Festa e Flamurit, 28 Nëntori, është një nga datat më të rëndësishme për shqiptarët kudo në botë. Kjo ditë historike jo vetëm që shënon çlirimin e Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe themelimin e shtetit shqiptar, por mbart edhe një mesazh të fuqishëm identitar dhe kulturor për shqiptarët kudo që jetojnë, nga Shqipëria dhe Kosova, te trojet e tjera shqiptare dhe diaspora anembanë globit.
Opinionisti Nehat Hyseni, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme të Festës së Flamurit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një ngjarje me vlera të shumta: çlirimtare, shtetformuese dhe identitare.
Ai ka shpjeguar se vlera çlirimtare e kësaj feste kombëtare konsiston në faktin se Shqipëria më 28 Nëntor 1912, edhepse e cunguar, u çlirua nga okupimi i Perandorisë Osmane prej gati pesë shekujsh dhe shpalli pavarësinë.
“Vlera e festës së Flamurit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë londineze, është jashtëzakonisht e madhe dhe realisht ka rëndësi të shumëfishtë: çlirimtare, shtetformuese dhe identitare.
Vlera çlirimtare e kësaj feste kombëtare konsiston në faktin se Shqipëria më 28 Nëntor 1912, edhepse e cunguar, meqë pjesa më e madhe e Shqiptarisë mbeti jashtë kufijëve të saj, megjithatë ajo u çlirua nga okupimi i Perandorisë Osmane prej gati pesë shekujsh dhe shpalli pavarësinë.
Vlera shtetformuese e Festës së Flamurit konsiston në faktin se Shqipëria për herë të parë në histori u themelua si shtet, që u konfirmua në vitin 1913 në Konferencën e Londrës.
Kurse, vlera identitare e Festës së Flamurit, dmth Pavarësisë së Shqipërisë është madhështore, sepse me të identifikohen me krenari të gjithë shqiptarët kudo që janë: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë Veriore, Luginën e Preshevës, në Mal të Zi, Kalabri dhe gjithandej në diasporë e mërgatë anembanë rruzullit tokësor. Të gjithë e festojnë këtë datë me emocione të mëdha atdhedashurie e patriotizëm të kulluar kombëtarë, duke frymuar si një trup i vetëm dhe duke sfiduar me krenari kufijtë shtetërorë që na ndajnë padrejtësisht. Festa e Flamurit e mishëron më së miri idealin e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve kudo që janë”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Hyseni ka përmendur veçanërisht në Kosovën Lindore, ku identiteti shqiptar është i rrezikuar.
“Pavarësisht dallimeve politike apo shtetërore, 28 Nëntori është ndër ngjarjet e pakta që kujton rrënjët e përbashkëta, rikinfirmon identitetin kombëtar, dhe ndërton ura përbashkimi mes shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe trojeve të tjera ku jetojnë aktualisht shqiptarët.
Në Luginën e Preshevës, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë — ku identiteti shqiptar është i rrezikuar — 28 Nëntori ka një dimension të posaçëm dhe realisht është shenjë e rezistencës kulturore dhe mjet ruajtjeje të identitetit, dhe ka pasur rëndësi edhe gjatë periudhave të ndalesave, represionit padrejtësive dhe formave të ndryshme të spastrimit etnik dhe dëbimit të tyre nga trojet stërgjyshore”, ka treguar ai.
Në fund, Hyseni ka shtuar se Festa e Flamurit, 28 Nëntori, i bashkon të gjithë shqiptarët emocionalisht dhe shpirtërisht, kudo që jetojnë.
Ai ka uruar që ky unitet të reflektohet edhe në sport, duke shpresuar që ekipet kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës të kualifikohen për Kampionatin Botëror 2026, dhe që 28 Nëntorin ta kremtojmë me fitore dhe suksese të mëdha.
“Pra, Festa e Flamurit, 28 Nëntori, i bashkon të gjithë shqiptarët emocionalisht dhe shpirtërisht, kudo që jetojnë dhe veprojnë aktualisht dhe urojmë që ky unitet e përbashkim i tyre kulturor, shpirtërorë e emocional, por edhe sportiv, duke bërë historinë me sukseset e mëdha në garat për kualifikimin në Kampionatin Botërorë 2026 në futball, që do të mbahet në SHBA, Kanadë dhe Meksikë.
Urojmë që të kualifikohen ekipet kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës dhe 28 Nëntorin 2026 ta kremtojmë me rezultate e fitore të mëdha! Gëzuar!!!”, ka përfunduar Hyseni.