Ditë më parë, Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan që emisarit evropian për dialog, Peter Sorensen, t’i vazhdohet mandati, në përputhje me rekomandimin e shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas.
Këtë e konfirmuan edhe burime diplomatike në Bruksel, duke bërë të ditur se kësaj radhe diplomatit danez Sorensen do t’i zgjatet mandati për dy vjet shtesë.
Mandati i tij i parë ishte 13-mujor dhe skadon në fund të muajit shkurt. Në këtë rast, dihet nga ajo çka është parë deri më tani se nuk ka pasur shumë lëvizje në proces, përveç disa takimeve në nivel të kryenegociatorëve.
E në lidhje me këtë çështje për “Bota sot” foli ish-ambasadori Sylë Ukshini.
Së pari, ai tha se vendimi për vazhdimin e mandatit të Sorensen, duhet parë në kontekst më të gjerë politik e diplomatik.
Ai tha se pasiviteti në dialog nuk ka të bëj me mungesë vullneti nga përfaqësuesi evropianë.
“Vendimi i fundit që lidhet me dinamikat e dialogut Kosovë–Serbi duhet parë në një kontekst shumë më të gjerë politik dhe diplomatik, si brenda rajonit, ashtu edhe në nivel evropian. Në vlerësimin e rolit të z. Anders Samuelsen Sørensen, është e qartë se periudha e muajve të fundit ka shënuar një pasivitet të theksuar të BE-së në procesin e dialogut, por ky pasivitet nuk duhet interpretuar thjesht si mungesë vullneti apo iniciative nga ana e përfaqësuesit të posaçëm”.
Krahas kësaj, Ukshini potencoi se ngecja në dialog ka ardhur si pasojë e disa arsyjeve politike e strukturore.
Në këtë rast, ai përmendi sanksionet e BE, zhvillimet politike në Kosovë, si dhe krizat e brendshme në Serbi.
“1. Dialogu i Brukselit ka ngecur për arsye strukturore dhe politike
Dialogu ka pësuar stagnim për tri arsye kryesore:
a) Masat e BE-së ndaj Kosovës
Bllokimi politik dhe masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës kanë krijuar një mjedis që e vështirëson vazhdimin e dialogut në mënyrë të rregullt. Në këtë atmosferë tensioni diplomatik, aftësia e BE-së për të ushtruar ndikim efektiv është zvogëluar.
b) Zhvillimet e brendshme politike në Kosovë
Qeveria e Kosovës, pas zgjedhjeve dhe ndryshimeve të brendshme politike, ka miratuar një qasje më të ashpër dhe më selektive ndaj dialogut. Kjo ka krijuar ngërçe të reja, sidomos në interpretimin dhe sekuencimin e obligimeve të marra në të kaluarën.
c) Turbulencat e brendshme në Serbi dhe protestat studentore
Tek Serbia, situata politike e brendshme — përfshirë zgjedhjet, protestat studentore dhe krizën e legjitimitetit të institucioneve — ka konsumuar vëmendjen e qeverisë dhe të presidentit Vučić, duke e lënë dialogun në plan të dytë”, shtjelloi ai.
Megjithatë, ish-ambasadori konsideroi se fajtor për mosprogres në dialog është edhe Bashkimi Evropian.
Sipas tij, BE, nuk ka bërë mjaftueshëm për këto negociata.
“2. BE-ja, realisht, nuk ka fokus të mjaftueshëm për dialogun
Ky është një element për t’u theksuar:
• E gjithë energjia transatlantike e BE-së është përqendruar në Ukrainë, në përpjekjet për të frenuar agresionin rus dhe për të mbajtur unitetin euro-atlantik.
• Kriza Ukrainë–Rusi konsiderohet kërcënimi më serioz për sigurinë evropiane që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
• Në këto kushte, dialogu Kosovë–Serbi është shtyrë, në mënyrë de facto, në plan të dytë.
Kjo shpjegon pjesërisht edhe pse Sørensen ka vepruar me një profil më të ulët”, shtjelloi Ukshini.
Më tëj, ai foli edhe për rolin që ka Sorensen në këto negociata, derisa përmendi kufizimet e tij dhe pritshmëritë nga ai.
“3. Roli i Sørensen: kufizimet dhe pritshmëritë
Sørensen nuk ka qenë “pasiv” në kuptimin klasik. Problemi është se:
a) Ai nuk mund të prodhojë lëvizje të reja pa një riformatim të dialogut në Bruksel
Dialogu aktual është i bllokuar strukturalisht. Mandati i tij është i kufizuar dhe i ndërtuar mbi një arkitekturë të cilës i ka skaduar koha.
b) Kosova ka marrë në mars 2024 një detyrim vullnetar, të nënshkruar nga Presidentja Osmani, Kryeministri Kurti dhe Kryeparlamentari Konjufca
Kjo letër i ka dhënë BE-së një instrument të fuqishëm politik dhe moral për të kërkuar respektimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë themimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Prandaj, në çdo takim diplomatik, kjo çështje tani del si ndër pikat e para”.
Ndër të tjera, ish-ambasadori kishte edhe disa sugjerime dhe kritika për disa çështje dhe mënyrën si u trajtuan ato.
“4. Vlerësim kritik: Kosova u ngut me zotimin e 2024-s
Ky angazhim merr rëndësi të veçantë për dy arsye:
1) Rasti i Gjykatës Speciale
mënyra se si u trajtua çështja e Speciales është shembulli më i qartë se sa e domosdoshme është të kërkohen garanci të qarta ndërkombëtare për çdo proces që prek sovranitetin dhe strukturën e brendshme të shtetit.
2) Raporti i Dick Marty – gënjeshtra më e rëndë ndaj Kosovës
Tani që procesi gjyqësor ka treguar se akuzat ishin krejtësisht të pavërteta dhe të ndërtuara mbi një narrativë raciste, Kosova ka të drejtë të kërkojë që:
• Këshilli i Evropës të abrogojë Rezolutën që ka mbështetur raportin Marty,
• Sepse një dokument i tillë i pavërtetuar mbetet njolla më e rëndë diplomatike dhe morale ndaj Kosovës.
Vetëm pasi të pastrohet kjo padrejtësi historike, është logjike dhe e drejtë që Kosovës t’i kërkohen hapa të mëtejshëm si Asociacioni”, përmbylli Sylë Ukshini për “Bota sot”.