e vet apo vetëm në Zotin.
Kështu që vetëm Zoti, i cili na kupton arbërisht (shqip), na flet arbërisht (shqip), do të na ndihmojë vetëm nëse bëjmë detyrën tonë, pra nëse e ndihmojmë ne veten tonë, më saktësisht nëse e shpëtojmë ne veten, kombin e shtetin tonë.
Pra, le të ecim përpara pa frikë. Larg të gjitha gjërave gjysmake, larg çdo frike nga njeriu, larg të gjitha konsideratave të vogla. Vetëm kauza jonë kombëtare e shtetërore, kauza Gjergj Kastriotiane e lirisë, identitetit dhe udhës sonë të rikthimit në familjen europiane duhet të triumfojë dhe do të triumfojë nëse e mbajmë në sytë tanë, pa egoizëm dhe pa motive të fshehta e armiqësore nga brenda”, vazhdon ai.
Për historianin Keka, sot çështja shtrohet rreth asaj nëse duhet të fitojmë ose do të “zhdukemi”.
“Ne, që po përpiqemi që ta nxjerrim në dritë atdheun tonë qoftë me laps apo me vepra patriotike të zemrës, jemi në mbrojtje, po luftojmë për vetë ekzistencën tonë, sepse sot çështja është se: duhet të fitojmë ose do të zhdukemi.
Le ta mposhtim urrejtjen e kundërshtarëve tanë me dashuri e dritë këshilluese e orientuese që u tregojmë atyre.
Le të provojmë me veprimet tona se shpikja sa për sy e faqe e armiqve tanë nën petkun e tolerancës së shumëlavdëruar është një gënjeshtër e cila përpara fuqisë së dashurisë, dritës e altarit të kombit të Gjergj Kastriotit duhet të dorëzohet.
Le të mos e tolerojmë të keqen nga kushdo dhe secili armik i brendshëm që vjen; le ta duam njëri-tjetrin, nëse jemi vëllezër dhe i themi vetes se jemi vëllezër dardano–arbëror, kemi një gjak, atëherë nuk kemi nevojë për tolerancën sa për sy e faqe, por vetëm dashuria mund të jetë e vërtetë dhe pikërisht për këtë sot populli ynë në Kosovë dhe kudo kombi ynë ka nevojë urgjente:
Le të mos e tolerojmë gabimin, le ta luftojmë atë.
Kjo është detyra jonë, kjo është mënyra e luftimit që çon në fitoren e dritës mbi errësirën, në fitore të flamurit të Gjergj Kastriotit dhe kombit tonë i cili aspiron të bëhet pjesë e botës së civilizuar dhe familjes europiane”, vlerëson ai.
Thirrja për bashkim
Keka bën thirrje që shqiptarët të bashkohen sikur na mësoi kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti, se vetëm të bashkuar mund të arrijmë gjëra të pabesueshme dhe të mëdha për kombin, humanizmin dhe civilizimin.
“Dhe kështu le të shpaloset dhe të valëvitet flamuri i përbashkët i Gjergj Kastriotit mbi Dardaninë (Kosovën) tonë, Arbërinë tonë, duke e dashur dhe mbrojtur atë.
Uroj që të gjithë gratë e burrat dardano-arbërorë, tek të cilët patriotizmi i Gjergj Kastriotit ende digjet fort, të mblidhen rreth këtij flamuri të bekuar arbëror dhe të ndihmojnë në forcimin e shpirtit dhe trupit tonë të përbashkët si komb, shoqëri e shtet.
Mos e humbni kurrë zemrën, mos u tërhiqni kurrë nga rruga e Gjergj Kastriotit.
Sepse ai vetëm këtë fjalë kishte për arbërorët e tij: “Përpara, arbërorët e mi!”
Një frikacak është çdo ushtar që hedh armët e dijes (lapsin e librin) nga dora.
Ne nuk duam të shpërndahemi apo shkërmoçemi, por të bashkohemi, ashtu sikur na mësoi kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti, se vetëm të bashkuar mund të arrijmë gjëra të pabesueshme dhe të mëdha për kombin, humanizmin dhe civilizimin.
Si në çdo gjë, nëse sfida apo lufta zgjat shumë, njëfarë lodhjeje dhe letargjie janë thjesht të natyrshme. Por varet nga të gjithë ne të sigurohemi që ajo të mos bëhet e rrezikshme, por të rikthejë guximin dhe besimin që të rikthehet entuziazmi i vjetër që gjithmonë i ka frymëzuar dardanët e Arbërisë në kohë të mëdha.
Varet nga të gjithë ne të përpiqemi me të gjitha forcat tona që të sigurohemi që çdo shqiptar i Kosovës dhe i tërë populli e kombi të bëhen të vetëdijshëm, edhe si qytetarë, për detyrën për të qenë arbëror europian në jetën politike dhe shoqërore, për të menduar, dëshiruar dhe vepruar arbërisht si dardan besnik i Gjergj Kastriotit – si arbëror i vërtetë europian”, potencon ai.
Që tani e tutje, gjaku ynë i vërtetë iliro–arbëror le të rrahë më fort në venat tona si kurrë më parë, shton Keka.
“Kombi ynë arbëror, kombi i Gjergj Kastriotit, duhet të pohojë veten dhe nderin e tij edhe në zhvillimin politik, ekonomik, diplomatik, kulturor etj., përkrah kombeve të tjera që kanë përparuar para nesh.
Dardania jonë, kombi ynë në përgjithësi, si komb i Gjergj Kastriotit, e ka vendin krah për krah me kombet e civilizuara dhe si pjesë e trupit dhe shpirtit të përbashkët të..."