Sulmi në Ibër Lepenc: Togeri serb në qendër të skemës, ja çfarë paralajmëron eksperti i sigurisë

Politika

Sulmi në Ibër Lepenc: Togeri serb në qendër të skemës, ja çfarë paralajmëron eksperti i sigurisë

Nga: A.M. Më: 9 dhjetor 2025 Në ora: 22:00
Togeri serb Jovan Viçentijeviq, i dyshuari kryesor i arrestuar nga Policia e Kosovës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për shpërthimin në kanalin Ibër Lepenc, që ndodhi në nëntor të vitit të kaluar.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit po përballen me veprat penale: “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Spiunazh”.                                        

Në një prononcim për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci ka theksuar se sulmi ka prekur një arterie jetike të ujit dhe ka cenuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të vendit.

Image
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci

“Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj këtyre tre personave për shpërthimin në kanalin Ibër Lepenc, që ndodhi në nëntor të vitit të kaluar, për veprat penale: “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Spiunazh”.

Pra, është sulmuar arteria e ujit, infrastruktura kritike/jetike, dhe është cenuar direkt siguria kombëtare e vendit tonë.

Hetimet për këto raste kanë zgjatur sepse janë komplekse dhe kërkojnë shumë detaje dhe fakte.

Ato fakte u zbuluan, mendoj unë, dhe kjo tregon suksesin e institucioneve tona, bashkëpunimin me agjencitë më të njohura në botë, dhe ngritjen e një aktakuze shumë të pritur”, ka thënë ai.

Tutje, Dashevci ka përmendur se njëri nga të akuzuarit rezulton të jetë një Toger serb, i rekrutuar nga inteligjenca ushtarake serbe.

“Aktakuza është ngritur pas një hetimi të madh të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria Kundër Terrorizmit, me partnerët evropianë dhe FBI-në.

Njëri nga të akuzuarit rezulton të jetë një Toger serb, i rekrutuar nga inteligjenca ushtarake serbe.

Pra, kjo tregon se me çfarë rreziku jemi ballafaquar si shtet.

Ky veprim i Prokurorisë tregon profesionalizmin e lartë institucional, dhe unë mendoj se duhet të ndryshojë qasja ndërkombëtare ndaj Serbisë, bazuar në këtë rast dhe rastet tjera të mëparshme (Bajnska), ku faktet flasin vetë”, ka shtuar ai.

Në fund, Dashevci ka kërkuar gjithashtu që qasja ndërkombëtare ndaj Serbisë të ndryshojë, duke u bazuar në këtë rast dhe në precedentët e mëparshëm si rasti i Bajnskës.

“Trysnia ndërkombëtare duhet të jetë evidente tani.

E gjithë diplomacia jonë dhe aktorët politikë duhet ta alarmojnë këtë rast në të gjithë botën, pa ndalur, sepse Serbia nuk ndalet përveç nëse ushqehet me presion ndërkombëtar, ku e vërteta bazohet në fakte”, ka përfunduar Dashevci.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat