Zgjedhjet e 28 dhjetorit përbëjnë një moment vendimtar për jetën politike të vendit, duke përcaktuar jo vetëm përbërjen e parlamentit, por edhe mënyrën se si do të ushtrohet qeverisja në vitet në vijim.
Këto zgjedhje, vijën pas dështimit të partive politike të formojnë institucionet e reja, marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Vëmendje të madhe, pas shpalljes së zgjedhjeve të reja, morën edhe listat e kandidatëve për deputetë, të dorëzuara nga partitë politike.
Këto lista janë një pasqyrë e qartë e strategjive politike dhe prioriteteve të secilës forcë, ku ato tregojnë se si partitë i ekuilibrojnë figurat e reja dhe ato tradicionale, si dhe çfarë profilesh profesionale, gjinore dhe territoriale përfaqësojnë.
Theksojmë se, përzgjedhja e kandidatëve nuk është thjesht një procedurë administrative; ajo ka ndikim të drejtpërdrejtë në legjislacionin e ardhshëm, në mënyrën e vendimmarrjes dhe në nivelin e përfaqësimit të qytetarëve.
Analiza e këtyre listave krijon pritshmëri për parlamentin e ardhshëm, derisa analistët për “Bota sot”, duke u bazuar në këto lista, vlerësuan se sa do të jetë parlamenti i hapur ndaj reformave, sa do të mbështetet tek eksperienca tradicionale dhe sa do të përfshijë ide të reja dhe energji rinore.
Qarri: Emrat kryesor të kandidatëve për deputet vijnë nga rrethi i afërt i kryetarit
E në lidhje me listat e partive politike dhe përzgjedhjen e tyre, për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.
Fillimisht, ai u shpreh se me gjithë pretendimet e partive për freskimin e listave të kandidatëve për deputetë, në shumicën e rasteve, sipas tij po e dëshmojnë gati qëndrime të njëjta.
Po ashtu, potencoi se në këto lista ka edhe figura që janë të diskutueshme dhe madje edhe me të kaluar penale.
“Me gjithë pretendimet publike se çdo emër në listat e të përzgjedhur për deputet, qëndron mbi vlerat e integritetin e kandidatit, gjoja të bazuara edhe në "besimin për shërbim ndaj qytetarëve”, partitë politike të cilat aktualisht garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit për 120 vende në Kuvendin e Kosovës me gjithë pretendimet për freskimin e listave të kandidatëve për deputetë, në shumicën e rasteve, po dëshmojnë gati qëndrime të njëjta dhe i kanë hy garës kryesisht me përbërjen e vjetër të gardave të tyre të mëparshme.
Madje ato kanë rezervuar vende edhe për kandidatët e grupeve që u janë bashkuar në koalicione, përfshi edhe figura të diskutueshme e pa asnjë meritë dhe me të kaluar penale e përndjekje gjyqësore, që vërtetë përbëjnë problem të madh për daljen e qytetarëve në zgjedhje, vejnë votuesit e ndershëm në lajthitje të plotë dhe krijojnë shqetësime serioze edhe mbi të ardhmen e sigurisë politike të vendit, derisa dihet mirëfilli se po këto parti lanë vendin edhe pa buxhet të miratuar dhe pa marrëveshje të miratuara ndërkombëtare, duke kërcënuar funksionalitetin e shtetit dhe shkaktimin e problemeve sociale, si dhe rrezikuar humbjen e qindra miliona eurove të ndara nga BE dhe Banka Botërore, për Kosovën”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, Qarri konsideron se emrat kryesorë në këto lista, vijnë zakonisht nga afërsia që kanë me kryetarin, d.m.th. pa ndonjë meritë dhe kontribut në partitë e caktuara.
Ai tha se mbizotërimi i vendimeve të kryeartëve, vërehet qartazi në listat e kandidatëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Derisa emrat kryesor të kandidatëve për deputet vijnë nga rrethi i afërt i kryetarit, e njerëzve të preferuar prej tij, apo edhe parashutistë pa merita, të katapultuar nga jashtë, por jo njerëz të dëshmuar me merita, të emëruar nga baza e gjerë e partisë, për të cilët çështje prioritare mbetet sigurimi i mandatit të deputetit dhe jo forcimi e avancimi i subjektit në emër të të cilit (padrejtësisht) garon, njerëz jo të mbështetur nga baza, as të paraprirë nga diskutimet në mjediset e gjera të anëtarësisë së partisë, por të besuar të kryetarëve të partive politike, realisht edhe në listat e dorëzuara të kandidatëve për deputet, për zgjedhjet e 28 dhjetorit, shihet publikisht vendimi mbizotërues i kryetarëve të partive politike të cilët e kanë fjalën kryesore në përzgjedhjen e kandidatëve dhe përcaktojnë sipas pëlqimit të vet personal, emrat që do ta përbëjnë listën e propozuar për deputet edhe në këtë proces zgjedhor”.
Në vazhdim, analisti, kritikoi përfshirjen e figurave me të kaluar të dyshimtë, që qëllimin e vetëm e kanë partitë që përmes tyre të ngrisin votë elektorale.
Mirëpo, sipas tij, kjo nuk është zgjedhej e duhur, pasi në këtë mënyrë nuk po kemi balancim mes figurave të reja e atyre tradicionale
“Është mjaft interesant të theksohet me këtë rast që përkundër fjalamanisë së fryrë politike se kinse në listën e kandidatëve për deputet janë përzgjedhur emra me potencial elektoral që do ta rritin në maksimum numrin e votave, aty janë futur edhe figura me të kaluar të dyshimtë, të mbarsur me akte të dënueshme ligjore dhe të përcjellë me procese të gjata gjyqësore, akte që dëmtojnë pariparueshëm perspektivën elektorale, zbehin vullnetin e qytetarëve për pjesëmarrje në zgjedhje dhe dalje në votime, andaj duke qenë se çdo gjë vendoset, jo sipas shijes së elektoratit, por në bazë të pëlqimeve personale të kryetarëve, listat e tilla, përveçse nuk përbëhen nga emra të përzgjedhur në mënyrë demokratike, ata nuk përfaqësojnë edhe kandidatura të balancuara mes figurave të reja e atyre tradicionale, me një fjalë, lista të tilla vetëm sa për ta plotësuar numrin e kandidatëve, shpërqendrojnë tërësisht orientimin e votës së qytetarëve dhe ndikojnë tejet negativisht edhe në qeverisjen e ardhshme”, shpjegoi Qarri.
Gjithashtu, ai foli edhe për akuzat mes partive politike, si dhe mungesën e programeve cilësore për qeverisje.
“Kështu që derisa partitë politike akuzojnë njëra tjetrën për mungesë projektesh, por nuk paraqesin as vet asnjë program për arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik as për qeverisjen e ardhshme dhe me gjithë premtimet për rifreskimin e listave të kandidatëve për deputet në zgjedhjet e reja parlamentare, format autoritare, vendimet jo liberale dhe mënyrat jodemokratike të përzgjedhjes së kandidatëve, duke u shoqëruar me fushatë propagandistike se gjoja kandidatët për deputet janë përzgjedhur përmes garave fer, të konkurrentëve, pa ofruar asnjë lloj transparence mbi mënyrën e ecurisë së procesit të përzgjedhjes, po krijojnë realitete të rreme paralele, të cilat lënë shumë për të dëshiruar dhe nuk ofrojnë pritshmëri të mëdha, as për parlamentin e ardhshëm”.
Ndër të tjera, analisti u bëri thirrje votuesve që në këto palë zgjedhjesh të fokusohen tek disa gjëra primare, e që sipas tij janë programet dhe qëndrimet e partive ndaj zhvillimit të shtetit.
“Prandaj i gjithë përkushtimi i votuesve duhet të përqendrohet te qartësimi i qëndrimeve për perspektivën politike të Republikës së Kosovës të partive pjesëmarrëse në zgjedhje, programet e tyre për zhvillimin ekonomik të vendit, integrimin e Kosovës në BE dhe organizatat tjera të rëndësishme ndërkombëtare, derisa janë prezent tendencat e vjetra, që të vazhdohet me deputet të nënshtruar dhe pa uni personal, edhe në zgjedhjet e radhës, me të cilët ekziston rreziku permanent që të njëjtit, ta rikthejnë serish Kosovën në bllokadë dhe inskenojnë ngërçin e mëparshëm shumë mujor politik, pa i dhënë përgjegjësi askujt”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.
Mehmeti: Të gjitha partitë i ka kapur frika!
Ndërsa, opinionisti Gani Mehmeti tha se gjithë vëmendja është te lista e LVV, PDK e LDK, si partitë kryesore, derisa tha se partitë e tjera sillen rreth pragut zgjedhor.
Duke parë listat, Mehmeti në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” potencoi se një numër i madh i kandidatëve janë të panjohur për publikun, rrjedhimisht për këtë nuk pret shumë nga këto lista.
“Po, më në fund, u detyruan të dërgojnë regjistrat me kandidatë për deputetë partitë politike, që si me përtesë i dhanë emrat e tyre për deputetë të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit 2025.
Me sy e vesh, të gjithë janë fokusuar tek partitë e mëdha, pra te LVV, PDK e LDK. Për partitë tjera nuk flitet, mbase sillen atje te pragu, do e kalojnë apo jo.
Listat nga partitë politike janë krijuar nga kandidatë për deputetë disi që edhe vetë partitë nuk janë të sigurta se do fitojnë aq shumë, përkundër propagandës se secila për vete mendon që do dalë e para në zgjedhje! Kjo është sa për t’i bërë qejf vetes, jo se do dalin. Numër i madh kandidatësh janë të panjohur për publikun, prandaj nuk pritet shumë nga këto lista”, nënvizoi ai.
Krahas kësaj, Mehmeti konsideron se është një balancim i mirë sa i përket figurave të reja dhe atyre tradicionale.
Ai potencon se kjo është një gjë e duhur, derisa tha se figurat tradicionale me të kaluar jo të mirë politike, as që do duhej të përfshiheshin në lista.
“Duke parë, përfaqësimin me kandidatë të figurave tradicionale me figura të reja, duket sikur është një balancim i mirë, sa nuk mbahet mend të ketë qenë ndonjëherë më parë se në këto zgjedhje. Dhe mirë që është bërë ky balancim, por më merr mendja se numër i madh të rinjsh janë të panjohura për publikun brenda Republikës së Kosovës, për çka nuk mund të them se si do të ndahen, sa do t’ia arrijnë të bëhen edhe deputetë. Edhe sa u përket figurave të ashtuquajtura tradicionale, pra që janë të njiohur për publikun, ka të atillë që nuk kanë lënë përshtypje të mira gjatë mandateve të mëparme, dhe ka gjasa që disa syresh do të bien, nuk do të votohen nga votuesit, në veçanti e kam fjalën për ata që nuk kanë kursyer gjuhën e tyre vulgare në Kuvend, ku duhet të ruhet gjuha, sjellja e deputetëve ndaj të tjerëve edhe kur nuk na pëlqejnë, ose kur mendojnë ndryshe. Fjalët e këqija janë të këqija dhe të tilla do të mbesin”.
Në fund, deklaroi se të gjitha partitë janë në tension, derisa e dinë se nuk do dalin rezultatet sipas dëshirës së tyre.
“Të gjitha këto parti i ka kapur frika se do mbesin prapa, përkundër propagandës dhe dëshirës që të dalë e para secila për vete.
Ndonjëra nga partitë futën në listat e tyre edhe kandidatë të dështuar disa herë me radhë, që janë nga parti të vogla e që me kohë nuk kanë mundur të kalojnë pragun. Në këso rastesh, kanë gabuar se kuptohet që ata qëllim kryesor kanë vetëm sa për të ardhur në pushtet, me këdo qoftë.
Ndërkaq, rezultati i këtyre zgjedhjeve, nuk pritet të ketë ndryshim nga zgjedhjet e shkurtit të këtij viti”, përmbylli Gani Mehmeti për “Bota sot”.