Zgjedhjet e 28 dhjetorit/ Ramadani zbulon strategjinë e partive

Politika

Zgjedhjet e 28 dhjetorit/ Ramadani zbulon strategjinë e partive

Nga: A.M. Më: 4 dhjetor 2025 Në ora: 18:00
Foto ilustruese

Zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat pritet të mbahen më 28 dhjetor, po afrojnë afatin për dorëzimin e listave nga subjektet politike.

Oponionisti, Albert Ramadani, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se tani nuk ka mbetur shumë afat për dorëzimin e listave nga subjektet politike, të cilat do të kandidojnë në këto zgjedhje.

Ai ka theksuar se risia kryesore e partive janë emrat e rinj, të cilët prezantohen si kandidatë më me vlerë dhe si mjet për grumbullimin e votave:

“Gjithnjë risia e partive politike janë emrat e rinj që i sjellin në parti, duke i prezantuar si kandidatë të rinj dhe si kandidatë më me vlerë për partitë, dhe për grumbullimin e votave nga kandidati për subjektin.

Por, nëse partitë politike paraqesin emrat e rinj dhe i prezantojnë si ekspertë të fushave të caktuara, partitë dhe liderët e tyre i prezantojnë si kandidatë më veçantë se kandidatët e tjerë që pritet të jenë ndoshta për herën e tretë apo të katërt si kandidat, thuaj më shumë se tre deri në katër herë si pjesë e kuvendit”, ka thënë ai.

Image
Oponionisti, Albert Ramadani

Gjithashtu, Ramadani ka shpjeguar se partitë prezantojnë emrat e rinj për dy arsye: për të sjellë vota edhe nëse kandidatët nuk fitojnë, dhe për të krijuar mundësi që ata të jenë pjesë e qeverisë ose kabinetit më vonë.

“Pse kandidatët e ‘vjetër’ nuk i prezantojnë, të cilët janë potencialisht të sigurt që të zënë vend? Prezantimet më të fuqishme që bëjnë liderët e subjekteve politike bëhen për kandidatët e rinj si aderime të reja, ku mendojnë se do të jenë një lloj ‘blete’ për të grumbulluar ‘nektarin’ apo për të prekur elektoratin.

Sa do të jenë të dobishëm emrat e rinj është një pikëpyetje e madhe.

Dy qëllime kanë liderët kur sjellin emra të rinj.

E para, të jenë të dobishëm, që secili kandidat apo emër i ri të sjellë një mori votash për subjektin, edhe pse ndoshta ai ose ajo nuk kalon apo nuk arrin fare të bëhet deputet.

Por cili është qëllimi i dytë i liderëve si premtim për emrat e rinj? Edhe nëse nuk arrini të kaloni me rëndësi, ju të sjellin vota në parti, e më pas, nëse subjekti arrin të jetë formues apo pjesë e qeverisë, ju mund të jeni pjesë e kabinetit apo deputet në listën që arrin të fitojë ulëset; mund të jeni pjesë e kabinetit qeveritar dhe ju lëshohet vendi nëse jeni diku afër në renditje pas deputetëve që do të jenë fitues të vendeve”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka shtuar se partitë promovojnë kandidatët e rinj si ekspertë me plan zhvillimor dhe aftësi për të tërhequr investime, por mbetet e paqartë sa do t’i njohë elektorati.

“Por si do t’i prezantojnë partitë dhe liderët këta emra para elektoratit të tyre si qëllim për grumbulluar sa më shumë vota?

Liderët e partive prezantimin e tyre do ta bëjnë duke hedhur lavde se si janë ekspertë të fushave, si janë menaxherë brenda vendit apo jashtë vendit, duke treguar se këta kanë ardhur me plan dhe program zhvillimor.

Në rritjen dhe forcimin e ekonomisë, në marrëdhënie me jashtë, sjelljen e investitorëve potencialë të teknologjisë së fundit.

Duke i thënë elektoratit se me ardhjen e këtyre më afër do të kemi afaristë gjermanë, amerikanë, kanadezë e pse jo edhe japonezë.

Shtrohet pyetja: sa do të bindet elektorati?

A do t’i njohë dhe sa do t’i njohë elektorati këta emra, dhe sa do të kenë shtrirje dhe ndikim në familje dhe tek votuesit për këta emra të rinj?

Emrat e rinj mund të votohen nga të afërmit e vet dhe t’i shtojnë aty-këtu ndonjë votë subjektit për të cilin elektorati i përket asaj apo atij subjekti politik.

Edhe emrat e rinj e dinë fare mirë se hierarkia partiake, pa kaluar që të jenë pjesë e kuvendit, nuk u vjen rendi”, ka vlerësuar ai.

Sipas Ramadani, shumë kandidatë të rinj në lista zgjedhore kanë shpresë të bëhen pjesë e qeverisë ose të zëvendësojnë figura që kanë qenë në Kuvend për dekada

“Por emrat e rinj që pretendohen të jenë pjesë e listave zgjedhore e dinë këtë, por me shpresën që do të jenë pjesë e kabinetit qeveritar, apo të lirohet vendi nga kandidatë potencialë që me dekada janë pjesë e kuvendit. Pse? Sepse edhe një shpresë e kanë këta që garojnë për herë të parë, ku me të vërtetë mund të jenë ekspertë të fushave për të qenë pjesë e ndonjë bordi.

Nuk po them që emrat e rinj nuk kanë vlerë e potencial, por emrat e ‘vjetër’ nuk i lejojnë këta emra të depërtojnë, sa do që lideri i ‘përkëdhel’ këta emra të rinj. Për liderin, ata i sjellin vetëm e vetëm vota për subjektin dhe aspak nuk i intereson më pas përfundimi i zgjedhjeve dhe certifikimi; vetëm e sheh me ekipin e vet se si do të veprojnë tutje dhe ku do të përfundojnë, qoftë si formues qeverisës apo pjesë e saj.

Pozicioni dhe pozita udhëheqëse në dikastere është qëllimi i çdo lideri partie politike”, ka përfunduar Ramadani.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat