Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma pavarësisht ‘përpjekjeve’ e takimeve kanë vendosur të garojnë të vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Një afërsi në mes të dy partive është parë edhe para caktimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por edhe pas caktimit të datës, madje ka pasur takim edhe mes dy kryetarëve të partive.
Pas takimit të kryetari të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe atij të Nisma-s, Fatmir Limajt, Abdixhiku e quajti takimin “të shkëlqyer”, ndërsa detaje nuk ishin dhënë.
“Ishte një takim i shkëlqyeshëm me një mik të shkëlqyeshëm siç është Fatmir Limaj”, pati deklaruar ai.
Ndërsa, pas caktimit të datës së zgjedhjeve u përfol për koalicion të mundshëm.
Rreth këtij koalicioni, ishte pyetur edhe Armend Zemaj, deputet i LDK-së.
Ai ka thënë se ka pasur “bisedime parimore”.
‘‘Ka pasur bisedime parimore, s’them që s’ka teknike. Ne kemi bashkëbisedim edhe me grupet e tjera politike. Mendoj që askush nuk vije nëse nuk e nin vetë të përafërt me ideologjinë e një subjekti’’, ka thënë ai.
“Prapaskenat” e dështimit të koalicionit parazgjedhor
Përkundër “bisedimeve parimore”, partitë nuk kanë gjetur koncenzus për një koalicion parazgjedhor dhe sipas analistëve kjo sepse partitë kanë pasur dallime thelbësore në qasjen ndaj të ardhmes së koalicionit. Ata shtojnë se kushti për të garuar nën emrin e LDK-së mund të jetë një ndër arsyet pse nuk ka funksionuar.
Avokati Gazmend Halilaj, thotë se prapaskenat janë të ndërlikuara.
Sipas tij, mungesa e fleksibilitetit strategjik ka bërë që negociatat të mos mbyllen me sukses.
“Sa i përket bisedimeve LDK–Nisma dhe mungesës së marrëveshjes finale, është e qartë se prapaskenat kanë qenë të ndërlikuara. Nga informacionet publike dhe dinamika politike e ditëve të fundit, duket se dy partitë kanë pasur dallime thelbësore në qasjen ndaj të ardhmes së koalicionit. LDK kërkonte një bashkëpunim të ndërtuar mbi strukturë të fortë organizative dhe kontroll të plotë të listës zgjedhore, ndërsa Nisma kërkonte më shumë peshë politike dhe garanci për rolin e saj brenda koalicionit. Këto kërkesa të ndërsjella nuk u takuan në një pikë të përbashkët. Në këtë aspekt, duket qartë se mungesa e fleksibilitetit strategjik ka bërë që negociatat të mos përmbyllen me sukses. Për vendin, megjithatë, këto luhatje mes partive të vjetra vetëm e dëshmojnë edhe një herë se Kosova ka nevojë për stabilitet dhe qasje politike të qartë – gjë që sot po e ofron vetëm Lëvizja Vetëvendosje”, deklaron Halilaj.
Ndërsa, analisti Eduard Gashi, thotë se prapaskenat e sakta pse nuk u finalizua marrëveshja LDK- Nisma nuk mund të dihen, por janë disa elementë politikë të dukshëm.
Ai përmend faktorët që kanë krijuar një mjedis për një kocensus pothuajse të pamundur.
“Është e vërtetë se u fol shumë për një parakoalicion të mundshëm ndërmjet LDK-së dhe Nismës, madje pati edhe takime mes z. Abdixhikut dhe z. Fatmir Limajt. Mirëpo, prapaskenat e sakta nuk mund të dihen nga askush tjetër përveç vetë aktorëve.
Megjithatë, disa elementë politikë janë të dukshëm:
• Mospërputhje programore: Nëse një marrëveshje dështon, zakonisht nuk ka ndodhur një pajtim i plotë mbi drejtimet politike. Kjo, në një farë mënyre, është shenjë e shëndetshme — tregon se partitë nuk hyjnë verbërisht në aleanca thjesht për të kaluar zgjedhjet.
• Çështja e besueshmërisë politike të Nismas dhe Fatmir Limajt: Brenda qarqeve politike ekziston perceptimi se në zgjedhjet e kaluara Nisma e përdori koalicionin me AAK-në kryesisht si trampolinë për të hyrë në Kuvend dhe më pas veproi me një autonomi të theksuar. Ky lloj precedent i bën subjektet më të mëdha të jenë shumë të kujdesshme.
• Ambicia për poste të larta shtetërore: Limaj publikisht ka lënë të kuptohet se e sheh veten si kandidat për postin e kryeministrit. Për një parti me peshë modeste elektorale, kjo është kërkesë që bie ndesh me logjikën politike dhe me raportet reale të forcave. Asnjë subjekt i madh nuk mund të pranojë një kusht të tillë, sidomos jo LDK. Këta faktorë së bashku krijojnë një mjedis në të cilin konsensusi është pothuajse i pamundur”, deklaron Gashi.
Kushti i LDK-së arsyeja e mos arritjes së marrëveshjes?
Lidhja Demokratike e Kosovës ftonte partitë tjera që të hyjnë në listën e tyre, por ata gjithashtu deklaronin se në garë do të jetë emri i tyre.
“Ne do të garojmë në zgjedhje me emrin tonë LDK, nuk do të ketë koalicione parazgjedhore. Do të ketë një listë që është lista e LDK-së. Ata që dojnë me garu në këtë listë dhe me programin tonë për zhvillimin e vendit, ejani të bashkëngjiteni”, kishte deklaruar Alban Zogaj, zyrtar i LDK-së.
Të pyetur nëse një koalicion LDK- Nisma, nuk është bërë për shkak të kushtit për të garuar nën emrin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, analistët thonë se kjo është kërkesë e zakonshme dhe me gjasë kjo mund të ishte edhe arsyeja.
“LDK ka qenë shumë e qartë: Çdo parti që hyn në koalicion me ta, garon nën emrin “Lidhja Demokratike e Kosovës”. Kjo kërkesë është e zakonshme për parti të mëdha që duan rend, qartësi dhe identitet unik në fletën e votimit.
Por për Nismën kjo është problematike për disa arsye:
• Frika nga humbja e identitetit politik: Nisma është një parti lokale me ndikim të kufizuar, e cila jeton nga dukshmëria e emrit “Nisma” dhe nga figura e Limajt.
• Rreziku i zhdukjes nga perceptimi publik: Nëse emri nuk shfaqet në fletën e votimit, ekziston frika se votuesit e pakët që i kanë mbetur mund të shpërndahen.
• Nevoja për legjitimitet të vazhdueshëm: Partitë e vogla zakonisht e përdorin pjesëmarrjen zgjedhore si mjet për të justifikuar ekzistencën e tyre. Fshirja e emrit do të dobësonte këtë pretendim.
Pra, po — ky kusht ka shumë gjasa të ketë qenë një nga arsyet kryesore të mosmarrëveshjes”, deklaron Gashi.
Kurse, avokati Halilaj thotë se është plotësisht e besueshme që Nisma e ka parë këtë kushtëzim si nënçmuese dhe si goditje direkte ndaj autonomisë së saj.
“Kushtëzimi i LDK-së që çdo subjekt t’i bashkohet duke garuar nën emrin “Lidhja Demokratike e Kosovës” me gjasë ka qenë pika kyçe e ndarjes. Nisma historikisht ka tentuar të ruajë identitetin e saj politik dhe të mos zhduket brenda një strukture më të madhe. Këtë herë, oferta e LDK-së, ndonëse e qartë, i kërkonte Nismës të pranonte një rol simbolik brenda listës, pa hapësirë të mjaftueshme për të ruajtur zërin e vet politik. Në këtë kuptim, është plotësisht e besueshme që Nisma e ka parë këtë kushtëzim si nënçmuese dhe si goditje direkte ndaj autonomisë së saj. Fakti që marrëveshja dështoi, tregon edhe një herë se LDK-ja – edhe në momente të rëndësishme për vendin – vazhdon të vendosë prioritete të brendshme para interesit më të gjerë politik”, shprehet Halilaj.
Rreziku i Nisma-s
Nisma në zgjedhjet e 9 shkurtit kishte garuar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, dhe kjo parti kishte siguruar tri ulëse në Kuvend.
Në këto zgjedhje kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj kishte marrë 25 mijë e 718 vota. Mirëpo pavarësisht bashkimit të forcave në këto zgjedhje, pas shpalljes së rezultateve pati mosmarrëveshje mes Limajt dhe Haradinajt, për shkak që Limaj ishte shprehur i hapur për bashkëpunim me kreun e LVV-së, Albin Kurti.
Duke garuar e vetme në këto zgjedhje, sipas analistëve është rreziku që ajo të mos e kalojë pragun elektorial.
Avokati Halilaj parasheh një sfidë të rëndë për Nisman, gjersa shton se sot qytetarët po orientohen drejt forcave që ofrojnë stabilitet dhe reformë të sinqertë
“Sa i përket rrezikut që Nisma të mos e kalojë pragun elektoral nëse garon e vetme, ky rrezik është real dhe i madh. Në zgjedhjet e fundit, mbështetja për këtë subjekt ka qenë minimale dhe ndjeshëm nën trendin e rritjes së elektoratit. Pa një koalicion, Nisma përballet me një sfidë të rëndë për të mobilizuar vota të mjaftueshme, sidomos në një atmosferë ku qytetarët kërkojnë qartësi politike, integritet dhe programe që ofrojnë ndryshim të prekshëm. Në këtë garë, subjektet që nuk prezantojnë vizion të qartë ose që varen nga marrëveshje të momentit do ta kenë shumë të vështirë të mbijetojnë. Realiteti është se sot qytetarët po orientohen drejt forcave që ofrojnë stabilitet dhe reformë të sinqertë – dhe këtë e përfaqëson qartësisht Lëvizja”, deklaron avokati.
Të njëjtin mendim ndan edhe analisti Eduard Gashi.
Sipas tij, në zgjedhjet e fundit Nisma nuk do ta kishte kaluar pragun pa koalicion, ndërsa e vetme ka rrezik të lartë.
“Po rrezikon Nisma të mos e kalojë pragun elektoral , dhe rreziku është i lartë.
Në zgjedhjet e fundit Nisma nuk do ta kishte kaluar pragun pa koalicion. Ky është fakt statistik. Tani, duke garuar e vetme:
• Baza elektorale e saj është tkurrur ndjeshëm, sidomos pas ngritjes së Vetëvendosjes dhe dobësimit të partive tradicionale.
• Nisma nuk ka strukturë të gjerë dhe jo një program që rezonon kombëtarisht.
• Fuqia e Limajt si figurë politike është shumë më e ulët sesa para një dekade.
Prandaj, probabiliteti më i madh është që Nisma nuk do ta kalojë pragun prej 5%, përveç nëse ndodh ndonjë zhvillim i jashtëzakonshëm politik.
Në rastin më optimist, mund ta prekë pragun minimalisht — por kjo më shumë është dëshirë sesa analizë empirike”, përfundon Gashi.